Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji do të mbajë foltoren e radhës në Berat, ditën e mërkurë. Dega e PD në këtë qytet, i ka drejtuar një mesazh anëtarësisë së saj, duke sulmuar Salianjin në lidhje me takimin e paralajmëruar prej tij.
PD Berat e cilëson Salianjin si të vetëpërjashtuar nga PD dhe pretendon se aktiviteti që ai synon të zhvillojë është me axhendë tërësisht private dhe pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike.
Në mesazh thuhet takimi nuk përfaqëson strukturat zyrtare të partisë dhe se është në shërbim të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
"I dashur anëtar i PD Berat,
Nesër, Ervin Salianji, i vetëpërjashtuar nga PD, po përpiqet, me ndihmën e segmenteve të pushtetit dhe segmenteve të krimit të organizuar lokal, të organizojë një takim me një agjendë tërësisht private. Ky takim nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike, por është në shërbim të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Dega e PD Berat ju bën thirrje ju, si anëtar i degës, të distancoheni nga ky aktivitet me agjendë qeveritare.
Ju faleminderit", thuhet në njoftim.

Mesazhi që dega PD Berat i ka dërguar anëtarësisë
Komente











