Kosova është shteti i dytë më i ri në botë. Pas saj kemi një shtet të ri në Afrikë, i cili ndryshe nga Kosova, u shpall me referendum dhe ende nuk ka arritur të krijojë pavarësinë dhe stabilitetin real. Kosova e ka kaluar këtë provë. Ajo ka shtet, ka territor, ka flamur, ka simbole, ka pasaportë, ka president, parlament, qeveri, gjykata, kushtetutë, ligje, parti politike dhe elementë të tjerë identifikues me shtetin. Ende ka zona jashtë autoritetit të plotë lokal, por kjo mbetet çështje e përkohshme; - pavarësia, shteti, kufijtë dhe sovraniteti janë të pakthyeshme.

Zyrtarisht Kosova njihet nga 98 shtete të ndryshme të botës, midis të cilave shtetet kryesore të Bashkimit Evropian dhe SHBA, të cilat kanë meritat kryesore lobuese. Nuk është njohur nga dy anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Rusia e Kina, si dhe ende nga pesë vende të Bashkimit Evropian (Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qipro). Shteti i dytë me shumicë shqiptare shënon si sukses raportet e reja me FMN apo BERZH, por nuk ka ende progres të dukshëm në raportet e përafrimit me Bashkimin Evropian, NATO-n, OKB dhe një numër organizatash të tjera me rëndësi ndërkombëtare. Diplomacia e Kosovës është fokusuar në problematika lokale, duke mos arritur të sigurojë mbështetje p.sh, as nga gjysma e vendeve të Konferencës Islamike, vota e të cilave pesë vjet më parë konsiderohej unanime dhe mbështetëse.

Me një bilanc gri Kosova përballet sot me sfida të mëdha të njohjes ndërkombëtare, mirëqeverisjes dhe pozitës së saj rajonale. Lidhur me njohjet alibia e raporteve gjeopolitike përdoret edhe në këtë rast, kurse pjesa tjetër e sfidave mbetet tërësisht lokale, në Prishtinë. Tashmë është e qartë se njohja nga pesë vendet e BE përbën provën e këtyre vendeve ndaj parimeve të BE për një rajon të stabilizuar dhe të integruar. Vota kundër e tyre realisht vijon të jetë ushqim për ekstremistët dhe strukturat paralele shtetërore. Vota pro e tyre do të ishte investim për më shumë siguri, paqe afatgjatë dhe më shumë prosperitet për qytetarët e Kosovës dhe indirekt edhe për gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Sfida kryesor e Kosovës mbetet krijimi i një sistemi politik dhe qeverisës funksional. Në këto vite Kosova mban rekordin e zgjedhjes dhe shkarkimit të një Presidenti, për mocionin e parë të një qeverie kundër vetvetes, për kuotat e rezervuara parlamemtare për minoritetet, apo për faktin se ende është në dilemë rreth mandatit konsensual të përkohshëm të kryetarit të shtetit ashtu edhe për paketën kushtetuese që kërkon zgjedhjen e presidentit direkt nga qytetarët. Qeverisja në Kosovë reflekton probleme të mëdha administrimi dhe përgjegjësie, një nivel të lartë korrupsioni, pafuqi ndryshimi e reformimi, konflikte personale dhe koalicione të bazuara në marrëveshje politike joparimore. Sistemi partiak kosovar është i copëtuar në një numër të madh partish politike personale dhe krahinore, me mungesa të mëdha të identitetit politik dhe rregullave demokratike funksionale, me akuza, dorëheqje, shkarkime, shkrirje apo forma të tjera të fazës së parë të tranzicionit. Për pasojë, ka një diferencë të padukshme midis alternativave në qeveri dhe atyre në opozitë, ka probleme të mëdha në administrimin e votave dhe sistemin zgjedhor, ka përqendrim të pushteteve në një numër të kufizuar personash dhe ka një sistem riciklimi që nuk lejon reformimin e partive, sistemit përfaqësues dhe raporteve midis qytetarit dhe institucioneve vendimmarrëse politike.
Sfida e dytë e Kosovës është krijimi i një sistemi ekonomik funksional dhe të qëndrueshëm. Kosova trashëgoi humbje të mëdha ekonomike, dëmet e luftës prekën të gjitha familjet, por 14 vjet pas çlirimit dhe 5 vjet pas pavarësisë zyrtare treguesit ekonomikë e renditin atë në vendet më të varfra në Evropë. Sipas Bankës Botërore, të ardhurat për frymë/vit në Kosovë janë rreth 3400 dollarë më pak se Maqedonia, 1600 dollarë më pak Bosnja dhe 600 më pak sesa Shqipëria. Rreth 46% e popullsisë është nën 25 vjeç dhe papunësia shënon mbi 40% të fuqisë punëtore. Një numër skandalesh korrupsioni dhe imuniteti i lidhjeve politike në raste të tilla kanë lëkundur besimin e qytetarëve tek vullneti dhe aftësia e institucioneve për të luftuar realisht korrupsionin. Kosova nuk arriti të mësojë nga gabimet e vendeve të tjera në rajon, përkundrazi, aplikoi të njëjtat metoda dhe u ndesh me të njëjtin produkt negativ. Në kushtet e saj specifike, korrupsioni mbetet një rrezik real për stabilitetin dhe demokracinë. Ai vuri në dilemë ndjenjën solidare të shtetit të Kosovës ndaj luftëtarëve të UÇK apo grupeve vulnerabel, reflektoi probleme serioze në fushatën zgjedhore dhe produktin e saj parlamentar, si dhe ndikoi shpesh edhe në dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës.

Sfida e tretë e Kosovës mbeten raportet me shtetet fqinje dhe pozicioni që ajo dëshiron për veten e saj në rendin e ri evropian e botëror. Gabimisht kjo duket se është prioritare në agjendën politike. Procesi i bisedimeve me Serbinë është kryesisht projekt perëndimor, nën drejtimin e tyre, ku Kosova ka rol dytësor dhe ku produkti i procesit do të sjellë largimin përfundimtar dhe real të Serbisë nga problematika dhe sovraniteti i Kosovës. Detyra e vetë politikës kosovare është lehtësimi i këtyre përpjekjeve perëndimore, jo kundërta. Retorika nacionaliste për efekte elektorale, nismat lokale pa konsultim perëndimor si dhe sidomos kërcënimet populiste me bashkim ndërshqiptar ndaj kritikave perëndimore janë e mbeten një investim i gabuar në projektin e Kosovës demokratike dhe Evropiane. Kosova është e lirë kryesisht falë SHBA dhe NATO-s, lidershipi i të cilave nuk mund të vihet asnjëherë në dyshim. Çdo sjellje tjetër që injoron këtë meritë dhe interes historik apo që rikthen kujtimet negative të perandorive pushtuese ose regjimeve izoluese përbën investim kundërproduktiv.

Nga ana tjetër këshilla për një Kosovë aktive në marrëdhëniet rajonale nënkupton nevojën për një projekt të ri zhvillimi real dhe funksional në dobi të ekonomisë dhe qytetarëve të Kosovës. Le të shohim rastin e marrëdhënieve me Shqipërinë. Disa pengesa të panevojshme që lidhen me shkëmbimet tregtare të produkteve dhe mallrave e zhvendosen burimin furnizues në vende të tjera, duke dëmtuar ekonomitë e dy vendeve. Projekti për një port shtetëror të Kosovës në Shëngjin mbeti gjithashtu deklarativ, numri i firmave ndërvepruese të biznesit mes Prishtinës e Tiranës është ende minimal dhe se tregu ndërshqiptar ende vepron i shkëputur ose si shtojcë e tregjeve të tjera lokale në rajon. I njëjti bilanc vlen edhe në aspekte të tjera të bashkëpunimit social, kulturor, turistik, arsimor, sportiv, etj, sektorë ku ende ka një diferencë të dukshme midis deklaratave dhe premtimeve pompoze dhe rezultateve konkrete në terren. Në Tiranë nuk ka asnjë zyrë specifike dhe zyrtar të lartë që merret me Kosovën dhe anasjelltas. Vizitat janë kryesisht protokollare ose mbi bazën e njohjeve personale dhe projekteve elektorale, duke mos lënë gjurmë në brendësinë funksionale të marrëdhënieve politike, ekonomike e kulturore.

Së fundi, Kosova, ashtu si Shqipëria dhe ndonjë vend tjetër në rajon, ndodhet në momentin historik të përcaktimit të trendit demokratik të dekadave të ardhshme. Janë vende me shtet por kanë nevojë për shtetarë dhe zbatim të ligjit, janë vende demokratike por kanë nevojë për frymë dhe demokraci funksionale, janë vende me popullsi të re por kanë nevojë për energji dhe vizione të reja zhvillimi, janë vende pro perëndimore por kanë nevojë për akte konkrete që jetësojnë dhe shndërrojnë në sistem vlerat e modelit perëndimor, janë vende fqinje dhe me identitet të njëjtë kombëtar, por kanë nevojë të kalojnë nga retorikat populiste në akte konkrete që krijojnë ndërveprim të tregut, shkëmbimeve, ideve dhe projekteve afatgjata, janë vende të krijuara nga shpresa të mëdha, por që kanë nevojë të krijojnë perspektiva të mëdha për qytetarët e tyre. Siç Klinton këshillonte dje dhe siç Obama këshilloi në mesazhin e 5 vjetorit, Kosova pra ka nevojë për të fituar paqen, përmes demokracisë, shtetit funksional dhe sundimit të ligjit. Një lajtmotiv që nuk duhet fshehur pas ceremonive pompoze dhe retorikave patriotike të 5 vjetorit, por që duhet të marrë të gjithë vëmendjen, seriozitetin dhe energjitë pozitive të politikës, institucioneve dhe qytetarëve vendimmarrës të shtetit më të ri evropian, Kosovës.