Gjykata e Posaçme ka vendosur ta rikthejë edhe një herë në SPAK dosjen për abuzimet me fondet e agjencisë SASPAC, ku i pandehur është ish kreu i agjencisë Ilir Beqaj, së bashku me 8 persona të tjerë. Gjyqtarja e seancës paraprake Elsa Ulliri i dha 3 muaj kohë prokurorisë të plotësonte hetimet duke caktuar datën 30 tetor për seancën, ku do të vendosë nëse do ta kalojë apo jo për gjykim këtë dosje.  

***
Pas më shumë se 1 viti seancash paraprake, Gjykata e Posaçme vendosi këtë të hënë të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë për kalimin për gjykim të dosjes SASPAC.

Gjyqtarja Elsa Ulliri ia riktheu SPAK-ut për plotësim hetimesh, dosjen ndaj ish drejtorit të agjencisë SASPAC, Ilir Beqaj, si dhe ndaj të gjithë të akuzuarve të tjerë. Për këtë dosje, të vetmit që mbahen në “arrest me burg” janë Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj.

Prokurorja Elida Kaçkini ka tashmw afat deri më 30 tetor për të plotësuar hetimet e munguara. Gjatë seancave paraprake të pandehurit i kanë mohuar akuzuat dhe kanë kërkuar pushimin e çështjes, ose alternativë gjykim të shkurtuar.  

Ish-ministri Beqja u arrestua me 4 korrik të 2024-s. Ndaj ish-ministrit rëndojnë 6 akuza, teksa SPAK ka kryer edhe sekuestrime pasurish. Sipas SPAK Ilir Beqaj si drejtues, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.

Më 2 prill 2025 Prokuroria e Posaçme njoftoi se kishte përfunduar hetimet ndaj ish-ministrit Ilir Beqja dhe 8 personave të tjerë të pandehur, ndërsa  prej me shume se një viti dosja e tij ndodhej ne seancë paraprake

6 AKUZAT NDAJ BEQAJT
1. Korrupsion pasiv                      
2. Shkelje në tendera                    
3. Falsifikim dokumentesh           
4. Mashtrim me pasoja                
5. Mashtrim në bashkëpunim      
6.Fshehje pasurie                         
 TË AKUZUARIT E TJERË
Gazmend Haxhia          Mashtrim me pasoja, falsifikim dokumentesh
Ermal Kurtulaj              Korrupsion pasiv, shkelje në tendera, Falsifikim dokumentesh, mashtrim me pasoja, Mashtrim në bashkëpunim
Alfred Nikolla                Mashtrim me pasoja, falsifikim dokumentesh  dhe korrupsion aktiv
Elton Marini                  Mashtrim, falsifikim dokumentesh
Bjona Ziaj                               Mashtrim, falsifikim dokumentesh
Bledar Leka                            Mashtrim, falsifikim dokumentesh
Marinela Jazoj                        Korrupsion aktiv
Mira Topçiu                            Falsifikim dokumentesh
Kompanitë
“Landëays International” Mashtrim me pasoja, falsifikim dokumentesh  dhe korrupsion aktiv
“Nine Service Int” sh.p.k – Mashtrim, falsifikim dokumentesh

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.