Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka ndarë një video përmes së cilës tregon dy standardet e Sali Berishës. Në një deklaratë të hershme të tij, Sali Berisha shprehej se kush mbron zgjedhjet me një kandidat do të mbulohet nga turpi i historisë. Deklaratë të cilën Salianji ka zgjedhur ta ironizojë me një tjetër qëndrim të Berishës sot kur është i vetëm në garën e 23 majit dhe thotë se PD ka garën më të ndershme dhe më demokratike.
Krahas videos, Salianji shkruan se demokracia nuk është dekor dhe nuk mund të përdoret vetëm kur i leverdis i Berishës. Ish-deputeti i thotë Berishës se ka frikë të përballet në garë dhe se kush i shmanget asaj kërkon nënshtrim dhe ruajtje të interesit personal.
“Kam qenë dakord me Sali Berishën kur pak kohë më parë deklaronte: “Turpi i historisë i mbuloftë ata që mbrojnë zgjedhjet me një kandidat!” Turpi mbuloftë cilindo që, për arsye pragmatike, privilegjesh apo përfitimesh personale, konformohet dhe pranon të përdhosë dinjitetin e vet dhe demokracinë, duke iu bërë barrë shoqërisë.
Demokracia nuk është dekor për t’u përdorur vetëm kur të leverdis. Ajo matet pikërisht në momentin kur duhet të pranosh garën, mendimin ndryshe dhe vullnetin e lirë. Kush i shmanget garës dhe kërkon unanimitet të imponuar, nuk kërkon demokraci, por nënshtrim, nuk kërkon rotacion por ruajtje te interesit personal!
Për herë të parë në historinë politike të PDSh Sali Berisha ka frikë të përballet në garë, me garë e mundim”, shkruan Salianji.
Vetëm një ditë më parë, Kryesia e PD vulosi përjashtimin e salianjit nga gara për kreun e PD, me argumentin se nuk është anëtar i partisë.
Komente











