SHBA: 'Katastrofë ekologjike' pas sulmit të grupit Houthi ndaj anijes çisternë

SHBA: 'Katastrofë ekologjike' pas sulmit të grupit Houthi ndaj anijes çisternë

Anija çisternë "Delta Sounion" e përfshirë nga zjarri pas sulmit të grupit rebel Houthi në Detin e Kuq

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan për një katastrofë të mundshme ekologjike në Detin e Kuq pas sulmit të grupit rebel Houthi ndaj një anije çisternë javën e kaluar.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield tha të dielën në mbrëmje se Këshilli i Sigurimit “duhet të dënojë” sulmin e grupit rebel Houthi ndaj çisternës “Delta Sounion.”

Sipas saj, “veprimet e pacipa të rebelëve Houthi kërcënojnë të krijojnë një katastrofë ekologjike me pasoja shkatërrimtare për tërë rajonin.”

Ajo tha se Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet të kërkojë respektim të menjëhershëm të rezolutës së miratuar në muajin janar, që u bën thirrje rebelëve Houthi të ndalojnë sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Grupi Houthi, i mbështetur nga Irani, tha të enjten se sulmi ndaj çisternës greke u bë në shenjë solidariteti me palestinezët për shkak të luftës së Izraelit dhe Hamasit në Gazë.

Ekipet e shpëtimit evakuuan ekuipazhin e anijes çisternë pas sulmit, e cila u përfshi nga flakët.

Misioni evropian detar në Detin e Kuq njoftoi se anija çisternë po transportonte 150,000 tonelata naftë së papërpunuar.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller tha të shtunën se rebelët Houthi “e kanë bërë të qartë se janë të gatshëm të shkatërrojnë industrinë e peshkimit dhe ekosistemin rajonal në të cilën mbështeten jemenët dhe komunitetet tjera të rajonit për të jetuar, njësoj siç i kanë minuar edhe përpjekjet për të dërguar ndihma humanitare në rajon përmes sulmeve të tyre të pamatura.”

Sulmet e rebelëve Houthi kanë ndërprerë tregtinë në rrugët detare në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, duke detyruar shumë kompani të ndryshojnë rrugët e anijeve në drejtim të rrugëve më të gjata dhe më të shtrenjta./ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Diplomacia, a ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?



×

Lajmi i fundit

Kujtimet e ish-presidentit Alfred Mosiu. Kur gjeneral Prodani, i tha Mehmet Shehut: Mos na godisni Shokët!

Kujtimet e ish-presidentit Alfred Mosiu. Kur gjeneral Prodani, i tha Mehmet Shehut: Mos na godisni Shokët!