Pushuesit në Pogradec do të kenë mundësi për më shumë hapësira publike në vijën liqenore. Shtatë plazhe falas janë mundësuar për plazhistët, ndërkohë që bashkia ka vendosur edhe çadra në këtë zonë.

Hapësirat për plazhe publike janë shtuar në vijën liqenore në Pogradec, ku pushuesit do të kenë mundësi të pushojnë në 7 plazhe, të cilat janë pajisur me çadra falas për turistët dhe plazhistët.

Ky lajm u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar dje në rrjete sociale, pamje nga ky plazh, ku shiheshin çadra të vendosura me rregull, ambiente të pastra dhe pushues që po e frekuentojnë plazhin në këtë sezon veror.

Vitet e fundit Shqipëria ka zënë një vend të rëndësishëm në mediat ndërkombëtare për sa i përket klasifikimit të vendit si një nga destinacionet turistike të preferuara për turistët huaj, ku spikatin qytetet si Ksamili, Saranda dhe Vlora.

Sezoni turistik veror ka nisur me shifra të larta dhe parashikimet janë për një verë të mbarë, ndërsa përgatitjet kanë nisur prej kohësh për infrastrukturën dhe pastërtinë.