Aleksandër Bardhi nuk ndërroi jetën në vend, por në shtëpi, pasi u qëllua me armë zjarri në këmbë mëngjesin e ditës së diel në fshatin Shëndëlli në Sarandë.
 
Burime nga organi i akuzës që po hetohen çështjen e vrasjes së vëllait të ish-kreut të Komunës Kaçinar, pohojnë për Shqiptarja.com se Aleksandër Bardhi është qëlluar me një plumb në kofshë.
 
47-vjeçari ka mundur që të shkojë vetë deri në shtëpi, pavarësisht plagës, por rrugës për në spital gjatë transportit nga familja ka ndërruar jetë.
 
Edhe autorët e arrestuar nga policia Fernando Deda 29-vjeç dhe Gj. A. 15-vjeç duket se kanë pasur si qëllim që ta trembnin Bardhin dhe jo ta vrisnin, pasi e qëlluan në këmbë.
 
Prokuroria vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa në pyetje janë marrë dëshmitarët dhe familja.
 
Aktualisht po hetohet në dy pista; Grabitja, por edhe konfliktet për çështje droge.
 
Dy të arrestuarit Fernando Deda 29-vjeç dhe Gj. A. 15-vjeç pritet që të dalin sot para gjykatës për t'u njohur me masën e sigurisë.
 
Prokurori i çështjes pritet që të kërkojë masën arrest me burg për dy të arrestuarit për akuzën e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.
 
Aleksandër Bardhi është vëllai i ish-kryetari të Komunës Kaçinar, Petrit Bardhi, i cili njihet person me precedent penal, pasi është arrestuar dy herë nga policia, për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje.
 
 

dy.b/shqiptarja.com