Një konflikt në banesën e një gruaje në Rrogozhinë përfundoi me nxjerrjen e një kallashnikovi dhe kërcënime për vrasje, ndërsa ndërhyrja e Policisë shmangu përshkallëzimin e situatës.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të së dielës, kur 35-vjeçari me inicialet A. S., nga Tirana, po shkonte në banesën e një 36-vjeçareje për arsye ende të panjohura. Në banesë ndodheshin edhe A. I., 26 vjeç, dhe O. T., 21 vjeç, të dy banues në Peqin.
Për motive që Policia i cilëson si të dobëta, 26-vjeçari dyshohet se nxori një armë zjarri tip kallashnikov dhe kërcënoi me vrasje 35-vjeçarin.
Pas njoftimit, efektivët lokalizuan banesën dhe gjatë kontrollit sekuestruan kallashnikovin dhe municion luftarak të fshehur nën divan.
Për ngjarjen u arrestua A. I., i akuzuar për kanosje dhe mbajtje pa leje të armës, ndërsa në pranga përfundoi edhe 21-vjeçari O. T. për moskallëzim krimi. Në gjendje të lirë po hetohet edhe 36-vjeçarja, pasi sipas Policisë nuk ndodhej në banesë në momentin e konfliktit, por dyshohet për moskallëzim krimi.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
"Rrogozhinë/ Finalizohet operacioni policor “Prevent 2”, parandalohet përshkallëzimi i një konflikti me pasoja për jetën Vihet në pranga 26-vjeçari dhe sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, me të cilën kanosi për vrasje një 35-vjeçar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Rrogozhinë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Prevent 2”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. I., 26 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kanosja”;
O. T., 21 vjeç, banues në Peqin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Rreth orës 01:00, të datës 13.09.2026, shërbimet e Policisë morën informacion se një shtetas po kërcënonte me armë zjarri, për motive të dobëta, një 35-vjeçar.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, u organizua puna, duke lokalizuar banesën ku ndodheshin shtetasit A. I. dhe O. T.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, ku ndodheshin këta shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip kallashnikov dhe municion luftarak.
Shtetasi A. I., për motive të dobëta, kishte kanosur për vrasje shtetasin A. S., 35 vjeç, nga Tirana, i cili po shkonte te banesa e një 36-vjeçareje, ku ndodheshin dy shtetasit A. I. dhe O. T.
Në vijim të veprimeve procedurale, pas konsultimit me Prokurorin, nisi procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, ndaj 36-vjeçares, banuese në Rrogozhinë, e cila nuk ndodhej në banesë kur ndodhi konflikti mes dy shtetasve.
Arma e zjarrit dhe municionet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme kriminalistike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme në ngarkim të shtetasve të mësipërm"









Komente
Komento