TIRANE-Tension dhe përplasje në fshatin Bajkaj në Delvinë. Shkak është bërë leja për një gurore në këtë fshat. Report Tv sjell pamjet e ngjarjes në Delvinë, që përfundoi me të lënduar. Banorët e fshatit janë kundër hapjes së gurores në këtë zonë.

Të irrituar se askush nuk i ka pyetur dhe nuk i kishte lajmëruar për dëgjesën që ishte planifikuar për ditën e sotme, banorët kanë shkuar dhe janë konfliktuar me përfaqësuesit e firmës. "Hapja e kësaj guroreje nuk i shërben komunitetit, përkundrazi prish bimësinë dhe ndot mjedisin" shprehen ata.

Ata kanë akuzuar përfaqësuesit e firmës dhe pushtetin vendor se tenton që të bëjë dëgjesa nëpër ferra fshehurazi me qëllim lejimin e gurores.

Pas debatit verbal, situata agravoi dhe banorët u përplasën me përfaqësuesit e firmës 'Dinamika', njëri prej tyre i gjakosur ka reaguar dhunshëm duke goditur kamerën e Report Tv.

"Përfaqësuesit e firmës reaguan vrullshëm ndaj prezencës së medias" tha gazetari i Report Tv, Limos Didani.

VIDEO/Sherri në Delvinë dhe momenti kur përfaqësuesi i firmës godet kamerën e Report TV

Për të qetësuar situatën ndërhynë përfaqësues të tjerë të firmës dhe banorët. "Lëre gazetarin, është në të drejtën e Zotit në punën e vet" u shprehën ata.

Ndërkohë që banorët kanë kërcënuar përfaqësuesit e firmës që të mos tentojnë projektin e nisur, pasi nuk do i lejojnë që ta realizojnë. "U q*ifsha robt, ikni se u dogjëm të gjallë. Maskarenj do u bëjmë copë copë.

Do ta vras. Drejtorët që do bëjnë dëgjesë publike po fshihen nëpër ferra. Do të bëjë dëgjesë publike nëpër ferra, ka ardhur vetëm me pronarin. Turp!" dëgjohen banorët.  

Një banor u shpreh për Report Tv se zona që po tentohet të shfrytëzohet për gurore është zonë ushtarake. "Jemi mbledhur sepse morëm vesh se do të bëhej një dëgjesë publike dhe u mblodh i gjithë fshati dhe po presin të vinte bashkia me këta që do të bënin dëgjesën dhe marr vesh se këta kanë ardhur në këtu në mes të ferrave për të bërë dëgjesën, por ku është publiku?

Një zotëri që ishte përfaqësues, i shtetit më tha drejtor te ministria e mjedisit për qarqet e jugut, por ku është publiku. Ne na kanë shkatërruar. Erdhën të na groposin, nuk i lejojmë. Erdhën dhe po e paraqesin vendin sikur do të zhvillohet biznesi i tyre, është zonë ushtarake, e ministrisë së Mbrojtjes, kam hartën. Kjo është 100 metra nga fshati" tha ai.

Por një përfaqësues i firmës e mohoi duke sjellë tension. "Nuk po e bëjmë fshehurazi. Dy vite më parë bëmë kërkesën për leje. Gjithë kjo zonë është për gurore" tha ai, por banorët e cilësuan si mashtrim.  

"Nuk kemi ardhur as për sherr as për shamatë, këtu i kemi fushat me mandarinë. Këtu nuk sjellim dot një të vdekur, se do të bëhet pluhur. Ka rregulla. Kemi mbi 50 vjet këtu, ju lutem na ndihmoni sepse këta bëjnë lojëra të pista. Nëse bëhet gurorja duhet të arratisemi të ikim.

Unë kam një bujtinë këtu, kam 7 turistë polakë, por nëse bëhet kjo, ata nuk ka shans të vijnë për herë të dytë. Ne kemi fëmijët për t'i rritur dhe jo për t'i zhdukur" thanë më tej banorët të irrituar.

"Jam shumë i irrituar, kam tre fëmijë, do të vdes për ata fëmijë. Jo Papajanët të jenë, apo bir kur*e të jenë këtu, kam tre fëmijë dhe të vijë Papajani ti vdesë me landfillin me ca mu*ër nuk jam dakord" tha një tjetër. 

Tre persona, kryeplaku i fshatit dhe dy të tjerë, mes tyre përfaqësuesi i firmës që goditi kamerën e Report Tv u shoqëruan nga policia e Delvinës.  Banorët kanë firmosur edhe një peticion drejtuar kryeministrit, ministrive të Infrastrukturës e Mjedisit dhe bashkisë Delvinë duke i kërkuar që të anulojë lejen për guroren që është planifikuar. "E marrim këtë nismë duke firmosur të gjithë banorët, jemi kundër kësaj guroreje" tha njëri nga banorët e zonës.