Një emigrant shqiptar nga Laçi, Dorian Puka është sërish në qendër të vëmendjes së mediave britaike. Kësaj radhe është The Daily Telgraph që i ka kushtuar një artikull, shqiptarit i cili po lufton kundër vendimit të qeverisë britanike për të dëbuar atë. Në disa video në rrjetet sociale ai reklamon jetën e tij luksoze në Britaninë e Madhe, ndërsa media britanike i ka publikuar një video ku ai shfaqet duke ushqyer dy qen me tufa kartëmonedhash në paund.

Dorian Puka është dënuar dy herë me burg dhe është dëbuar dy herë për vjedhje, por arriti të futej sërish fshehurazi në Britani. Gjatë 18 muajve të fundit ai ka sfiduar vazhdimisht Home Office duke publikuar në rrjetet sociale video të jetës së tij luksoze.

Në një nga videot, 29-vjeçari shihet i ulur në një kolltuk duke i ofruar kartëmonedha 20 paundëshe pitbullit të tij, Cobra, ndërsa një tufë kartëmonedhash 50 paundëshe pug-ut të tij, të quajtur Mouse.

Ai ka publikuar gjithashtu pamje ku ekspozon gjashtë ora Rolex me vlerë rreth 160 mijë paund, si dhe makina luksoze, përfshirë Ferrari dhe një Lamborghini URUS V8 të vitit 2022, me vlerë rreth 180 mijë paund.

Puka përballet me dëbimin për herë të tretë, pasi qeveria britanike fitoi një seancë në Gjykatën e Emigracionit të shkallës së parë për largimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar, pas refuzimit të kërkesës së tij për azil. Ai e ka apeluar këtë vendim.

E kaluara e tij kriminale dhe dënimet e mëparshme me burg bëjnë që ai të përmbushë kriteret për dëbim automatik nga Mbretëria e Bashkuar. Megjithatë, ai ka qëndruar në Britani për më shumë se tre vjet, pasi Home Office nuk ka mundur ta largojë për shkak se kërkesa e tij për azil dhe sfidat ligjore janë ende në proces.

Një zëdhënës i Home Office deklaroi: "Ky individ është një shtetas i huaj i dënuar për vepra penale dhe është i njohur për autoritetet. Ne po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të siguruar largimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur. Për sa kohë procedurat ligjore janë ende në zhvillim, nuk mund të bëjmë komente të mëtejshme. Pothuajse 10 mijë shtetas të huaj të dënuar për vepra penale janë kthyer në vendet e tyre nën këtë qeveri. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për t'i larguar këta kriminelë nga rrugët tona."

Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, po ndryshon ligjin për ta bërë më të vështirë që kriminelët e huaj dhe emigrantët e paligjshëm të përdorin legjislacionin për të drejtat e njeriut për të shmangur dëbimin. Ajo po thjeshton gjithashtu sistemin e apelimeve dhe po krijon procedura të përshpejtuara për largimin më të shpejtë të shtetasve të huaj të dënuar.

Megjithatë, Chris Philp, sekretari i Brendshëm në hije, deklaroi: "Ky kriminel famëkeq shqiptar ka ekspozuar hapur pasurinë e tij në Mbretërinë e Bashkuar, duke shfaqur makina sportive dhe tani edhe këtë video të jashtëzakonshme ku ushqen qentë me para. Ne nuk duhet të lejojmë që kriminelë të huaj si ky të qëndrojnë në vend. Ai duhet të dëbohet menjëherë dhe Shabana Mahmood duhet të sigurojë urgjentisht largimin e tij, në mënyrë që publiku britanik të mos vuajë më nga sjellja e tij kriminale.

Kriminelë të huaj si ky shpesh përdorin Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kërkesat për azil dhe pretendimet për skllavëri moderne për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar. Pikërisht për këtë arsye ne duhet të largohemi nga KEDNJ dhe të ndalojmë kriminelët e huaj dhe emigrantët e paligjshëm që të përdorin kërkesat për azil dhe pretendimet për skllavëri moderne për të mbetur në Britani."

Puka u dënua fillimisht me nëntë muaj burg në vitin 2016 dhe u dëbua një vit më vonë për tentativë vjedhjeje në një banesë. Pronari e kishte parë atë përmes një kamere ndërsa ndodhej me pushime në Francë. Brenda një viti, ai arriti t'u shpëtonte kontrolleve kufitare dhe të rikthehej në Mbretërinë e Bashkuar, ku kreu një seri vjedhjesh në Londër.

Ai u kap përfundimisht nga oficerë civilë të policisë që patrullonin në Surbiton, në jugperëndim të Londrës, pasi në atë zonë ishte regjistruar një rritje e vjedhjeve me thyerje. Në momentin e arrestimit ai mbante në dorë një orë të shtrenjtë që e kishte vjedhur. Më pas u dënua me tre vjet e gjysmë burg dhe u dëbua në mars të vitit 2020. Gjatë kohës që vuante dënimin në burg, ai përdorte një telefon celular të paligjshëm, i cili ishte futur kontrabandë në burg, për të publikuar në Instagram fotografi të vetes./The Daily Telgraph