Sekretet e jetës studentore të
Dritëro Agollit në Rusi

Sekretet e jetës studentore të <br />Dritëro Agollit në Rusi
Libri i Marash Hajatit “Dritëro, kohës i falemi për këtë ditar”, zbulon anë të panjohura të jetës studentore të shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli, ku ai ishte student në Rusi në vitet ‘50. Në të vërtetë siç duket nga fotografitë dhe kujtimet, Hajati dhe Agolli kanë qenë dy nga studentët më çapkënë të grupit të studentëve shqiptarë që studionin në Universitetin e Shën Peterburgut, që është krijuar në vitin 1918.

Siç thotë Marashi, aty kishte 13 fakultete dhe 60 profile studimesh. Me Dritëro Agollin ata studionin në fakultetin e Filologjisë dhe gjuhëve të huaja, ku përgatiteshin mësues, pedagogë studiues dhe gazetarë. Prapësitë rinore, shakatë, rëngat që iu bënin shokëve, historitë sesi bënin tregti me palltot dhe kapelat ruse që të mbroheshin nga të ftohtit, lidhjet me vajzat ruse, “për të mësuar gjuhën”, si dhe ngjarje të tjera nga rinia e shkrimtarit të njohur e kanë mbushur këtë libër me përjetime rinore. “Ne Dritëro për herë të parë jemi takuar, kemi rrokur duart e parë sy më sy njëri-tjetrin aty nga fundi i gushtit, fillimi i shtatorit 1952. Ishim katër gjimnazistë, maturantë të atij viti, siç e kam përmendur edhe njëherë që u takuam në Tiranë. Ti, Unë Fadil Kokomani nga Durrësi, Vangjel Lesho nga Lushnja. I pesti që u bashkua me grupin tonë e që do të ndiqnim studimet për gazetari, ishte Janaq Gjeçi. Në atë kohë ishte korrespodent në “Zërin e Popullit”. Vinte më i rritur dhe kishim kujdestar Grupi”.

Hajati shkruan se edhe pse njëri vinte nga Gjirokastra (ku Agolli mbaroi maturën) e tjetri nga Shkodra, ata u lidhën ngushtë duke folur njëri për Naimin e Çajupin e tjetri për Migjenin dhe Mjedën. Por siç del në këtë libër, miqësia ishte edhe nga ngjashmëria e karakterit. Të dy djmetë ishin mjaft hokatarë, “si vëllezër siamazë”, thotë Hajati, duke treguar një foto ku duken vërtetë si binjakë. Hajati e konsideron mikun e tij të rinisë, shkrimtarin Dritëro Agolli si bashkudhëtar në shtigje vitesh e mendimesh. Tani që të dy janë rënduar nga shëndeti, dhe ndjejnë mbi supe lodhjen e jetës, përmes këtij libri freskojnë kujtimet më gazmore nga jeta e bukur e rinisë.

Sjellja e Dritëro Agollit si student është një anë ende e panjohur e karakterit të tij. “Atje në Universitetin e largët të Peterburgut të monumenteve të historisë e të qytetarisë tradicionale, vumë edhe ne pak gjurmë. Vumë gjurmët tona ne të ardhurit studentë nga Shqipëria, nga Kina e Gjermania, nga Korea e Veriut e asaj kohe, nga Polonia, Çekosllovakia e Bullgaria, nga Rumania dhe Hungaria dhe bashkë me rusët formuan grupin studentor të kursit dhe të auditorëve”, kujton Hajati, duke spikatur edhe nostalgjinë për shkollën që nxori një plejad njerëzish të shquar edhe në vendet e shpërmendura. Megjithatë kujtimet plotësojnë një profil të panjohur të shkrimtarit Dritëro Agolli.

Acari rus, kontrabanda e kapeleve me gëzof

Për të rinjtë shqiptarë që kapërcenin për herë të parë kufijtë e vendit të tyre, nuk ishte e lehtë të përshtateshin as me dimrin e acartë rus, as me mentalitetin ndryshe nga ai shqiptar. Marash Hajati ka fiksuar detajet e nisjes së të dyve në Rusi, në 10 shtatorin e 1952-shit. Ndërsa një ditë më parë, më 9 shtator, ajo që i lidhi dy miqtë e përjetshëm ishte vizita që bëri Hajati në fshatin e Dritëroit, në Menkulas. Mikpritja nënë Hatixhes dhe babait të Dritëroit, xha Rizait ishte e jashtëzakonshme.

Edhe pse i biri shkonte të shkollohej, xha Rizai e quante ikjen e djemve, kurbet. Kështu që hejbet me ushqime e gatime nga shtëpia e Driëtorit do t’i shoqëronin në udhëtimin ende misterioz të 10 shtatorit për të kapërcyer detet, derisa të mbërrinin në Peterburg. “Atë ditë më 10 shtator i kemi hipur “në qafë” Adriatikut e jemi nisur nga Durrësi për të përshkruar shtatë ditë deri në Odesën e largët të Rusisë. Vaporin komod “Bjello Ostrov” ne studentët udhëtarët e zhurmshëm e pushtuam që në orët e para të pasdites. Hajati kujton se në atë anije bashkë me studentët e vjetër që kishin ardhur për pushime dhe të rinjtë bëheshin rreth 100 studentë që shkonin të studionin në Rusi. Gjithë ata specialistë të ishin brezi i ri i intelektualëve të vendit.

Në atë anije Hajati tregon se ishin: poeti i talentuar Drago Siliqi, artistët Ibrahim Tukiqi e Avni Mula, Gjoni Athanas, Rozmari Jorganxhi që këndonte në anije këngë ruse. Dhe kjo anije duke shkelur port më port i ccon ata drejt një jete të re. Nisin kontaket e para rinore në dhomat e studentëve, me njohjet, takimet, adresat e vajzave ruse që luteshin t’i telefononin dhe ndjenjat shpirtërore e intime, ku Marash Hajati shkruan se “jetohej edhe frika e mos-ndarjes, e mos-humbjeve të lidhjeve, e mos-vonesës, jetohej koha e një fjale të ëmbël, e një fjalori poetik në të komunikuar. Ishte si të shkruash vargje, “shumë pak ti u vonove, por për mua qe një vit”. Sot, ehu!!! sot ka ndryshuar jeta realiteti, bota teknologjike”. Pra në libër ka nostalgji që ka lidhje me dashurinë e kohës së tyre. Çdo gjë ishte e bukur për Hajatin dhe Dritëronë, por dimri rus me temperaturat nën 20 gradë, nuk sfidohej lehtë. “ka qenë një kohë një kontratë e pashkruar më mes të studentëve ët rinj dhe atyre që kryenin studimet e ktheheshin në Shqipëri. Marrëveshja konsistonte në një besim xhentëlmenësh, ku studenti që largohej i shiste studentit të ri, kuptueshëm me çmim të arsyeshëm pallton e madhe të rëndë të dimrit, që po ta blije të re do të shpenzoje tre-katër herë më shumë. Të kuptohemi, ajo pallto me gëzof të gjerë, jashtë si gunë e për astarë kishte një vatë si jorgan, ishte tepër e domosdoshme për dimrin e acartë dhe të lagësht të Peterburgut, ku temperaturat shpesh për 5-6 muaj me radhë binin minus 20 gradë. Marrëveshjet përfundonin për të gjithë njëlloj, në fillim studenti i ri do t’i jepet pronarit, studentit të vjetër gjysmën e çmimit, pjesën e dytë do ta lëvronte në qershor, fundi i vitit…”

Hajati në libër ka botuar edhe fotot e të gjitha kapelave me gëzof që përdoreshin në atë kohë nga studentët. Ndërkohë, thekson këtu maninë e Dritëroit për kokoret me gëzof, ku edhe pse me këste dhe pa lekë në xhep ai i kishte ato koleksion. Peçi gjirokastriti që shiste kapele nxehej se nuk kishte marrë kestet e kapelës se tij, dhe ishte ai që i shkonte mendja të numëronte kapelet e Dritëroit. Sigurisht që grindje të kësaj natyre studentët i kalonin me tepër me humor e dashamirësi...

Të dashurat ruse mësonin gjuhën. Mikja e Dritëroit Vali
Një foto interesante në këtë libër është edhe ajo ku Dritëro Agolli ka dalë me mikeshën e tij të parë ruse, Valin. “I dua shumë shqiptarët!”, thoshte Vali, kur shoqërohej me ta. Vali, një vajzë e ëmbël dhe e dashur, nuk mungon në fotot e jetës studentore të Dritëro Agollit. Madje ka mjaft foto ku ka vetëm studentë meshkuj dhe si gjithmonë vijon diçitura, Dritëroi dhe Vali.

Në atë kohë Agolli ka pasur një pamje shumë tërheqëse. Duke parë fotot që i ka dhuruar Hajatit, siç ishte tradita e kohës në formën e kartëpostaleve, e shohim për herë të parë shkrimtarin në një moshë kaq të re.. edhe në grupin e studentëve ai dallon si një ndër djemtë më të bukur. Natyra gazmore e bënte edhe më tërheqës. Por duke ia dedikuar librin e kujtimeve si miku-mikut, Hajati edhe pse i anashkalon aventurat e dashurisë me vajzat ruse, nuk mohon se ato kanë ekzistuar. Në një rast autori i Librit “Dritëro, kohës i falemi për këtë ditar” tregon me humor se sa të vështirë e kishin shqiptarët të përvetësonin gjuhës ruse. Edhe pse kishin profesorë të talentuar, për ta ishte ende i vështirë përdorimi i shkronjave cirilike, sepse shqipja shkruhej me ato latime. Sikleti ishte i madh, dhe ata do të kujtoheshin se mësimi më i mirë i një gjuhe të huaj bëhet kur ka një motiv. Zgjidhja u gjet...të lidheshin me vajzat ruse.

E kush më mirë se dashuria mund t’u nxiste mësimin e gjuhës. Pasi përshkruan vështirësitë e metodave të mësimit dhe përpjekjet e profesorëve për ta bërë të thjeshtë mësimin, Hajati shkruan se: “Gjithçka që rrëfeva më lart ishte një rrugë shkencore me shumë përvojë në mësimin e gjuhës, por ajo biseda e gjallë, replika, humori, shqiptimi, nuancat i gjenin te jeta e gjallë, te gjuha e përditshme, te njerëzit. Studentët më të rritur që kishin ardhur dy-tre vjet para nesh, si Fuati, Peçi, Petriti, etj, na thoshin: “More, mos u bëni budallenj. Gjuha nuk mësohet vetëm nga librat. Turruni te shoqkat ruse e pastaj do ta merrni vesh si mësohet gjuha”. Nuk ishte ndonjë zbulim i madh ajo që na rekomanduan. Berqaversën, se ato këshilla i morëm si “justifikim” kur të na shikonin nesër në shoqërinë e Bukurosheve sovjetike...”.

2. Fati i Ninës, ish-gruas së Agollit dhe kush u ndau e kush jo gratë

Në faqen 129 të librit, Hajati në kapitullin “Sipari i një skene që nuk do të hapet kurrë”, kujton me nostalgji edhe Ninën, ish-gruan ruse të Dritëro Agollit. Duke sjell shkurt siç thotë ai “dramën më të gjerë e më të trishtueshme për pjesën dërrmuese të miqve dhe të shokëve, kolegëve që janë pjesë e personazheve të këtyre kujtimeve, thotë se “edhe njëqind libra të tjerë po të shkruhen nuk i zbardhin dot konturet shpirtërore dhe njerëzore, fatalitetin, dëshpërimin që pllakosi jetën e tyre me ngjarje, histori e të papritura që fati i mbërtheu në një skenë gjigante jetësore, sipari i së cilës nuk do të hapet kurrë”.

Atje brenda asaj skene të heshtur e si të padukshme ka qenë bota shpirtërore, zemra, emocionet, gëzimet intime, jeta private, kanë qenë njohjet, puthjet, dashuritë, fejesat, lulet dhe fustanet e bardha të martesave, të ripërtëritjes së jetës, trashëgimisë” Hajati i quan tërmete e cuname politike ato që ndodhën me prishjen me Moskën në vitet ’60, ku më së shumti shkatërroi jetën e grave, familjet. “te çdo e huaj, grua e martuar shikohej një i dyshuar, ndërseheshin thashethemet. Një pjesë e tyre dilnin informatore, spiune. Jeta u copëtua me akuza dhe intriga. Svjetllna iku…mori vajzën…u nda me bashkëshortin, ishte spiune. Dje u nisën nga aeroporti I Laprakës edhe Olja, Natasha, Marusja. Bashkëshortët i kthyen në punë me zbritje. Nazmiu, Agimi, Ferhati, ngaqë nuk pranuan të ndaheshin me gratë ruse i transferuan në Shkodër, Përmet, Tepelenë.

Për agjitacion dhe propagandë janë marrë në hetim dy gra nga Bullgaria të martuara këtu me shqiptarë. ….Fati i çdo njeri është një libër më vete, edhe i Pëllumbit, Sotirit, Nazmiut, edhe i yti dhe yni Dritëro. Nina, me të cilën u njohe në Universitet, u dashurove dhe u martove, një studente e gjuhëve të huaja kishte një botë serioziteti, pune dhe krijimtarie që merrej shembull. Kohët e fundit të studimeve u vendosët në një dhomë me komoditetin e kohës në konviktin e Universitetit. Nuk vonoi e erdhi edhe Ariani, biri juaj..”. Marash Hajati duke kujtuar Ninën, e vijon historinë duke përshkruar vajtjen e Dritëro Agollit në Shën Petërburg. E quan fisnikëri gjestin e shkrimtarit dhe i thotë “më së pari bashkove cepat e një kohë të ndarë më mes...”

Valixhja kineze, si na armiqësoi me Lili Baren

Përkthyesi i talentuar, i ndjeri Lili Bare, shfaqet në këtë libër në shoqërinë e Dritëro Agollit dhe Hajatit në një situatë shumë gazmore. Hajati kujtojnë studentët kinezë që kishin ca valixhe super të mëdhaja, ndryshe nga shumë studentë që vinin në Rusi. Studentë kinezë nuk iknin kurrë me pushime verore në atdhe gjatë pesë viteve të studimit dhe këtë e bënin “për të kursyer”. Ndaj ata mbanin valixhe voluminoze. Mëria me Lili Baren erdhi pas një çapkënllëku që kanë bërë dy studentët Agolli dhe Hajati.

U thanë shokëve se do të shtronin një darkë me të ngrëna dhe të pira dhe në valixhen kineze futën një shokë truphollë që peshonte 53 kg. Lili Bare u tregua i gatshëm të ndihmonte duke mbartur “ushqimet” mbi shpatulla, dhe pasi u këput me mes nga pesha e rëndë dhe pritej darka, del “fantazma” nga valixhja që i i bëri shumicën e studentëve të ikin me të katra. Bare nuk e kapërdiu dot këtë që i bënë, duke mbajtur mëri për një kohë të gjatë...

dritero agolli shen peterburg i ri
(Foto, Dritëro Agolli me Valin dhe Marash Hajati në Shën Peterburg më 1953)

ditero agolli shen peterburg i ri
(Foto, Dritëro Agolli  student në Shën Peterburg më 1951)

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi