Në çelje të seancës së parë plenare për sesionin e ri parlamentar, kryetari Niko Peleshi bëri një përmbledhje të punës së Kuvendit sezonin e kaluar dhe përcaktoi 3 objektiva të reja. Të tria, kanë në qendër procesin e integrimit europian që do të jenë prioritet për punën e Kuvendit.
Për reformën zgjedhore dhe territoriale, Peleshi tha se duhet të afrojnë institucionet me njerëzit. Gjithashtu, cilësoi si domosdoshmëri rishikimin e statusit të deputetit.
“Integrimi evropian mbetet prioriteti numër një i punës së Kuvendit edhe gjatë këtij sesioni. Kuvendi duhet të jetë një nga motorët e këtij procesi. Gjatë këtij sesioni do të punojmë në tri drejtime themelore.
Së pari, përafrimi i legjislacionit. Kuvendi do të shqyrtojë me përparësi projektligjet që lidhen me standardet e Bashkimit Evropian dhe me përmbushjen e detyrimeve të negociatave duke u fokusuar te rezultatet. Ndaj, pas riorganizimit të tij, do të rrisim bashkëpunimin ndërmjet Shërbimit Legjislativ, strukturave përgjegjëse për përafrimin dhe Institutit Parlamentar. Do të forcojmë kontrollin post-legjislativ, sepse detyra e Kuvendit nuk përfundon kur një ligj votohet, por vazhdon edhe gjatë zbatimit dhe vlerësimit të efekteve të tij.
Së dyti, intensifikimi i diplomacisë parlamentare. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian kërkon mbështetjen e institucioneve evropiane, të qeverive dhe të parlamenteve të vendeve anëtare. Kontaktet dinamike me parlamentet e 27 vendeve anëtare do të vazhdojnë. Në 28 shtator, Kuvendi do të organizojë në Tiranë Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda Strategjike e Zgjerimit të BE-së dhe anëtarësimi i Shqipërisë”, e cila do të mbledhë përfaqësues të parlamenteve të vendeve anëtare, kandidate dhe të institucioneve evropiane. Ajo është një mundësi për të vendosur Shqipërinë në qendër të dialogut mbi të ardhmen e zgjerimit evropian. Një rol të rëndësishëm në këtë proces do të vazhdojnë të kenë Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian dhe Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Së treti, përgatitja për anëtarësimin e plotë. Gjatë këtij sesioni do të fillojmë punën për t’u përgatitur edhe për mënyrën se si Shqipëria do të funksionojë si një vend anëtar me të drejta të plota. Kjo kërkon plotësime ligjore dhe institucionale, një infrastrukturë të përshtatshme për pjesëmarrjen në proceset e vendimmarrjes evropiane dhe përgatitjen e administratës për përgjegjësitë e reja. Nuk do të presim ditën e anëtarësimit për të filluar përgatitjet për anëtarësimin. Do të fillojmë që sot.
Çështje te rëndësishme të këtij sesioni mbeten edhe Reforma Zgjedhore dhe Reforma Administrative-Territoriale. Këto janë dy procese të ndryshme, por të dyja lidhen me cilësinë e demokracisë, përfaqësimin dhe funksionimin e institucioneve. Reformat tona duhet të afrojnë më shumë institucionet me qytetarin. Rishikimi i Statusit të Deputetit është një nevojë e domosdoshme, që ky mandat të shërbejë gjithmonë si instrument llogaridhënieje, mjet në shërbim të qytetarit, dhe jo si mburojë privilegjesh. Kuvendi do të vlerësojë nevojën për përmirësimin e legjislacionit mjedisor dhe forcimin e mekanizmave për zbatimin e tij, pasi mjedisi është pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe e cilësisë së jetës", tha Peleshi duke shtuar se do të vihen në dispozicion edhe një sërë mekanizmash për modernizimin e Kuvendit.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Nis sesioni i ri parlamentar, deputetët priten me protestë! Begaj mesazh: Energjia qytetare të ushqejë dialogun! Peleshi: Prioritet puna për integrimin në BE







