Ervin Salinji nuk kursehet dhe i është përgjigjur drejtpërdrejtë akuzave të lëshuara sot dhe nga kryetari demokrat Sali Berisha për organizimin e takimit të tij të djeshëm në Elbasan, me ndihmën e Sued Çelës, një eksponent i njohur i krimit. Akuza që tingëllonin si një paralajmërim i qartë për përjashtimin e tij.

“Në Elbasan ishte e gjithë struktura vitale e Partisë Demokratike. Akuzat imagjinare, janë një dëshmi e mjerimit politik”, shkruajti Salianji në Facebook duke theksuar se “dihet se shumëkush tjetër e ka pasur në krah dhe e ka përdorur për interesa të veta”.

Një referencë që duket se shkon për Flamur Nokën, me të cilin ai pati përplasje në mbledhjen e kryesisë pak ditë më parë.

Salianji e ka një paralajmërim për Nokën, ndërsa bën të qartë se nuk do mjaftohet me reagime publike ndaj “disa rrogëtarëve që kanë frikën e humbjes së pushtetit e të pazareve”, por se do të flasë konkretisht për lidhjet e tyre: “Do shkoj në vendngjarjet e krimit, korrupsionit dhe bashkëpunëtorëve të tyre në pazare!”

Ai e pati një përgjigje direkte dhe për Berishën të cilit i kujtoi zgjedhjen e sponsorizuar si deputet, të prokurorit Arjan Ndoja.

“Unë nuk kam emëruar, as komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to, nën breshërinë e plumbave me kriminelë ndër më të rrezikshmit! Kjo është vijë e kuqe dhe dëmtim i kartës morale të opozitës!”, shkruajti Salianji.

Ish deputeti i cili ka ndërmarrë një tur në bazën e partisë, vë gishtin mbi palgët e kësaj force politike duke përmendur “humbjet e njëpasnjëshme, mosmbajtjen e fjalës, degradimin e debatit në akuza të pavërteta, promovimin e humbësve serialë, cimentimin në karrige e pushtet pa mbështetje, atrofizimin e partisë, pafuqinë për të rrëzuar një qeveri të kalbur nga korrupsioni në çdo hallkë, pafuqinë për të nxjerrë qytetarët në protesta dhe pamundësinë për ta bërë Partinë Demokratike fituese”.

Postimi i plotë i Ervin Salianjit:

E vetmja mënyrë që Edi Rama gjeti për të më ndalur nga përballja me ta në zgjedhje ishin akuzat e fabrikuara, në betejën time kundër një prej grupeve mafioze më të fuqishme në vend.  Sepse në garë dhe me garë unë i mund!  Këtë e kam treguar në Korçë, në Kavajë, në parti dhe kudo: forca ime e vetme janë, personaliteti, vullneti im dhe mbështetja e njerëzve.

Në Elbasan ishte e gjithë struktura vitale e Partisë Demokratike. Akuzat imagjinare, siç ndodh rëndom me armiqtë imagjinarë të qëmotit, se unë paskam takuar ata që i kam denoncuar prej vitesh, duke filluar nga Suel Çela, janë një dëshmi e mjerimit politik. Veçanërisht kur dihet se shumëkush tjetër e ka pasur në krah dhe e ka përdorur për interesa të veta.

Por ç’rëndësi ka kjo. Në kushte të një demokracie dhe jo autokracie do shkoja në gjykatë të përballja çdo shpifës. Por në kushtet e një përballje për shkak se dua që Partia Demokratike të jetë fituese dhe disa rrogëtarë kanë frikën e humbjes së pushtetit e të pazareve po reagoj publikisht një herë, e më pas siç kam bërë çdo herë, do shkoj në vendngjarjet e krimit, korrupsionit dhe bashkëpunëtorëve të tyre në pazare!

Shoqëria dhe demokratët po e bërtasin me të madhe se kanë nevojë të dëgjojnë zgjidhje reale:

– për humbjet e njëpasnjëshme,

– për mosmbajtjen e fjalës,

– për degradimin e debatit në akuza të pavërteta,

– për promovimin e humbësve serialë,

– për cimentimin në karrige e pushtet pa mbështetje,

– për atrofizimin e partisë,

– për pafuqinë për të rrëzuar një qeveri të kalbur nga korrupsioni në çdo hallkë,

- për pafuqinë për të nxjerrë qytetarët në protesta

– për pamundësinë për ta bërë Partinë Demokratike fituese.

Në vend të kesaj drejtuesit që duhet të japin lllogari, kërkojnë llogari dhe përbaltin demokratët!

Sa më përket mua, unë nuk kam emëruar, as komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to, nën breshërinë e plumbave me kriminelë ndër më të rrezikshmit! Kjo është vijë e kuqe dhe dëmtim i kartës morale të opozitës!

Kam vazhduar dhe do të vazhdoj në rrugën e duhur: takimet me demokratët, ballë për ballë, me lirinë time dhe të vërtetën, pa ndalim. Demokratët dhe populli opozitar meritojnë rotacion.