Italia ka bllokuar uljen e disa avionëve bombardues amerikanë në bazën e Sigonella-s, në një vendim të marrë në momentet e fundit që mund të ndikojë drejtpërdrejt në marrëdhëniet me SHBA-të.
Problemi nuk ishte vetëm ulja e avionëve, por mënyra si u kërkua, në ajër, pa leje dhe jashtë rregullave.
Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë dhe fillimisht është mbajtur e fshehtë.
Sipas raportimit të “Corriere della Sera”, i konfirmuar edhe nga burime për The Guardian, disa bombardues amerikanë kishin në plan të uleshin në Sigonella, një bazë kyçe e marinës amerikane dhe e NATO-s në Siçili , përpara se të vijonin drejt Lindjes së Mesme.
Por procedurat nuk u ndoqën.
Shefi i Shtabit të Mbrojtjes, Luciano Portolano, u informua nga Shtabi i Forcës Ajrore se plani i fluturimit parashikonte këtë ndalesë. Problemi? Nuk ishte bërë asnjë kërkesë për autorizim paraprakisht dhe nuk kishte pasur konsultim me autoritetet italiane.
Madje, sipas mediave, kërkesa për ulje u bë vetëm kur avionët ishin tashmë në rrugë drejt Siçilisë. Kjo e vendosi qeverinë e Giorgia Melonit përballë një fakti të kryer.
Pas kontaktit me ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto, vendimi erdhi i prerë: ndalohet ulja.
Verifikimet e para treguan se nuk bëhej fjalë për fluturime rutinë apo logjistike, të cilat lejohen nga marrëveshjet ekzistuese mes dy vendeve. Përkundrazi, këto fluturime nuk hynin në kategoritë e parashikuara nga traktatet.
Sipas marrëveshjeve të nënshkruara në fund të viteve ’50, marina amerikane mund të përdorë bazën për qëllime logjistike dhe stërvitje, por jo si pikë tranziti për avionë që transportojnë armë për operacione lufte, përveç rasteve emergjente. Edhe në këto raste, kërkohet miratim nga Parlamenti italian.
Në këtë rast, jo vetëm që nuk kishte emergjencë të deklaruar, por nuk kishte as kohë për të kaluar procedurat parlamentare.
Një tjetër element i rëndësishëm: avionët në planin e fluturimit kishin të ashtuquajturin “caveat”, që do të thotë se nuk mund të ulen pa autorizim specifik, përveç rasteve urgjente.
Me urdhër të drejtpërdrejtë të Crosetto-s, ishte vetë Portolano që njoftoi komandën amerikane: avionët nuk lejohen të ulen në Sigonella.
Vendimi është marrë duke llogaritur edhe rrezikun e një përplasjeje diplomatike, si ajo e vitit 1985 mes qeverisë së Bettino Craxi dhe presidentit amerikan Ronald Reagan.
Ndërkohë, zhvillimi ka ndezur menjëherë reagime politike në Itali.
Prej ditësh, politikanë të opozitës së majtë në Siçili i kanë kërkuar qeverisë së Giorgia Meloni të sqarojë çfarë po ndodh në bazën e Sigonella-s, sidomos pas rritjes së aktivitetit ushtarak që nga nisja e luftës në Iran.
Madje, opozita ka kërkuar hapur që Italia të bllokojë përdorimin e bazave të saj nga SHBA-të për përfshirje në këtë konflikt.
Italia aktualisht ka shtatë baza të marinës amerikane në territorin e saj.
Komente











