SHBA/ Prokuroria: Trump u përpoq të manipulonte zgjedhjet e 2016, i dha para pornostares që të heshtë! Avokatët: Padia e pabazë

Donald Trump u përpoq të ndikonte në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke ndalur publikimin e historive të dëmshme rreth jetës së tij personale, u tha anëtarëve të jurisë prokurori të hënën gjatë gjyqit të parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan.

“Ky ishte një konspiracion i planifikuar dhe i zgjatur për të influencuar zgjedhjet e vitit 2016, për ta ndihmuar Donald Trump-in të zgjidhej nëpërmjet pagesave të paligjshme për të heshtur njerëzit që do të kishin diçka të keqe për të thënë rreth sjelljes së tij”, tha prokurori Matthew Colangelo. “Ishte manipulim zgjedhor, asgjë më shumë”.

Avokati mbrojtës u kundërpërgjigj duke e kritikuar padinë si të pabazë dhe duke sulmuar integritetin e personit dikur të besuar nga Trump, që tashmë shërben si dëshmitari kryesor i akuzës.

“Presidenti Trump është i pafajshëm. Presidenti Trump nuk ka bërë ndonjë shkelje. Prokuroria e Manhatanit nuk duhet ta kishte ngritur fare këtë padi”, tha avokati Todd Blanche.

Deklaratat fillestare paraqitën për jurinë prej 12 personash dhe për publikun e gjerë, dy këndvështrime krejt të ndryshme se si do të zhvillohet kjo çështje gjyqësore, ndërsa në sfond vazhdon gara zgjedhore për Shtëpinë e Bardhë. Trump është jo vetëm kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane, por edhe i akuzuar në një proces penal, që mund të përfundojë me dënim me burg nëse gjendet fajtor.

Ky është gjyqi i parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan dhe është çështja e parë hetimore nga katër çështjet e ngritura ndaj tij, që arrin deri në gjyq. Në këtë kuadër, prokurorët u përpoqën që në fillim të çështjes të ngrenë rëndësinë e saj, duke thënë se kishte të bënte kryesisht me ndërhyrjen në zgjedhje, të reflektuar tek pagesat e bëra për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë për një marrëdhënie seksuale që ajo pretendon se ka patur me Trump.

“I akuzuari, Donald Trump, orkestroi një skemë kriminale për të korruptuar zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Më pas ai e mbuloi këtë konspiracion duke gënjyer në të dhënat e biznesit të tij në Nju Jork, disa herë dhe në mënyrë të përsëritur”, tha prokurori Colangelo.

Gjatë gjyqit që mund të zgjasë deri në dy muaj, do të duhet që Trump t’i kalojë ditët e tij në sallën e gjykatës në vend të aktiviteteve të fushatës. Ai u ankua për këtë të hënën pasi doli nga salla e gjykatës, duke u thënë gazetarëve se: “Unë jam kandidati kryesor... dhe po përpiqen të më nxjerrin nga pista për këtë gjë. Për pagesat me çek për një avokat”.

Sidoqoftë, ish-presidenti Trump është përpjekur ta shndërrojë statusin e të akuzuarit penalisht në një vlerë për fushatën e tij, duke mbledhur fonde për sfidat e tij ligjore dhe duke sulmuar vazhdimisht një sistem gjyqësor për të cilin ka pretenduar prej vitesh se është përdorur si mjet kundër tij. Në javët në vazhdim kjo çështje gjyqësore do të testojë aftësinë e jurisë për ta gjykuar Trump në mënyrë të paanshme, si dhe aftësinë e tij për të ndjekur rregullat e sallës së gjykatës, apo urdhrat për të mos sulmuar dëshmitarët, anëtarët e jurisë, prokurorët etj.

Trump përballet me 34 akuza penale për falsifikimin e të dhënave të biznesit, që mund të shoqërohen me deri në katër vite burgim, megjithëse nuk është e qartë nëse gjykatësi do të kërkonte një dënim të këtillë. Dënimi nuk do ta përjashtonte Trump nga marrja sërish e presidencës, por duke qenë se është çështje gjyqësore e një shteti, ai nuk do të mundet ta falë veten me dekret nëse gjendet fajtor. Ai e ka mohuar në mënyrë të përsëritur të ketë bërë ndonjë shkelje.

Çështja gjyqësore e hapur nga prokurori i Manhatanit, Alvin Bragg i rikthehet një kapitulli të vjetër të biografisë së Trump, kur e shkuara e tij si person i njohur i skenës u përplas me ambiciet e tij politike, dhe kur sipas prokurorëve u përpoq të heshte historitë që mund të dëmtonin fushatën e tij.

Deklaratat fillestare që u bënë të hënën shërbejnë si prezantim për një gamë shumëngjyrëshe personazhesh që do të kenë rol të rëndësishëm, si Stormy Daniels, aktorja e filmave pornografikë që thotë se iu dhanë paratë për të heshtur; Michael Cohen, avokati për të cilin prokurorët thonë se bëri pagesën; si dhe David Pecker, publicisti që pranoi të shërbejë si “sytë dhe veshët” e fushatës elektorale të Trump dhe që u ul në bankën e dëshmitarëve si personi i parë i thirrur nga prokuroria të hënën.

Pecker do të rikthehet në bankën e dëshmitarëve të martën, kur gjykata pritet gjithashtu të dëgjojë argumentat nëse Trump ka shkelur urdhrin e gjykatës gjatë javës së shkuar me postimet e bëra në rrjetin Truth Social në lidhje me dëshmitarët.

Gjatë deklaratës së tij hapëse, prokurori Colangelo paraqiti një përpjekje gjithëpërfshirëse nga Trump dhe aleatët e tij për të ndalur bërjen publike gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2016 të tre historive të veçanta, dy prej të cilave nga gra që pretendonin për lidhje seksuale. Prokurori tha se kjo përpjekje u bë edhe më urgjente pas publikimit të një regjistrimi ku Trump dëgjohej duke u mburrur për kontaktet seksuale me gratë pa lejen e tyre.

Prokurori Colangelo lexoi komentet e Trump në regjistrimin e atëhershëm, ndërsa Trump e ndiqte nga salla e gjyqit pa reaguar.

“Ndikimi i kësaj kasete tek fushata ishte i menjëhershëm dhe tronditës”, tha prokurori Colangelo.

Pak ditë pasi kaseta u bë publike, prokurori Colangelo u tha anëtarëve të jurisë se tabloidi “National Enquirer” paralajmëroi avokatin Cohen se Stormy Daniels po planifikonte të dilte publikisht me pretendimin e saj për një marrëdhënie seksuale me Trump në vitin 2006.

“Me udhëzimin e Trump-it, Cohen negocioi një marrëveshje për të blerë historinë e zonjës Daniels, për t’ua ndaluar votuesve amerikanë që ta dëgjonin këtë histori përpara ditës së votimeve”, i tha jurisë prokurori.

Por, shtoi prokurori, “as Trump-i dhe as Organizata Trump nuk mund të lëshonin një çek ku shkruhej ‘rimbursim për pagesën për një pornostare’, kështu që ata ranë dakord të manipulonin regjistrat dhe ta bënin të dukej sikur shumat ishin të ardhura, pagesa për shërbimet e bëra”.

Këto të dhëna të falsifikuara shërbejnë si shtylla kryesore e 34 akuzave ndaj Trump. Vetë ai e ka mohuar të ketë patur një marrëdhënie seksuale me zonjën Daniels.

Avokati mbrojtës Blanche u përpoq të godiste besueshmërinë e Cohen, i cili pranoi fajësinë për akuzat federale për rolin e tij në skemën e pagesave. Avokati e paraqiti atë si “të fiksuar” pas Trump dhe që të cilit nuk mund t’i zihet besë. Avokati Blanche tha se Trump nuk ka bërë asgjë të paligjshme, kur kompania e tij i regjistroi çeqet për Cohen si shpenzime ligjore.

“Nuk ka asgjë të gabuar nëse përpiqesh të influencosh zgjedhjet. Quhet demokraci”, dhe jo krim, tha avokati Blanche.

Ai kundërshtoi parimin se Trump ra dakord ta paguajë zonjën Daniels për të mbrojtur fushatën e tij dhe tha se transaksioni synonte të neutralizonte një përpjekje “dashakeqe” për ta turpëruar Trump dhe njerëzit e tij të dashur.

“Presidenti Trump u kundërpërgjigj, siç ka bërë gjithnjë, dhe siç ka të drejtën ta bëjë, për të mbrojtur familjen e tij, reputacionin e tij dhe emrin e tij, dhe ky nuk është krim”, i tha jurisë avokati Blanche.

Në sektorin e revistave tabloide, përpjekjet për të heshtur historitë e dëmshme njihen si përpjekje për të identifikuar dhe neutralizuar një histori, duke blerë të drejtat për botimin e saj dhe duke ia ndaluar kështu personit rrëfimin e kësaj historie tek palë të tjera.

Krahas pagesës për zonjën Daniels, prokurori Colangelo përshkroi edhe marrëveshje të tjera, ndër to një pagesë 150 mijë dollarëshe për një ish-modele të revistës Playboy për të heshtur pretendimet për një marrëdhënie gati njëvjeçare me Trump, ndërsa ai ishte i martuar. Prokurori Colangelo tha se Trump “nuk dëshironte absolutisht që ky informacion për Karen McDougal të bëhej publik, pasi shqetësohej për ndikimin që mund të kishte tek zgjedhjet”.

Prokurori i tha jurisë se ata do të dëgjonin një regjistrim që Cohen bëri në shtator 2016, ndërsa informonte Trump për planin për të blerë historinë e zonjës McDougal. Regjistrimi u bë publik në korrik 2018. Prokurori Colangelo u tha anëtarëve të jurisë se do ta dëgjonin vetë zërin e Trump ndërsa thotë: “Sa do të duhet të paguajmë për këtë? 150?”.

Ish-presidenti Trump hedh poshtë pretendimet e zonjës McDougal për një marrëdhënie mes tyre.

Dëshmitari i parë dhe i vetëm i së hënës ishte Pecker, në atë kohë botues i revistës tabloid National Enquirer dhe një mik i hershëm i Trump. Prokurorët thonë se ai u takua me Trump dhe Cohen në Kullën Trump në gusht 2015 dhe ra dakord të ndihmojë ekipin elektoral që të identifikojë historitë negative për Trump.

Pecker e përshkroi praktikën e ndjekur nga tabloidi si “gazetari çeqesh”, një praktikë që parashikon pagesa për personat që shërbejnë si burim informacioni.

“U thashë redaktorëve që të mos harxhonin mbi 10 mijë dollarë” për një histori, pa marrë paraprakisht miratim nga unë, tha Pecker.

Çështja gjyqësore e Nju Jorkut ka marrë rëndësi të shtuar pasi mund të jetë çështja e vetme që mbërrin në fazën e gjyqit përpara zgjedhjeve të nëntorit. Tre çështjet e tjera janë vonuar nga apelimet dhe sfidat e ndryshme ligjore./VOA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:54
Presidenti iranian kërcënon Izraelin: Nëse na sulmon, nuk ka gjasa të mbetet diçka nga shteti hebre

Presidenti i Iranian Ebrahim Raisi, gjatë një fjalimi në Universitetin e Lahores, ka parlajmëruar Izraelin, se nëse këta të fundit do e sulmojnë Iranin, nuk ka gjasa që të mbetet diçka nga shteti hebre.

“Nëse Izraeli sulmon Iranin, nuk ka gjasa që të mbetet diçka nga shteti hebre”, thotë Raisi, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.

Aktualisht presidenti ndodhet që nga dita e djeshme në Pakistan për një vizitë zyrtare tre ditore.

SI.E./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

SHBA, akuza për ryshfet ndaj ligjvënësit Henry Cuellar

SHBA, akuza për ryshfet ndaj ligjvënësit Henry Cuellar