Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, të enjten, më 18 qershor, i qortoi homologët e tij nga 31 vendet e tjera të NATO-s, duke shkaktuar habi dhe irritim.
Hegseth kërkoi që gazetarët të mund të ndiqnin performancën e tij, sepse pikërisht për këtë bëhej fjalë. Jo për një fjalim të përqendruar te rendi i ditës, por për një tiradë të gjatë dhe herë pas here të paqartë, në stilin tipik trumpian.
Sekretari amerikan njoftoi një “rishikim” të thellë të dislokimit ushtarak amerikan në Europë. Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, Pentagoni do të vendosë sa ushtarë, sa avionë luftarakë, sa anije (dhe ndoshta edhe një aeroplanmbajtëse) do të tërhiqen nga hapësira që shtrihet nga Baltiku deri në Mesdhe.
Përveç kësaj, ai akuzoi qeveritë europiane se janë “të dobëta” përballë emigracionit dhe u ndal edhe te tema të tjera, si çështjet gjinore, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me axhendën e mbledhjes.
Hegseth nuk i kishte treguar askujt për qëllimet e tij. As Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili, dukshëm i befasuar, u përpoq më pas të zbusë tronditjen përpara gazetarëve.
Por, ajo që ishte edhe më e pazakontë, numri një i Pentagonit nuk kishte njoftuar as Komandantin Suprem të Forcave Aleate në Europë, të ashtuquajturin “SACEUR”. Ky është një post që, që prej krijimit të Aleancës Atlantike, është mbajtur gjithmonë nga një amerikan. Aktualisht, “SACEUR” është gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alex Grynkewich.
Në fund të takimit ministror, gjenerali dukej i hutuar dhe i irrituar, aq sa bëri një xhiro të shkurtër mes përfaqësuesve politikë të vendeve të tjera, pothuajse për të kërkuar ndjesë për ashpërsinë e Hegseth.
Natyrisht, Grynkeëich ndan strategjinë bazë të Pentagonit: europianët do të duhet të merren me forcat konvencionale, nga tanket te dronët, ndërsa amerikanët do të vazhdojnë të garantojnë mburojën bërthamore, si dhe inteligjencën dhe efikasitetin logjistik.
Por ky është një proces që duhet menaxhuar gradualisht dhe duke marrë parasysh vështirësitë, përfshirë ato politike, të vendeve të ndryshme. Dhe Italia është një prej tyre.
Grynkeëich kishte muaj që po punonte për këtë, së bashku me drejtuesit ushtarakë të vendeve anëtare. Goditja e Hegseth është një tjetër konfirmim se vendimet merren brenda një rrethi shumë të ngushtë të administratës amerikane. Uashingtoni nuk konsultohet me askënd, madje as me oficerin më të lartë në gradë, i cili me shumë gjasa njeh më mirë se kushdo tjetër dinamikat ushtarake brenda NATO-s./Corriere della Sera
Komente




