Sandër Lleshaj: Motrat e Nënë Terezës nuk e përdorin lavatriçen

Sandër Lleshaj: Motrat e Nënë Terezës nuk e përdorin lavatriçen

Ato i lajnë me dorë rrobat e atyre fatkeqëve të braktisur, të cilëve iu shërbejnë me një dashuri tronditëse. E mësova këtë gjë sot, teksa bëra një vizitë tek shtëpia e tyre në Rrugën "Kajo Karafili", 42, në Tiranë. Shtëpia është në qendër të Tiranës, por krejt larg asaj; një shtëpi ku bëhen bashkë si askund tjetër dhimbja dhe dashuria njerzore, varfëria materiale dhe pasuria shpirtërore, braktisja e totale dhe dedikimi i pakufi.

Janë rreth 18 burra të moshuar, kryesisht me probleme të shëndetit mendor, të rrënuar fizikisht e të braktisur nga familjet, që kanë gjetur strehë aty tek Motrat e Nënë Terezës. Këtu janë shtatë motra që u shërbejnë 18 të sëmurëve.

E pyes eproren e tyre, motër Lazaret, se kush i kryen shërbimet.

Ne, më thotë ajo krejt thjesht.

Ngulmoj për të kuptuar më shumë dhe e pyes se kush i lan rrobat e të sëmurëve.

Ne, vijon ajo, madje vetëm me dorë.

Vetëm me dorë? Po si? Përse me dorë?

Po ja, më thotë, është porosi e Nënë Terezës. Është më mirë kështu. Ne lajmë dhe lutemi njëkohësisht.

Po shtëpinë si e financoni? e pyes më tej.

Me donacione, vijon motër Lazaret.

Nga Shqipëria?

Të them të drejtën jo, është përgjigja e saj. Kryesisht nga shtëpitë tona nëpër botë.

Më duket se ajo ndihet edhe më keq se unë kur e thotë këtë fakt. E kuptoj. Nga Shqipëria janë vetëm të sëmurët e braktisur. Ata janë në katin e epërm të shtëpisë. Të mbledhur në sallën e madhe të përbashkët, ku po kalojnë pasditen. Disa rrijnë, dikush dëgjon muzikë ndërsa disa të tjerë ushtrohen për të mësuar të ecin përsëri. Po! Përpiqen të mësojnë të ecin me ndihmën e motrave dhe të disa karrocave të vogla. Duket se këtu kanë gjetur paqe. Prej dashurisë njerzore të paskaj që përjetojnë në këtë shtëpi të thjeshtë të Nënë Terezës.

Po si kanë mbërritur tek ju? e pyes motër Lazaret.

Në rrugë të ndryshme, por në përgjithësi nga spitalet. Kur askush nuk interesohet për to, na thërrasin ne. Dhe ne përpiqemi të bëjmë aq sa mundemi, thotë motra.

Teksa jemi ulur poshtë në kthinën e katit përdhes të shtëpisë, e pyes motër Lazaret për rutinën e ditës së tyre në shtëpi.

Ajo është në Tiranë që nga viti 1991, kur ka mbërritur nga India së bashku me Nënë Terezën. Dhe që nga ajo kohë, jeta e saj dhe e motrave të tjera ndjek një ritëm të pandryshuar. Zgjimi është rreth orës 04:30 të mëngjesit. Dita e tyre e gjatë është vetëm lutje. Ato luten edhe në intervalet mes lutjeve, kur duhet të punojnë. Ato luten edhe kur lajnë me dorë rrobat e këtyre fatkeqëve të braktisur, të cilëve u falin shërbim, dashuri dhe dinjitet njerzor, që për fat të keq as familja dhe as shoqëria jonë nuk ka mundur t’ua japë.

Kur bëhëm gati të ngrihem, motër Lazaret më jep një kartë të vockël, në një anë të së cilës është një portret i Nënë Terezës, ndërsa në anën tjetër është një citat i saj.

"Sa më pak që të kemi, më shumë mund të japim.

Sa më shumë të kemi, më pak mund të japim.“

Po e mbyll këtu. Fjalët e tjera, pas këtyre të Nënë Terezës, më duken të pa nevojshme.

P.S. Shtëpia e Motrave të Nënë Terezës është në Rrugën "Kajo Karafili“, 42, mbrapa Nunciaturës Apostolike në Tiranë. Nëse doni t’i ndihmoni, shkoni aty. Mos prisni t’i shihni në media.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Juristi: 04/05/2022 09:17

    Kur u bë dhe Sandra mafishja ! Si nuk e tregoni këtë zemër mirësi kur jeni në pushtet. Sapo zbrisni nga kali , doni të tregoni që jeni njerëzor. Nuk ishte ky ministër kur policia që rahu gazetarë, vrau të pafajshëm pas krahëve. Ju për atë karrige ku nuk e fusni gjuhën. Prandaj ju trajton si nevoje lideri global, ju njeh mirë. Bën mirë ti lutesh zotit se ke shume mëkate.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë