Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit bëri të ditur se në Doha ka nisur takimi mes të dërguarve të Shteteve të Bashkuara, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, me ndërmjetësit e Katarit. Lajmin e raportoi Al Jazeera. Sipas zëdhënësit, aktualisht nuk janë parashikuar takime të drejtpërdrejta mes delegacionit amerikan dhe zyrtarëve iranianë.

Ndërkohë Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Arib Abadi, deklaroi se një delegacion ekspertësh nga Teherani do të qëndrojë në Katar gjatë dy ditëve të ardhshme, por theksoi se misioni i tij nuk ka për qëllim takime me përfaqësuesit amerikanë.

Ai shtoi se është shënuar përparim në bisedimet mes Iranit dhe Omanit lidhur me tarifat e kalimit në Ngushticën e Hormuzit. Më herët, ai kishte deklaruar se mes dy vendeve janë arritur mirëkuptime për këtë çështje.

E marta ngriti pikëpyetje në lidhje me një takim të mundshëm mes Uashingtonit dhe Teheranit në Doha pasi në distanca shba dhe Irani kundërshtuan njëri-tjetrin në lidhje me zhvillimin e një takimi të mundshëm.

Ministria e Jashtme e Iranit tha këtë të martë nëpërmjet zëdhënësit të saj Esmail Baghaei se nuk do të kishte asnjë takim negociues me palën amerikane në asnjë nivel gjatë ditëve në vijim.

Presidenti amerikan Donald Trump këmbënguli gjatë të hënës në mbrëmje se një takim do të zhvillohej dhe si ai mund të rezultonte i suksesshëm sa i takon çështjes nukleare të iranit.

“Do të ketë një takim në Doha për këtë çështje dhe delegacioni po shkon në Katar. Do të shohim se si do të shkojë. Por në këtë aspekt po ecim shumë mirë. Takimi në Doha mund të jetë i rëndësishëm, por mund edhe të mos jetë. Do ta shohim. Ushtarakisht po fitojmë. Do të thosha se fitorja është pothuajse e arritur në aspektin ushtarak. Në fund të fundit, çështja është shumë e thjeshtë: çnuklearizimi i Iranit”, tha Trump.

Katari ndërkohë njoftoi gjashtë miliardë dollarët e aseteve iraniane të ngrira në Katar, që pritet të zhbllokohen në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ende nuk janë transferuar në Teheran.

Lajmi vjen një ditë pasi presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se marrëveshja e fundit me SHBA-në përbën "një arritje të rëndësishme dhe një fitore të madhe për popullin iranian", pasi "janë hequr sanksionet ndaj sektorëve të naftës dhe petrokimisë" dhe "gjashtë miliardë dollarë nga 12 miliardë dollarët e fondeve tona të ngrira në Katar do të zhbllokohen dhe do t'i kthehen vendit".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:01
New York Times: Omani dhe Irani presion SHBA-së për të mbledhur taksa nga anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit

1782625524_ngushticaehormuzit.jpg

Omani, një aleat i SHBA-së, bashkë me Iranin po i bën presion Amerikës për një plan për të mbledhur taksa nga anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht kundërshtimeve publike të Uashingtonit.

Lajmin e raportoi New York Times, duke cituar një burim iranian dhe katër diplomatë të njohur me çështjen.

Sipas gazetës amerikane, zbatimi i planit do të përfaqësonte një ndryshim të rëndësishëm nga statusi i korridorit strategjik detar para luftës, një shenjë se si vendimi i SHBA-së dhe Izraelit për të sulmuar Iranin më 28 shkurt e ka transformuar Lindjen e Mesme në mënyra të thella dhe të papritura.

Para luftës, Ngushtica e Hormuzit ishte një korsi ndërkombëtare transporti detar që përshkohej lirisht nga anijet, por gjatë luftimeve, Teherani në fakt e bllokoi atë, duke shkaktuar rritjen e çmimeve të energjisë.

Omani kohët e fundit paraqiti një propozim zyrtar për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë që u bën thirrje kompanive të transportit detar të paguajnë tarifa shërbimi, ndoshta vullnetare, për përdorimin e ngushticës, sipas zyrtarit iranian dhe një diplomati rajonal. Një burim i njohur me qëndrimin e SHBA-së konfirmoi se negociatorët amerikanë kanë marrë propozimin e Omanit dhe synojnë të diskutojnë pikat e tij kritike me autoritetet në Muscat.

Propozimi bazohet në modelin e miratuar tashmë për Ngushticën e Malakës dhe Singaporit, midis Oqeanit Indian dhe Detit të Kinës Jugore, ku kontributet vullnetare mblidhen nga një fondacion privat, Fondacioni Nippon.