Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nënshkroi më 9 shtator dekretet për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 25 tetor.

Qeveria e Serbisë miratoi më 7 shtator propozimin e kryeministrit Gjuro Macut që Vuçiçit t’i kërkohet shpërndarja e Kuvendit, hap i nevojshëm për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Këto do të jenë zgjedhjet e 15-ta parlamentare që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në Serbi dhe të 11-at të jashtëzakonshme.

Zgjedhjet mbahen pothuajse tre vjet pas zgjedhjeve të mëparshme parlamentare të dhjetorit 2023, të cilat u shoqëruan me pretendime nga opozita, organizatat joqeveritare dhe vëzhguesit ndërkombëtarë për parregullsi serioze, presion ndaj votuesve, keqpërdorim të burimeve publike dhe përfshirje të zyrtarëve shtetërorë në fushatë.

Zgjedhjet lokale të 29 marsit në dhjetë komuna të Serbisë u shoqëruan me incidente dhe prani të policisë në rrugë.

Që atëherë janë miratuar një sërë ndryshimesh ligjore, të cilat përfaqësuesit e pushtetit në Serbi i paraqesin si përgjigje ndaj rekomandimeve të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), ndërsa disa organizata vendase vlerësojnë se problemet kryesore nuk janë zgjidhur.

Zgjedhje të jashtëzakonshme kërkojnë që nga maji i vitit 2025 studentët në bllokadë, të cilët për muaj të tërë udhëhoqën protesta kundër Qeverisë serbe. Ata kanë kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

Përfaqësuesit e pushtetit kishin paralajmëruar disa herë shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa Vuçiç kishte deklaruar gjithashtu se do të tërhiqej nga posti i presidentit para përfundimit të mandatit të tij në prill të vitit 2027.

Ligji në Serbi parashikon që zgjedhjet parlamentare shpallen nga presidenti i shtetit dhe se nga dita e shpalljes deri në ditën e mbajtjes së tyre nuk mund të kalojnë më pak se 45 dhe më shumë se 60 ditë./ REL