Shifrat e pagave/ Shqiptarët paguhen mesatarisht me 380 euro në muaj me pagë bruto

Paga mesatare e shqiptarëve gjatë vitit të kaluar ka qenë 380 euro, sipas raportit më të fundit të Institutit të Statistikave. Në këtë mënyrë, në rajon vetëm Kosova dhe Maqedonia ka pagë mesatare më të ulët, ndërkohë që gjithë vendet e tjera e kanë më të lartë, madje edhe Bosnja. Pagat mesatare më të larta në rajon i ka Sllovenia dhe Kroacia. Të dhënat e Institutit Statistikor të Sllovenisë tregojnë se në fund të vitit 2017 paga mesatare neto mujore në Slloveni u rrit në 1.062 euro. Pas Sllovenisë radhitet Kroacia, ku sipas të dhënave të fundit, paga mesatare është rreth 835 euro.

Sipas Agjencisë së Statistikave, paga mesatare mujore neto në Bosnje dhe Hercegovinë në dhjetor të vitit 2017 ishte 440 euro, ku nominalisht ishte më e lartë për 0.6 për qind në krahasim me muajin e mëparshëm dhe me 1.1 për qind më e lartë në krahasim me muajin dhjetor 2016. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Serbisë, paga mesatare neto në dhjetor 2017 arriti në 459 euro, ndërkohë që Mali i Zi, e kishte pagën mesatare në muajt e fundit të vitit 2017 512 euro.

Ndërkaq, të dhënat e Aleancës Kosovare të Bizneseve tregojnë se paga mesatare në Kosovë për vitin 2017 ishte 363 euro, shifër që tregon për pagë më të ulët mesatare në rajon, kurse të dhënat e Entit të Statistikave të Maqedonisë tregojnë se në nëntor të vitit 2017 paga mesatare neto mujore në këtë vend arriti në 377 euro, gati barabar me Shqipërinë.

Raportet

Por paga mesatare fsheh raporte të ndryshme të punonjësve me pagat në përgjithësi. Në fund të vitit 2017, afro 666 mijë shqiptarë rezultuan të punësuar me pagë, nga të cilët 165 mijë janë të punësuar në sektorin publik dhe 500 mijë në sektorin privat. Ndërsa punonjësit e sektorit publik kishin paga bruto në masën 61.600 lekë në muaj, mesatarja e ekonomisë, ku përfshihet sektori publik dhe ai privat, e rezultonte me një pagë 48.967 lekë, ose 20% më e ulët.

Nga ana tjetër, rreth 30% e shqiptarëve të punësuar me pagë paguhen në masën 24 mijë lekë bruto, sa ç’është paga minimale, e caktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa gati 60% e tyre kanë pagë bruto më të ulët se 40 mijë lekë.

Ndryshimet

Paga mesatare bruto në Shqipëri ka qenë 47 mijë lekë në vitin 2014, por ra në afro 46 mijë në vitin 2016 dhe u rrit në 49 mijë në vitin 2017. Në këtë periudhë katërvjeçare, pagat janë rritur në total 2.7%, ose më pak se 0.6% në vit. Në terma realë, duke marrë parasysh inflacionin, punëmarrësit me pagë janë sot më të varfër se sa ishin në vitin 2014. Gjatë kësaj periudhe, indeksi i çmimeve të konsumit është rritur me 5.2%, ndërkohë që pagat janë rritur me 2.7%.

Paga mesatare erdhi në rënie gjatë viteve 2015 e 2016, ndërsa u rrit me 6.8% gjatë vitit 2017. Burimi i vetëm i rritjes së pagave gjatë vitit të kaluar ishte sektori publik. Para zgjedhjeve të vitit të kaluar, qeveria rriti pagat e punonjësve në sektorin buxhetor në masën 12.8%.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë