Kremlini reagoi ndaj njoftimit të Donald Trump të mërkurën në Ankara për t’i dhënë Kievit licencë për prodhimin e sistemeve Patriot.
Rusia e mirëpret qëndrimin e Uashingtonit, i cili, edhe pse vazhdon të furnizojë Kievin me armë, “ruan dëshirën për të kontribuar në një zgjidhje paqësore, ndryshe nga evropianët”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Edhe nëse ndonjëherë gabojnë, edhe nëse bëjnë gabime, kjo dëshirë na duket e sinqertë dhe ne e mirëpresim atë”, theksoi Peskov, i cituar nga agjencia Interfax, duke komentuar njoftimin e Donald Trump për dhënien e një licence Ukrainës për prodhimin e sistemeve Patriot.
Sipas tij, megjithatë, qëndrimi amerikan mbetet i dyfishtë, pasi krahas mbështetjes ushtarake për Kievin, Uashingtoni vazhdon të ruajë dëshirën për të kontribuar në arritjen e një zgjidhjeje paqësore.
Sulmet vijuan këtë të enjte me 1 të vdekur dhe 5 të plagosur si bilanc në Belgorod pas një vale goditjesh ukrainase në qytetin kufitar.
Gjithashtu një tjetër person vdiq në një sulm në Krimenë e aneksuar nga Rusia.
Në orët e natës, ushtria ukrainase ndërmori sulme të reja ndaj infrastrukturës naftësjellëse ruse, duke vënë në shënjestër depozita nafte në disa rajone, shkruan The Kyiv Independent.
Foto dhe video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë flakë dhe re të dendura tymi të zi që ngrihen nga një depo në pronësi të Lukoil, pranë qytetit Mikhaylovsk, në rajonin e Stavropolit.
Strategjia e javëve të fundit nga ukraina për të goditur infrastrukturën e naftës ka sjellë probleme në disa pjesë të rusisë. Dy rajone kanë mbetur pa furnizim me karburant pas sulmeve të kryera gjatë natës nga forcat e armatosura të Ukrainës, të cilat goditën me dronë dy depozita nafte në rajonet ruse të Tverit dhe Stavropolit. Lajmi bëhet i ditur nga Unian, ndërsa sulmet janë konfirmuar edhe nga guvernatorët lokalë rusë.
Komente






