Pas 16 orësh diskutimesh, ku nuk munguan edhe përplasjet e forta, deputetët miratuan në parim Projektbuxhetin e vitit 2026-të dhe paketën fiskale. Projektbuxheti 8.8 mld euro dhe 8 projektligjet e Paketës Fiskale u miratua vetëm me 83 votat e mazhorancës, ndërsa 32 deputetë të opozitës e votuan kundër.

Ekrani i votimit në Kuvend tregoi se dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj nuk votuan 3 projektligje të paketës fiskale. Konkretisht, shfaqej që Braçe nuk mori pjesë në votim tek projektligji “Për sistemin e taksave vendore”, por i kontaktuar nga Report TV, ai ka bërë me dije se ka marrë pjesë në votim. Ndërkohë deputeti Sinaj nuk votoi 2 projektligjet e paqes fiskale.

Opozita e paralajmëroi qëndrimin e saj për buxhetin që në nisje të seancës, kur kryeministrin Rama, rrallë të pranishëm në parlament e pritën me një protestë të pazakontë, duke i kthyer kurrizin. Debatet politike i lanë vendin prezantimit të projekt-buxhetit nga Ministri i Financave. Ndërsa të gjithë ministrat me radhë prezantuan buxhetet sektoriale.

Seanca nisi në orën 10 paraditen e 19 nëntorit dhe u mbyll në orën 2:40 të mëngjesit tjetër. Diskutimet për projektbuxhetin dhe Paketën fiskale tashmë rikthehen në komisione parlamentare, për t’i miratuar nen për nen dhe në tërësi. Më 11 dhjetor është parashikuar edhe votimi në seancë plenare. 8.8 miliardë eurot e parashikuara në buxhet do të jenë në dispozicion të institucioneve për shërbime shëndetësore, paga, skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për sigurinë, në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s.

Si u votua në Kuvend?
Votimi: 83 vota pro, 31 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Votimi: 83 pro, 32 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”
Votimi: 83 pro, 32 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”
Votimi: 82 pro, 32 kundër (Braçe nuk voton)
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar
Votimi: 83 vota pro, 32 kundër
Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar
Votimi: 82 pro, 32 kundër (Sinaj nuk voton)
Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”
Votimi: 83 pro, 31 kundër
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”
Votimi: 82 vota pro, 30 kundër (Sinaj nuk voton)
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”
Votimi: 83 pro, 32 kundër
Projektligji “Për buxhetin e vitit 2026”

Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”, parashikon faljen e rreth 500 milionë euro detyrime e gjoba që bizneset i kanë të papaguara deri në 31 dhjetor 2014. Po ashtu, lehtësohen detyrimet e krijuara nga 2015-2024, por me kushte, pasi një pjesë e borxhit duhet paguar brenda 2026-ës.

“Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, propozon bërjen e një marrëveshje maksimumi 3-vjeçare me bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë, duke negociuar fitimin e tyre. Pra, mbi fitimin e deklaruar të një biznesi do të shtohet një marzh 18%, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%. Praktikisht, një biznes me fitim 15 milionë lekë, në vitin paraardhës, i shtohet një marzh prej 18% ose 2.7 milionë lekë, duke e çuar fitimin në 17.7 milionë lekë, që tatohet me 15%. Ndërsa çdo lekë mbi 17.7 milionëshin tatohet me 5%. Ky është favor për bizneset e mëdha, të cilët aktualisht për çdo fitim tatohen me 15%.

Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme" parashikon t’u japë mundësinë të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të përafrojnë vlerën e pronës së tyre me çmimet reale të tregut kundrejt një norme tatimore 5%.  Konkretisht nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai do të duhet të paguaj 15% tatimin për këtë diferencë prej 20 mijë eurosh qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me këtë ndryshim kur bëhet përafrimi i çmimit me vlerën e tregut tatimi zbret në 5%, dhe paguan 1000 euro.

Sa i përket ndryshimeve në ligjin aktual të TVSH, rikthehet kompensimi në bujqësi. Për çdo faturë që fermerët do të marrin nga grumbulluesit kur iu shesin produktin do të kompensohen me 10% të vlerës së saj, 

Projektligji për ndryshimin e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ul tavanin për pagesat cash mes bizneseve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, si dhe kufizon për herë të parë në 500 mijë lekë vlerën e pagesave që mund të bëjnë me para në dorë individët apo të vetëpunësuarit.

Projektligji “Për sistemin e taksave vendore” parashikon të përjashtojë të gjitha investimet të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Ndërsa dy nismat e tjera pjesë e ‘PAKETËS’, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, si dhe projektligji për të ndryshuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, parashikojnë një sërë lehtësish fiskale për sponsorizimet në sport si dhe në fushën e zhvillimit dhe kërkimit.