Një histori për rrënjët, kujtesën dhe identitetin. Seriali i ri dokumentar i producentit italian Emanuele Galloni, sjell në vëmendje historinë e arbëreshëve në Kalabri, pasardhësit e shqiptarëve që u larguan nga atdheu rreth 500 vjet më parë.

Galloni, producent televiziv dhe themelues i “Connemaris Media” ka realizuar një serial me gjashtë episode, që ndërthur dokumentarin me elementë të prozës fiktive. Në qendër është historia e këtij komuniteti që ka ruajtur gjuhën, traditat dhe lidhjen shpirtërore me Shqipërinë ndër shekuj.

Ndryshe nga prodhimet e tjera për arbëreshët, ky serial shkon përtej rrëfimit historik. Ekipi ka bashkëpunuar me një kompani ndërkombëtare testimi gjenetik për të analizuar ADN-në e disa pjesëtarëve të komunitetit, në kërkim të provave shkencore për lidhjen e tyre me Shqipërinë.

“Ne u përpoqëm të gjenim në bashkëpunim me Ancestral, nëse arbëreshët kanë vërtet në ADN-në e tyre lidhjen me shqiptarët, nga janë dhe nga vijnë.”, thotë Galloni për "Report TV".

Rezultatet, të transmetuara në episodin e katërt, sollën emocione të forta: lot, habi dhe reflektim mbi identitetin.

“Identiteti është një temë shumë e fuqishme sot. Në një kohë kur teknologjia dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë botën, emocionet e vërteta të njerëzve përballë zbulimeve mbi rrënjët e tyre janë të pazëvendësueshme.”, vijon ai.

Për producentin, ky projekt është edhe personal. Ai thekson lidhjen me vendlindjen e nënës së tij në Kalabri dhe pasionin e hershëm për pakicat gjuhësore. Prej vitit 2014 ai ka punuar me komunitete minoritare në Evropë, nga Uellsi në Irlandë e Skoci, duke u fokusuar në ruajtjen e identitetit kulturor.

“Interesi im për Shqipërinë dhe në përgjithësi për të gjitha vendet ku ka shqiptarë është i madh. Po punoj për momentin edhe në një serial të ri televiziv, një film imagjinar, që zhvillohet gjatë viteve ’40-të dhe shpresojmë të jetë një bashkëprodhim me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.”, tregon Galloni.

Ai ishte i pranishëm gjatë këtyre ditëve në Berlin në “European Film Market”, për të zgjeruar bashkëpunimet ndërkombëtare, pasi, siç thotë, kompania e tij ka përfituar dy grante nga programi “Creative Europe” për projekte multimediale në qendër të të cilave janë pakicat etnike.