SHBA-Angli, si sfidë e opozitës dhe tandemi Berisha-Meta

SHBA-Angli, si sfidë e opozitës dhe tandemi Berisha-Meta

Sali Berisha dhe Ilir Meta

Përpjekja për ta kuptuar opozitën e sotme Berisha-Meta dhe mungesën e dinjitetit në jo pak segmente të saj, mund ta gjesh edhe po të ndjekësh rrjedhën e historisë dhe krahasimin me përballjen e opozitës së dikurshme shqiptare me regjimin e asaj kohe.

Flitet për vitin 1945, kohë kur një grup përfaqësuesish të atëhershëm të opozitës shqiptare i dërguan një Notë misioneve Aleate. Musine Kokalari, Qenan Dibra, Shaban Balla dhe Sami Qeribashi rreshtuan aty disa kërkesa dhe bashkangjitën edhe programin e asokohshëm të opozitës shqiptare, ku kërkonin: 1-Shtyrjen e zgjedhjeve;/ 2-Liri shtypi dhe propagandë;/ 3-Mbikëqyrjen e zgjedhjeve nga aleatët;/ 4-Nuk mjafton ardhja e korrespondentëve të huaj për zgjedhje, por duhet kontroll aleat.

Notës i bashkëlidhej edhe dokumenti me titull “Program aktual i përbashkët”. Në thelb pak gjëra ndryshojnë nga ankesat e sotme, por përfaqësuesit e formacioneve të ndryshme deri te monarkiste shkruanin hapur e qartë konceptin e tyre. Dokumenti i hulumtuar nga ish- drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, Dervishi veç rëndësisë na sjell dhe na vë përballë një realiteti të dhimbshëm. Edhe pse vetëm pak kohë pas lufte; edhe me një kulturë jo shumë të madhe teorike; edhe pa ndihmën e madhe dhe asistencën e të huajve (siç është sot e pakursyer për politikën shqiptare); edhe përballë njerëzve që nuk të kursenin (Tirana asokohe bëhet dëshmitare e ekzekutimit të jo pak njerëzve pa gjyq) sepse kanë inercinë e madhe të fitores mbi fashizmin, njerëzit e opozitës gjykojnë dhe janë shumë më tepër patriotë se të sotmit.

Musine Kokalari që duket se është truri i të gjithës ka vizion shumë më të lartë sesa një dyzinë shtirakësh që na rrethojnë sot në politikë. Nota i drejtohet Aleatëve të Mëdhenj, që pak muaj më vonë do të asistojnë dhe do të shikojnë konfuzionin real dhe pafuqinë e tyre para një regjimi, që do t’i japë Shqipërisë një udhë shumë të ngulfatur. Kokalari do të pranojë shumë gjëra në gjyq por me një dinjitet të papërsëritshëm të qëndrimit dhe mbi të gjitha me qartësinë se ishte kundër ligjeve të pasluftës. Kurse tre të tjerët do të dënohen në korrik 1946 me pushkatim.

Fjalët e fundit të tyre do të jenë dëshmi e preludit të asaj që do të pësojnë shumë shqiptarë të ndershëm. Shaban Balla: Ju lë kujdes fëmijën! Qenan Dibra, lë një letër për familjen me kërkesën që t’i dorëzohet. Qeribashi: Më në fund t’u plotësua dëshira, O prokuror. Edhe ti një ditë do ta pësosh si unë. Rroftë Shqipërija me Kosovën! Përfaqësuesit e Aleatëve, që do asistonin në gjyq, nuk do kishin fuqi të ndryshonin as edhe një gjë të vetme, paçka se e dinin se Shqipërinë e kishin lënë me dashje në Lindje. Bashkë me këta njerëz që ishin lënë edhe prej tyre në një qerthull të egër…

Kohët kanë ndryshuar në kalendarin politik, por jo në politikat e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, që e kanë Shqipërinë totalisht në sferën e tyre të influencës. Madje, SHBA dhe Anglia kanë fuqi të pakushtëzuar deri në ligjvënien shqiptare. E kanë treguar në shumë segmente, sidomos në Drejtësi, por thjesht edhe qenësia në një Aleancë si NATO na detyron shumë deri te sovraniteti para tyre. E megjithatë, sërish ka gjëra për të cilat as nuk merren parasysh. SHBA-ja e sotme e ka shpallur non-grata ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Berisha dhe duket një ftohtësi do të rrjedhë paskëtaj edhe me ish-presidentin Meta.

Një kurs të njëjtë ka ndjekur edhe Mbretëria e Bashkuar me Berishën. Nëse do të flasim për normalitet demokratik dhe ku SHBA-ja kërkon nga autoritetet shqiptare të ndjekin vetë logjikën e gjetjes së provave për Berishën, pas shpalljes non-grata, atëherë kupton se janë sërish organet shqiptare që pak po përshtaten me pushtetin demokratik, ku institucionet e pavarura duhet të veprojnë jashtë politikës. Për hir të së vërtetës, përdorimi i fjalës demokraci është i tepërt në vende si Shqipëria. Të paktën në familjen e vendeve që erdhën nga komunizmi.

Analisti Spahiu tregoi një logjikë juridike kohët e fundit sipas të cilës Berisha është i paprekshëm: “sepse ka kaluar afati 10 vjeçar i parashkrimit penal. Kodi Proçedural Penal nuk lejon proçedimin e një subjekti që ka kryer veprën penale korrupsion aktiv apo pasiv dhe shpërdorim detyre 10 vjet më parë”. Me të njëjtën logjikë mund të flitet për Metën. Ajo që i kërkohet për kazusin e floririt ka kohë që ka kaluar kurse humbja e retorikës për këtë tregon shterpësi, por edhe pamundësi dhe sidomos pazotësinë e sistemit juridik, që nuk i tregoi vendin politikanit Meta, atëherë kur duhej.

Në fakt, nuk ishte thjesht e vetëm një fenomen shqiptar, ai që rrodhi me demokracinë pas viteve ’90, ndaj edhe modeli i SHBA-së është ‘i tepërt’. “Në vitet ’90, shtetet fort nacionaliste dhe/ose autoritare thjesht nuk ishin në gjendje të funksiononin sipas kërkesave të institucioneve moderne politike: si komunitete të qytetarëve të lirë dhe të barabartë. Kultura politike e statizmit dhe autoritarizmit mbeti e ngulitur thellë në rajon”, konstaton Janusz Bugajski.

Njohësi i mirë i Ballkanit këtu sheh edhe paradoksin e Ballkanit Perëndimor, që nuk funksionoi dot edhe në kontekstin e ri pluralist. Në shumicën e vendeve të Gadishullit, kulturat politike jodemokratike mbetën dominuese, në të cilat: “interesat e ngushta nacionaliste dhe populiste patën një ndikim shumë të fortë”, citohen në një artikull studiuesit V. Gligorov, M. Holzner, dhe M. Landesmann.

Dhe, bash ky lloj populizmi tashmë i drejtuar nga politikanët e sotëm si tandemi Berisha-Meta e barazon gati me asgjë verdiktin e SHBA-së dhe Britanisë, lidhur me non-gratat (Në fakt s’është vetëm Berisha), ashtu si edhe konstatimin që ka nevojë për një analizë më të thelluar, i cili mund të tregojë se… nuk janë më aq të dashur në Shqipëri. Qëndrimi shumë ambuig ndaj ambasadorëve të saj në këto 30 vjet është një aspekt, kurse tjetra është retorika e lodhshme e burokratëve partiakë, zgjatime të Berishës dhe Metës, që justifikojnë gjithçka madje duke e qesëndisur SHBA-në dhe Anglinë me liliputinë e tyre karakteriale dhe verbëria e militantëve.

A është ky vetëm rasti i Shqipërisë?! Tranzicioni nga komunizmi në Evropë dhe ish-Bashkimin Sovjetik vetëm nganjëherë ka prodhuar një tranzicion normal drejt demokracisë. Që nga shembja e Murit të Berlinit në 1989 dhe rënia e Bashkimit Sovjetik në 1991, shumica e njëzet e tetë shteteve të reja e kanë braktisur komunizmin, aman vetëm nëntë prej tyre kanë hyrë në radhët e demokracive liberale. Shumica e mbetur e shteteve të reja postkomuniste janë nuanca të ndryshme të diktaturave ose “regjimeve tranzicionale” të pakonsoliduara, shkruan Michael McFaul në artikullin “The Fourth Wave of Democracy and Dictatorship: Noncooperative Transitions in the Postcommunist World” (Vala e Katërt e Demokracisë dhe Diktaturës: Tranzicione jobashkëpunuese në botën postkomuniste).

Më keq se çdo gjë, ky realitet absurd po largon një masë të madhe simpatizantësh dhe po i lidh thjesht e vetëm votuesit militantë deridiku më fort me partinë. Kurse votuesit e zakonshëm gjenden në një qerthull dhe nuk i zhvillojnë më dot opinionet e tyre për Drejtësinë, Shpopullimin apo Opozitën bazuar më në përvojat e tyre. Tek e fundit e dinë që politikanët do ua ndërrojnë verdiktin, kur të marrin votëbesimin. Në vend të kësaj, ata dëgjojnë pa shpresë, kurse militantët ndjekin liderin, duke i përshtatur pikëpamjet sipas zgjedhjeve të tyre politike.

Megjithë të mirën, liberalizmi, që mëtojnë partitë politike, në Evropën Lindore është e mbetet një import perëndimor. Pavarësisht nga fenomeni Trump dhe Brexit, kriza ideologjike, SHBA dhe Britania e Madhe kanë ngulitur thellë kulturat e liberalizmit politik dhe social. Dhe, ky është modeli. Por në rastin e Shqipërisë bëhet tejet e vështirë sepse ata që e kanë marrë përsipër ndryshimin janë bash ata që historia i ka llogaritur të kenë vend tjetër. Atë të modelit për të mos u ndjekur. Ky është edhe paradoksi shqiptar i tandemit Berisha-Meta dhe përballjes me SHBA-në dhe Anglinë, që atë ditë të largët të korrikut 1946, opozitarët shqiptarë mendonin deri në frymën e fundit se do të kishte jetë në Shqipëri… por vetëm me modelin e tyre. Të provuar nga historia dhe arsyeja. (Homo Albanicus).

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë