/ATSH-AFP/ - SHBA-ja paralajmëroi kundër përpjekjeve për destabilizim të gadishullit arabik nga ana e Iranit,  numri një i të cilit i kërkoi Arabisë Saudite, mbështetur nga Uashingtoni, ndërprerjen e akteve kriminale në Jemen.
Në të njëjtën kohë, luftimet vazhdojnë të jenë intensive në terren në ditën e 15-të të sulmeve ajrore të  koalicionit arabo-sunit, drejtuar nga Riadi kundër rebelëve shiitë të mbështetur nga Teherani.
Sekretari amerikan i shtetit John Kerry konfirmoi hapur se vendi i tij e dinte që Irani ka armatosur rebelët Houthis të cilët kanë pushtuar kryeqytetin Sana dhe shumë rajone të të Jemenit para se të zhvendoseshin drejt jugut.
"Irani duhet të dijë se SHBA-ja nuk do të qëndrojë duarkryq ndërkohë që rajoni është destabilizuar dhe disa persona kanë nisur një luftë të hapur nëpërmjet kufijve ndërkombëtarë të vendeve të tjera", deklaroi Kerry.
Lideri suprem iranian, ajatollahu, Ali Khamenei shprehu kritika për Arabinë Saudite dhe sulmet që ajo ka ndërmarrë në krye të koalicionit, kundër rebelëve në Jemen.
Ai kërkoi ndalimin e akteve kriminale, duke shtuar se ky operacion në rajon është i papranueshëm.