Avokati Spartak Ngjela ka deklaruar se partitë e vogla në Shqipëri janë ‘të shuara’ dhe nuk kanë asnjë perspektivë për të ardhmen.

Komentet Ngjela i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, ku tha se në të gjitha vendet e Europës Perëndimore ka vetëm 2 forca politike të mëdha, një të majtë dhe një të djathtë.

“Forcat politike të reja janë të shuara. Partitë dalin me pak që të bëhen të mëdha. Në demokraci shteti modern është me 2 parti. Të gjitha vendet e Europës Perëndimore që janë përpjekur të bëjnë të tretën, nuk e kanë realizuar”, tha mes të tjerash Ngjela.

Lidhur me zgjedhjet në PD në 23 maj, Ngjela tha se askush nuk kandidon përballë kryedemokratit Sali Berisha, pasi sipas tij, e dinë që nuk do të fitojë.

Kjo pasi sipas avokat Ngjelës, Sali Berisha është ‘pronari’ i Partisë Demokratike. Ngjela shtoi se Berisha e di që nuk fiton dot zgjedhjet përballë PS-së, pasi është non grata nga SHBA. E gjithë beteja e Berishës, sipas Ngjelës bëhet për interesat e tij personale.

"Nuk i ka ndaluar kandidaturat. Nuk e ndalon dot se nuk e lejon statuti. Por ata nuk e hedhin sepse nuk rrëzohet Saliu. Ata e dinë që ai është atje pronari i saj. Është autori kryesor i asaj partie. Problemi flitet jo ç’fiton Saliu, por çfarë fiton partia.

Nëse Saliu do kishte dhënë dorëheqjen dhe ata do zgjidhnin një person elokuent që njihet nga BE dhe SHBA si forcë e një politikani të aftë, rrëzohej PS. Saliu nuk e rrëzon dot PS se është non grata në SHBA. S’ka perspektivë për të qenë kryeministër i Shqipërisë. Ai luan për interesin e tij, puna e tij, ne nuk mund t’i ndërhyjmë”, shtoi më tej Ngjela.