Sgarbi, Sgërbot, ilirët barbarë dhe europianët e fisëm

Sgarbi, Sgërbot, ilirët barbarë dhe europianët e fisëm

Vittorio Sgarbi

Nuk është e vështirë të kuptosh origjinën e cilësimit të Bylisit si qytet grek nga studiuesi i njohur italian i historisë së artit, Vittorio Sgarbi, i ftuar për të vizituar Shqipërinë nga Qeveria shqiptare. Kjo ftesë që vjen menjëherë pas prishjes së teatrit Kombëtar, një memorial i kulturës shqiptare, po aq sa vepër e vlerësuar e arkitekturës italiane, të krijon dyshimin se qoftë edhe heshtja e tij do të shërbente për të justifikuar atë krim kulturor. Që këtu vjen edhe kujdesi për ta rrethuar ekspertin e thellë të artit dhe polemistin e paepur me një koracë zgërbosh, mes të cilëve ai e ndjen vehten si profeti në shkretëtirë.

I gjori Sgarbi, e çojnë në Bylis për të ngrënë kalastren me pilaf tek klubi i fshatit dhe ai zbulon papritur teatrin e vendosur magjishëm mbi hapësirën që shtrihet nga malet e Vetëtimave deri në Adriatik. Komenti i tij për sublimen që provon njeriu në atë përballje me përjetësinë është me të vërtetë një përsiatje filozofike, por që bie në prozaizëm kur e konsideron Bylisin grek, vetëm sepse kishte një teatër. Për më tepër kur e shënon edhe në twiter si “omonima citta greca”.

Në se V. Sgarbi do të ishte atje thjesht si një turist europian, një nga të shumtët që vizitojnë çdo vit Bylisin, ky cilësim do të ishte brenda kulturës mesatare europiane, që konsideron si grek çdo qytet ku gjendet një teatër, apo qoftë një mbishkrim antik në gjuhën greke. Për atë lloj kulture bota e lashtë ndahej në grekë, apo romakë të kulturuar, përtej të cilëve ishin barbarët ilirë, trakë, keltë, apo edhe gjermanë. Një këndvështrim që studiuesit seriozë, dhe jo vetëm shqiptarë, e kanë konsideruar si paragjykim që nuk përputhet me realitetin historik dhe atë të zbuluar nga gërmimet arkeologjike.

Në të vërtetë V. Zgarbi me krahët e hapur në formë lutje, apo fluturimi filozofik, gjendej me këmbët e mbërthyera pas kryeqytetit të dikurshëm të bylinëve dhe përballë trevës së amantëve, që ngrihej në bregun e përtejmë të Vjosës. Një shqiptar me interesa pak me të gjera se topografia e lokaleve ku hahet kalastren me pilaf, do t’i kishte treguar mikut të shquar pikërisht në bregun përballë Selenicën, vendin per te cilin natyralisti romak Plini shkruante: “in finibus celebre Nymphaeum accolunt barbari Amantes et Buliones”.

Natyrisht që Sgarbi e kupton latinishten, por çdo italian do ta përkthente: “Në kufi me Nymfeun e famshëm, banojnë barbarët amantë dhe bylinë”. Ky përkufizim gjeografik dhe etnik ka qenë shkruar rreth vitit 60 pas Krishtit, pra rreth 300 vjet pas ndërtimit të teatrit të Bylisit, gjë që dëshmon se bylinët dhe amantët kishin mbetur barbarë jo në kuptimin e kulturës, përderisa kishin një teatër, por në kuptimin etnik, domethënë cilësohen si jogrekë.

Dikush që di më shumë se gjiza dhe rakia, të cilën i ofruan mikut në klubin e fshatit (por jo librin në italisht për Bylisin të shkruar nga armiku Neritan Ceka!), do t’i kishte thënë Sgarbit se njëqind vjet para ndërtimit të teatrit një, autor grek, Skylaksi, shkruante se “Orikasit banojnë në krahinën e Amantisë; amantët që shtrihen deri këtu janë ilirë që nga bylinët”. Pra ai dallonte qartë koloninë greke të Orikut nga vendësit ilirë. Sikur të kishte shkruar, duke ditur se një ditë do të vinte në atë vend Sgarbi, Skylaksi vazhdon më tej: “Pas ilirëve vijnë kaonët…Pas Kaonisë vjen fisi i thesprotëve…Pas Kasopisë vjen fisi i molosëve…Pas Molosisë vjen Ambrakia, qytet helen…Prej këndej fillon Hellada pa ndërprerje”.

Për të hequr merakun në se fisi mund të ishte barbar, pra ilir, por qyteti mund të ishte helen, një autor tjetër grek, Stefan Bizantini, që ka bërë një inventar të fiseve dhe qyteteve antike, shkruante: “Byllis, qyteti Ilirisë pranë detit”. Por ai nuk përmend ndonjë qytet tjetër antik me të njejtin emër dhe nuk e marr dot me mend përse Sgarbi e cilëson Bylisin si “citta omonima”, pra “qytet me të njejtin emër”. Me cilin qytet? I gjori Sgarbi, në shoqërinë e gjizëngrënësve dhe rakipirësve, mund të ketë mësuar së emri i qytetit fqinjë të Ballshit vjen pikërisht nga emri Byllis. Por nuk besoj t’i kenë thënë se në dokumentet mesjetare Byllis/Ballsh përkthehet në greqisht si Kefalenia, ndërsa në ato sllave si Glavinica, që do të thotë kokë, ballë, pra kryevend. Sigurisht ishte një fjalë që vinte nga ilirishtja dhe jo nga greqishtja.

Historia e europianit të fisëm që viziton vendin e pasardhësve të barbarëve bylinë dhe amantë do të mbaronte këtu, në se rrogëmarrësit dhe tenderbërësit e Ministrisë së Kulturës, të magjepsur nga përsijatja filozofike e eruditit italian nuk do ta kishin shkarkuar atë në njerin nga sitet web të asaj ministrie. Natyrisht që nuk kam aspak ndërmend të godas kolonat qindravjeçare mbi të cilat ngrihet bagazhi i kulturës antike të Sgarbit, por nuk mund të mos revoltohem me serinë e zonjave që kanë okupuar prej vitesh Ministrinë e Kulturës me misionin e vetëm të shkatërrimit të kulturës kombëtare.

Me këtë rast do t’i rekomandoja Sgarbit të shikojë me vemendje se kush e ka rrethuar gjatë vizitës së tij në Shqipëri dhe sa të ndryshëm janë ata nga shqiptarët që ka njohur dhe njeh çdo ditë në Itali. Më të pakulturuarit e tyre, që drejtojnë sot kulturën shqiptare janë neofuturistët tanë, që në emër të së resë shkatërrojnë të vjetrën, teatrin kombëtar, banesat e Toptanasve në Tiranë, kishat me afreske të Myzeqesë, Beratit, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit, Kolonjës, Korçës e Pogradecit. Janë vëllezërit e vonuar të futuristëve italianë të periudhës së fashizmit, që propozonin të lyhej me gëlqere Kapela Sistina.

Çfarë do të ishit ju sot zoti Sgarbi, sikur Musolini t’u kishte dhënë atyre Ministrinë e Kulturës? Pa studimet tuaja mbi Rafaelin, Mikelanxhelon, Tiepolon, Karavaxhion…Zoti na ruajt, Amen !/ tema

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sidrit Golemi: 10/06/2020 16:45

    Adolf (Neritan - pas Luftes) Ceka, i lindur me 11 shkurt 1941, ne persiatjen per te dhene keshtu nje pergjigje "sojlliu" per kritikun italian te artit Vittorio Sgarbi, ka deshtuar ne forme e pothuajse edhe ne permbajtje. Ka deshtuar, sepse ketu, ne vend te pergjigjes racionale e te denje te Arkeologut dhe Historianit te Antikitetit Ilir, gjejme nje "çorbe", ku asgje shkencerisht nuk citohet, por permendet pa referenca qofte historiko-kronologjike, qofte studimore, deri edhe per librin i tij per Bylisin, nuk i gjen referencat e botimit shkencor. Çorba endemike e Cekes eshte fiksimi i tij dinak, djallezor e jo i zgjuar, me gjithçka e me gjithkend qe e shkund dhe e zgjon nga letargu i narcizizmit ku ai bie shpesh. Veçanerisht me Politiken, ne momentet kur gjendet i menjanuar, i konsumuar e i flakur prej saj. Perndryshe bythelepires deri ne peshtirje, siç kemi pare me Sali Berishen dhe zagaret e tij, disa vite pasi i kishte grabitur djalin e vogel 3-4 vjeçar, te cilin vetem nderhyrja insistuese e nje ambasade perendimore ne Tirane mundesoi leshimin. Ne kete reagim ndaj disa shprehjeve ne liri te Vittorio Sgarbi, gjen shume folklor, shume thasheetheme klubi fshati e te papunesh, shume e me shume poltike, politike, politike ..., anti-shtet e anti-struktura, dhe fare pak shkence e histori shkencore te dokumenntuar e te cituar. Kjo pergjigje, per fat te keq, nuk eshte pergatirur per Sgarbi-n, por per "kazanin politik e folklorik" shqiptar. Patriotizmin e tij "apolitik" nuk eshte vone ta demostroje duke kontribuar falas, qofte edhe me nje dite ne jave, drejperdrejte ne terren, jo vetem ne Bylis, ne secilin nga Muzete e Shqiperise, ne pergatijen e te rinjve cicerone, e jo vetem, per rivenien ne vend te dinjitetit te kultures ilire dhe studimeve per iliret, etj.

    Përgjigju
  • NeriTrapi: 10/06/2020 13:35

    HA!HA!HA!E paska fajin qeveria shqiptare, sepse Sgarbi paska mendim ndryshe nga Neritani!?

    Përgjigju
  • Konjak: 10/06/2020 12:44

    Per te bere nje kritike apo komentim , per nje ngjarie, per nje zhvillim , per nje thenie, per nje shkrim , se paku nevoitet njofie e miaftushme per te gjitha zhvillimet , brenda kesaj bote . Kur nukse kemi kete njofie , ne vend te vendosim vetulla , nxjerrim syte . Nese zoteri Zgarbi , publikon nje mendim te tij --te mbeshtetur apo te pa mbshtetut historikisht -- , eshte ne te drejten e tij . Asnje gje nukse ndryshon ne vetedien tone , kur njohurite tona jane te mbeshtetura historikisht nga shume drejtime , si dhe te provuara shkencerisht , nga hermeneutika, - pastrim i te vertetave historike nga shtremberimet e kohes--. Nese zoteria kete problem , e di ashtu sic e di , pune per te , eshte ne te drejten e tij , te mendoje dhe thot, ate qe di , ashtu sic e di . Mirpo zoteri Zgarbin e leme ne punen dhe te miren e tij . Por te tjeret si mund te reagojne me ofeza e perbaltie per cildo qe u del para, pa asnje shkak , apo kane te ardhura ne natyre .

    Përgjigju
    • hjg: 10/06/2020 14:30

      nuk ka asnje te pavertete ne ate qe ka thene Sgarbi. Kjo nuk na ul as nuk na shton vlera neve si ahqiptare. Sgarbi ne pak video ka bere ate qe qeverite tona nuk kane bere per 30 vjet. Ky arkeologu medioker i yne duhet te jete ne nivelin e Sgarbit qe te mund te kundershtoje. Mbi te gjitha Sgarbi i referehot Enciklopedise Treccani. Shqipot i besojne me shume imamit te lagjes sesa enciklopedise treccani. preandaj jemi ktu ku jemi. Polemika te kota humbje kohe dhe veteprishje dime te bejme ne

  • Tini: 10/06/2020 08:32

    Neritan Ceka nuk i arrin dot as deri tek maja e thorit Sgarbit. Shih nga vetja njehere o i mjere, del dhe te ben moral dhe kujt....ndoshta kritikut te artit me te madh ne bote aktualisht.

    Përgjigju
  • Eliana: 09/06/2020 19:51

    Z.Neritan Ceka ,keni te drejte qe kritikoni Zgarbin .E lexova artikullin deri ne fund , por Zgarbi ndoshta gaboi.Cfare te themi per ju qe si minister kulture ne kohen kur e zoteroje keni prishur kulturat e hereshme ne Durres shume here me me shume vlera se teatri kombetar qe sic e quani ju kishte vlere te madhe.Perse i prishet kur u zbuluan nga germimet per te hedhur themele te nje pallati???Vendi ku u zbuluan ishte lulishtja nje maji dhe sot lulezon pallati gjigand qe ju firmoset.Prandaj Z.Ceka shikoni veten ne radhe te pare sepse jeni ju qe keni bere masaker ne Durres vinit cdo jave e vendoset me firmen tuaj krimin e rradhes dmth shembjen e sh sh ndertimeve antike dhe qan si arkeolog qe jeni per ndertesat e bera ne kohen e fashizmit pa asnje lidhje me ankitikitetin.

    Përgjigju
    • uinh: 10/06/2020 09:52

      Po te mos ishin arkeologet e huaj sot te gjithe sitet arkeologjike do te ishin nen dhé. Ky Neritan menderja ka 30 vjet arkeolog dhe nuk qe i zoti te largonte dherat te amfiteatri i durresi. Akoma ky amfiteater eshte ne pjesen me te madhe te tij nen dhe

    • arian: 09/06/2020 23:12

      Jam plotësisht dakort me replikën tuaj znj. Eliana.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja