Shfrytëzuesit e burimeve natyrore do të kenë një oponent teknik të ri, Shërbimin Gjeologjik Shqiptar. Në ligjin e ri "Për shërbimin gjeologjik", i cili ka mbërritur në Kuvend për shqyrtim në komisionet parlamentare, parashikohet forcimi i rolit dhe kompetencave të këtij institucioni në projektet zhvillimore të vendit. Kjo nënkupton se investimet në miniera, hidrocentrale apo në sektorë të tjerë të ekonomisë do të duhet të kalojnë edhe një hallkë të re.
"Me projektligjin e propozuar synohet mundësia e kryerjes së oponencave të të gjitha studimeve gjeologo-inxhinierike të kryera nga subjekte private, për të gjitha veprat inxhinierike në vend, në mënyrë që të evitohen në maksimum problematikat e deritanishme sidomos në veprat e rëndësishme të financuara nga shteti", thuhet në relacionin shoqërues të p/ligjit.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, përcakton p/ligji, është e detyruar të dorëzojë në Arkivin Qendror Teknik të Gjeologjisë, për qëllime studimore, raportet e studimeve të çdo lejeje hidrokarbure kërkim-zbulimi.
Po ashtu, në Arkivin Qendror Teknik të Gjeologjisë arkivohet informacion gjeologjik i çdo zotëruesi të lejes minerare, si dhe dokumentacioni gjeologjik krahinor i studimeve dhe lejeve dhe dokumentacioni faktik i punimeve gjeologjike etj. Nga ana tjetër, edhe lejet e reja zhvillimore do të duhet të marrin miratimin nga ky shërbim. Ligji i ri përcakton se personat fizikë dhe juridikë, privatë ose shtetërorë, që kryejnë shpime me thellësi mbi 15 metra nga sipërfaqja e tokës, janë të detyruar të marrin miratimin për projektin nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar./atsh/