Sequi: Cilësia e zgjedhjeve, test
kritik për Shqipërinë drejt BE-së

Sequi: Cilësia e zgjedhjeve, test <br />kritik për Shqipërinë drejt BE-së
TIRANE - Cilësia e mirë e zgjedhjeve do të jenë një test kritik për të ardhmen e Shqipërisë veçanërisht për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian (BE). Kështu ka deklaruar ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Ettore Sequi, menjëherë pas takimit me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Lleshi si dhe zëvendëkryetarin KQZ Denar Biba.

Në një prononcim për mediat ambasadori tha se vëmendja nuk duhet të jetë vetëm për ditën e zgjedhjeve por për të gjithë procesin përgatitor të tyre.

“Duhet të kemi një përgatitje të zgjedhjeve, gjithmonë në kohën e duhur. Kam shprehur nevojën për të pasur konsensus në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe detyrën që ka KQZ dhe anëtarët e saj”, -u shpreh ambasadori Sequi.

Në lidhje me takimin e zhvilluar me kryetaren dhe zv.kryetarin e KQZ, Sequi tha: “U ndjeva mjaft i inkurajuar nga biseda që bëmë të gjithë bashkë, pasi vura re që kishte një vetëdije për të ecur përpara për një proces të mirë të zgjedhjeve.”

“PROKURORI I PERGJITHSHEM, PROCES TRANSPARENT E KUSHTETUES”

I pyetur nga gazetarët për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, ambasadori u shpreh se Bashkimi Evropian po e ndjek nga afër këtë proces dhe se në vëmendje të tij janë institucionet, veçanërisht gjyqësori. “Siç e dini për Bashkimin Evropian, institucionet e gjyqësorit, në veçanti prokuroria, janë themeli, ndaj çdo proces duhet të jetë kushtetues dhe transparent.

Mbi cilësitë që duhet të ketë Prokurori i Përgjithshëm, Sequi u shpreh se duhet të jetë “një person apo një individ tejet personal, të ketë integritet moral dhe profesional dhe të ofrojë garanci të pavarësisë dhe të llogaridhënies.”

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Analiza: A mund ta zgjidhë FMN-ja krizën e borxhit të vendeve të varfra?

Analiza: A mund ta zgjidhë FMN-ja krizën e borxhit të vendeve të varfra?