Sërish një tjetër sulm masiv drejt Kievit që konfirmon përhskallëzimin e veprimeve ushtarake të javës së fundit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Gjatë natës ndaj Kievit dhe rajonit përreth, të paktën 20 persona humbën jetën. Gati 60 të tjerë, mes tyre 5 fëmijë, mbetën të plagosur.

Rreth 30 ndërtesa banimi në Kiev pësuan dëme të rënda. Në lagjen Podilskyi, një sulm me raketë shkatërroi pjesërisht hyrjen e një pallati. Fatkeqësisht, 5 persona humbën jetën dhe mbi 30 të tjerë u plagosën. Në lagjen Darnytskyi, një raketë goditi oborrin mes ndërtesave të banimit. Aty humbën jetën 6 banorë.

Natën e kaluar, mbrojtja ajrore ukrainase nuk arriti të rrëzonte asnjërën nga 29 raketat që udhëtonin me trajektore balistike, çka dëshmon mungesën e raketave për sistemet Patriot, të vetmet që mund të interceptojnë raketat balistike. Kështu deklaroi, sipas Ukrainska Pravda, koloneli Yuriy Ignat, zëdhënës i Forcave Ajrore të Ukrainës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje aleatëve të marrin "vendime të vendosura" në Samitin e NATO-s në Ankara, pas bombardimeve.

"Është thelbësore që bota para së gjithash SHBA dhe partnerët tanë evropianë të dalin nga Samiti i NATO-s në Ankara me vendime të forta në mbështetje të mbrojtjes sonë ajrore", shkroi Zelensky në Facebook.

Thirrjes së tij iu bashkua edhe presidentja e komisionit europian Ursula von der Leyen e cila tha se Ukraina ka nevojë për më shumë mbrojtje ajrore.

Çështja sipas saj do të diskutohet këtë javë në Ankara gjatë Samitit të NATO-s.

Ndërkohë, qyteti i Sevastopolit mbeti pa energji elektrike pas një sulmi ukrainas ndaj infrastrukturës energjetike. Lajmi u bë i ditur nga guvernatori i qytetit.

Po ashtu, një dron ukrainas shpërtheu pranë një ndërtese tregtare në qendrën e banuar të Rakitnoye, në rajonin rus të Belgorodit, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve.