"Sensor" nxjerr në dritë dobësitë e
rrugëve shqitpare, ja ç'masa duhen

TIRANE- Rreth 60 për qind e rrugëve në Shqipëri, kryesisht ato që lidhin vendin me fqinjët në një gjatësi prej 600 kilometrash, janë nën standardin mesatar të sigurisë rrugore, duke u klasifikuar nga një deri në dy yje maksimumi, nga 5 që është maksimalja.

Këto ishin rezultatet e projektit europian “Sensor” të EuroRap, që bën matjen e 40 parametrave të sigurisë rrugore në shtete europiane. Për rritjen e sigurisë rrugore në vend, qeveria ka miratuar para pak muajsh një paketë prej 60 masash, që fokusohen në përmirësimin e elementëve të ndryshëm. Projekti “Sensor” përfundon në shtator dhe rezultatet aktualisht janë paraprake. Skanimi i rrugëve është kryer me anë të kamerave. Ky është një projekt jo vetëm për Shqipërinë.
 
Aksidentet
Gjatë vitit 2013, numri i vdekjeve në rrugët shqiptare ishte 295 persona, pra 39 më pak se në vitin 2012. Krahasuar me vlerën mesatare për 2009-2012, numri i të vrarëve është ulur 15%. Në mënyrë që të arrihet objektivi i vënë nga vetë qeveria për vitin 2020, është e nevojshme një rënie vjetore prej 2,2 përqindësh e numrit të vdekjeve nga aksidentet rrugore.
 
Parku i mjeteve
Aktualisht në Shqipëri makinat e pasagjerëve përbëjnë rreth 78 për qind të inventarit të përgjithshëm të mjeteve rrugore. Autobusët përbëjnë vetëm 1,3 për qind, ndërsa motoçikletat llogariten 6 për qind dhe kamionët 3,7 për qind. Në vitin 2013 ishin të regjistruara 445.956 mjete rrugore.
 
Klasifikimi
Në Shqipëri llogariten rrugë kombëtare km 3.656, rrugë rurale km 13.644 dhe rrugë urbane km 1.000. Një pjesë e mirë rrjetit rrugor konsiderohet si e papërfunduar për standardet evropiane, pasi mungojnë mbrojta rrugore dhe sinjalizimi rrugor, si dhe plotësimi me elementët e tjerë të sigurisë rrugore, si vendkalime këmbësorësh, guardrails, delineatorë, shevronë etj.
Prandaj del detyrë imediate kompletimi i tyre me të gjitha elementet e sigurisë rrugore, si dhe ndërhyrja për përmirësimin e “pikave të zeza” në akset kombëtare.
 
Sinjalistika
Siguria dhe qarkullimi rrugor është ngushtësisht i lidhur me raportin që ka drejtuesi i mjetit me rrugën, si rrjedhim dhe me informacionin që ai merr nga ambjenti që e rrethon. Sinjalet rrugore (horizontale, vertikale dhe plotësuese) duhet të ofrojnë një lexueshmëri të mirë të gjurmës në të gjitha kushtet atmosferike dhe të shikueshmërisë (ditë, natë, lagështirë, thatësirë, mjergull) dhe të garantojnë informacion të plotë në drejtimin e automjetit. Një sinjalistikë e qartë dhe efikase është dhe elementi kyç për përmirësimin efektiv të sigurisë rrugore. Ajo karakterizohet nga forma, nga ngjyrat dhe nga simbolet, të gjitha karakteristika që duhet të ruajnë homogjenitetin e tyre si ditën dhe natën.

Një sinjalistikë e sigurtë mund të përcaktohet e tillë nqs u përgjigjet tre karakteristikave kryesore׃ Të jetë harmonike në pjesët e rrugës që do karakterizojë, të jetë bashkëkohore dhe të jetë homogjene.
 
Ndriçimi
Gjatë vitit 2013 rreth 27,6% e aksidenteve kanë ndodhur në kushtet e errësirës. Pavarësisht se kilometrat e përshkruara natën janë shumë më pak se ato të përshkruara ditën, aksidentet e ndodhura natën krahasuar me ato që ndodhin gjatë orëve të ditës, janë përgjithësisht më të rënda, referuar vdekjeve dhe plagosjeve. Shkaku kryesor qëndron në faktin që errësira e zvogëlon cilësinë dhe sasinë e informacioneve vizive që i duhen drejtuesit të mjetit për një drejtim korrekt të mjetit. Reduktohet në fakt aftësia pamore, ndjeshmëria ndaj kontrastit, aftësia për të vlerësuar distancat e automjeteve, shpejtësia e perceptimit, dallimi i ngjyrave dhe toleranca ndaj dritave verbuese.

Rezultati final është një reduktim drastik i shikueshmërisë gjatë natës. Fenerët e automjeteve nuk mjaftojnë për t’i ofruar drejtuesit të mjetit informacione me siguri dhe efikasitet, sidomos kur rrugët janë shumë të trafikuara ose karakterizohen nga një gjeometri komplekse, me prezencë të kryqëzimeve dhe ndërhyrjeve.
Është konfirmuar nga studime të shumta, të drejtuar nga vende të ndryshme mbi raportin midis ndriçimit dhe aksidenteve, sipas të cilave ndriçimi sjell në përgjithësi një reduktim të numrit të aksidenteve gjatë natës, përfshirë 13% deri në 75% sipas llojit të rrugës. Studime të tilla, përveç të tjerave, evidentojnë një zvogëlim mesatar të aksidenteve në kryqëzime jo më pak se 40%.
 
Lagështira
Mbledhja dhe largimi i ujrave, si rezultat i ndryshimeve të motit (shirave) nga sipërfaqet rrugore nqs nuk përballohen në mënyrë korrekte, çon në zvogëlimin e niveleve të sigurisë së ofruar nga infrastruktura rrugore. Mbledhja e ujrave dhe largimi i tyre i ngadaltë shkakton pengesa në trafikun rrugor dhe reduktimin e kushteve të fërkimit.

Ky i fundit shkakton fenomenin e rrezikshëm të quajtur “aquaplaning” të përfaqësuar nga një humbje progresive e kontaktit midis gomës dhe dyshemesë së rrugës, shkaktuar nga një shtresë lëngu midis dy sipërfaqeve.
Nga statistikat mbi aksidentet rrugore në vitin 2013, rreth 15,6% e aksidenteve bëhen në rrugë me sfond të lagur.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)  

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Panik gjatë uljes së avionit në Kanada, merr flakë njëri nga krahët (VIDEO)

Panik gjatë uljes së avionit në Kanada, merr flakë njëri nga krahët (VIDEO)