Shembet drejtësia/ Shkrihen KLD dhe ‘Krimet e Rënda’, Arta Marku humbet kompetencat

Ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në javën e dytë të muajt dhjetor, bazuar në urdhrat e kryeprokurores së përkohshme Arta Marku dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, do të shënojë shembjen e sistemit aktual të drejtësisë në Shqipëri dhe formimin e institucioneve të drejtësisë së re. Zgjedhja e gjashtë anëtarëve të KLGJ në 12 dhjetor pasjellë shkrirjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, institucionit më të kritikuar nga ndërkombëtarët për qoka, klientelizëm dhe mbrojtjen e gjyqtarëve të korruptuar. Pika 1 e nenit 277 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, parashikon që mandati i anëtarët të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përfundon në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pika 4 e këtij neni përcakton se ditën e krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të gjitha dosjet dhe dokumentacioni në administrim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë i kalojnë KLGJ. Pra, konstituimi i KLGJ pasjellë automatikisht rënien e KLD, që do të thotë se, me ngritjen e KLGJ, kryetari i KLD Ilir Meta, së bashku me anëtarët Xhezair Zaganjori, Etilda Gjonaj, Artan Broci, Astrit Haxhialushi, Gjin Gjoni, Vangjel Kosta, Brunilda Kadi, Eneida Civici, Petrit Çomo, Gerd Hoxha, Neritan Cena dhe Ridvan Hado, nuk mund të mblidhen për të marrë vendime. Sipas ligjit, KLGJ emëron, ngre në detyrë dhe shkarkon gjyqtarët, përfshi edhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ngritja e organeve të SPAK-ut
Formimi i Këshilli të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë është përcaktues për t’i hapur rrugën ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale, të projektuara për të luftuar krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet. Neni 12 pika 1 i ligjit për SPAK-un, i miratuar që në vitin 2016, parashikon që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për një mandat nëntëvjeçar. Ndërkaq, neni 148/dh i Kushtetutës së ndryshuar parashikon që drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje, sipas ligjit. Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë Gjyqësor emëron gjyqtarët në Gjykatat Speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Shkrihen Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda
Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, në të dy shkallët, do të zëvendësohen nga Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata Speciale. Neni 57 i ligjit për SPAK-un parashikon që të gjitha dosjet në Gjykatën dhe Prokurorinë e krimeve të rënda u kalojnë gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme. Gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokuroria e Posaçme do të vendosen në ndërtesën aktuale të Gjykatës për Krimet e Rënda dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda. Ndërkaq, qeveria duhet të sigurojë një mjedis të përshtatshëm për Byronë Kombëtare të Hetimit, e cila do të punojë për llogari dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Gjyqtarët dhe prokurorët aktualë të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për t’u bërë pjesë e organeve të SPAK-ut, duhet që të kalojnë procesin e Vetingut. Gjyqtarët dhe prokurorët, përfshirë edhe familjarët e tyre, duhet të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake.

Marku humbet kompetencat
Konstituimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë sjell ndryshime të rëndësishme në prokurori. Me ngritjen e KLP, Prokurori i Përgjithshëm humbet kompetencat më të rëndësishme. Konkretisht, kryeprokurori nuk mund t’i propozojë më Presidentit emërimin, transferimin, ngritjen në detyrë, largimin nga detyra dhe shkarkimin e prokurorëve. Humbet kompetencën e caktimit të drejtuesve të prokurorive dhe të zëvendësve të tyre, kompetencën e komandimit të prokurorëve, të emërojë dhe shkarkojë Sekretarin e Përgjithshëm në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kancelarët e prokurorive. Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm, në rasatin konkret, nuk mund të urdhërojë kryerjen e inspektimeve, fillimin e procedimit disiplinor dhe marrjen e masave disiplinore kundër prokurorëve. Shumica e këtyre kompetencave i kalojnë KLP. Gjithashtu, dosjet e korrupsionit dhe krimit i kalojnë Prokurorisë së Posaçme.

Zgjedhja e kryeprokurorit
Ngritja e KLP do të sjellë edhe rihapjen e garës për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e rikonfirmim të kryeprokurores aktuale të përkohshme, Ata Marku, për një mandat të plotë 7-vjeçar. Neni 35 i ligjit Nr. 97/2016 për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë parashikon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pas një procedure përzgjedhëse, i paraqet Kuvendit tre kandidatët për kryeprokuror. Kuvendi ka afat 30 ditë për të zgjedhur kryeprokurorin me 3/5 e votave. Nëse Kuvendi nuk e zgjedh dot brenda këtij afati, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Kompetencat e Këshillit të Lartë Gjyqësor

  1. Emëron gjyqtarët pas diplomimit në Shkollën e Magjistraturës.
  2. I propozon Presidentit për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë.
  3. Emëron, cakton në pozicion, transferon, ngre në detyrë dhe komandon gjyqtarët.
  4. Vlerëson veprimtarinë etike dhe profesionale si dhe vendos masa disiplinore për gjyqtarët.
  5. Emëron kancelarin e gjykatës dhe ndihmësit ligjorë.
  6. Mban lidhje me Shkollën e Magjistraturës në lidhje me trajnimin vazhdues të gjyqtarëve.
  7. Harton dhe ndjek zbatimin e politikave për administrimin gjyqësor.
  8. Miraton rregullat e brendshme standarde të gjykatës.
  9. Hedh të dhënat dhe përditëson Regjistrin Qendror të Personelit për nëpunësit civilë
  10. gjyqësorë.
  11. Publikon dhe shpall konkurrim të hapur për vendet e lira në shërbimin civil gjyqësor
  12. Miraton rregullat e që lidhen me statusin e nëpunësve civilë gjyqësorë.
  13. Ngre komisionin e ristrukturimit në rastet e mbylljes ose ristrukturimit të gjykatave.
  14. Cakton numrin e kandidatëve dhe prokurorëve që duhet të pranohen në Shkollën e Magjistraturës.
  15. Merr masa që publiku dhe palët e interesuara të informohen mbi veprimtarinë e gjykatave.
  16. Cakton të paktën një gjyqtar për mediat për çdo juridiksion apeli.
  17. Shqyrton funksionimin e rregullave të procedurës gjyqësore civile.
  18. Ndihmon gjykatat në hartimin e projektbuxheteve të tyre vjetore;
  19. Mbikëqyr dhe këshillon gjykatat mbi teknikat dhe procedurat e përshtatshme dhe efiçente që lidhen me menaxhimin financiar të tyre.

Kompetencat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë

  1. Emëron dhe ngre në detyrë prokurorët mbi propozimin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës.
  2. Emëron prokurorët e SPAK-ut
  3. Përzgjedh dhe i paraqet Kuvendit kandidatët për kryeprokuror.
  4. Vendos masën disiplinore të shkarkimit mbi prokurorët e prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit me dy të tretat e votave mbi propozimin e Komisionit Disiplinor;
  5. Miraton akte nënligjore normative, në zbatim të këtij ligji ose të ligjeve të tjera, me efekt të përgjithshëm detyrues mbi të gjithë prokurorët.
  6. Miraton akte për rregullimin e procedurave të brendshme të Këshillit.
  7. Shqyrton ankimet kundër vendimeve të komisioneve.
  8. Miraton udhëzime të përgjithshme jodetyruese.
  9. Miraton rregulla të detajuara për funksionimin e administratës së Këshillit.
  10. Miraton përbërjen e komisioneve të përhershme, të komisioneve të përkohshme, si dhe rregulla të detajuara për veprimtarinë e tyre.
  11. Shqyrton ankimet kundër udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm ose të drejtuesve të prokurorive.
  12. Miraton rregulla të detajuara mbi menaxhimin dhe përdorimin e teknologjisë së informacionit.

Kompetencat që i hiqen Prokurorit të Përgjithshëm

  1. Kompetencat që i hiqen Prokurorit të Përgjithshëm
  2. I propozon Presidentit të Republikës emërimin, transferimin, ngritjen në detyrë, largimin nga detyra dhe shkarkimin e prokurorëve;
  3. Cakton drejtuesit e prokurorive dhe zëvendësit e tyre në prokuroritë pranë gjykatave, sipas kritereve dhe procedurave, të përcaktuara në këtë ligj;
  4. Urdhëron komandimin e prokurorëve, sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj;
  5. Emëron dhe shkarkon Sekretarin e Përgjithshëm në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kancelarët e prokurorive;
  6. Drejton, bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e prokurorisë;
  7. Urdhëron kryerjen e inspektimeve, fillon procedimin disiplinor dhe vendos për marrjen e masave disiplinore, si dhe urdhëron fillimin e procedimit penal kundër prokurorëve;
  8. Mbikëqyr drejtpërdrejt shërbimin e inspektimit të prokurorisë dhe miraton planin vjetor të inspektimeve të përgjithshme në prokurori.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • sapa: 02/12/2018 12:04

    Priti veshet gomarit prape gomar mbetet!Te njejtet plehra me emer tjeter!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion