Shijaku: Si më urdhëruan 
t’i bëja këpucë Vojo Kushit

Shijaku: Si më urdhëruan <br />t’i bëja këpucë Vojo Kushit
TIRANE- Historitë e veprave të artit të Sali Shijakut janë pazgjishmërisht të lidhura me jetën e tij, mënyrën sesi i përjeton dhe i sheh ngjarjet, por edhe si i kujton ato. Pastaj kthimi në metaforë piktorike është një proces tjetër, që lidhet me lirinë e tij shpirtërore.

“Pavarësisht se ka dallime mes dy periudhave, për mua krijimtaria ka pasur vazhdimësi dhe jo tranzicion, siç e përjetuan shumë artistë. Thjesht isha i vetëdijshëm se punët e mia nuk do të kalonin më në komisionet e vlerësimit. Nuk mund ta mohoj se periudha përpara viteve ‘90 ka qenë shumë gazmore, por edhe e vështirë, por ne punonim me shumë pasion. Unë gdhihesha në studio. Kur të tjerët thoshin “Mirëmëngjes, ne thoshim “Natën e mirë”, thotë piktori.

Veprat e Sali Shijakut mbartin shumë histori, për të cilat duhet të rendësh pas tij dhe të dëgjosh brilantet që nxjerr nga tisi i harresës që u bie herë pas here veprave. Befasues është rrëfimi për veprën “Nusja”, ku hiret e kostumit kombëtar dhe ndjesitë e saj e mbushin veprën plot me mistere si misteret e “Mona Liza”-s së Da Vinçit. Duket sikur është një imazh, me të cilin piktori ka rënë përjetësisht në dashuri, por ja që zhgënjehemi...

“Nusen e kësaj pikture nuk e kam parë asnjëherë. Kam gjetur një foto të vjetër dhe të zbehur në rrugë, bardhë e zi, ku shquheshin vetëm motivet dhe ca nga rruazat e kostumit dhe shumë pak dallohej fytyra. Më ngacmoi ky imazh dhe nisa ta pikturoj, të krijoja ngjyra e nuanca, derisa ajo u shfaq e tillë”.

Nga ky rrëfim duket se nuk është dashuria për objektet, por dashuria për artin, për krijimin, e cila përcillet tek vepra “Nusja” e Sali Shijakut, e me të kush nuk është dashuruar. Nëse do kërkojmë të tjera befasi, mjafton të qëndrojmë tek ekspozita e Sali Shijakut në GKA,e cila do të qëndroj e çelur nga mbrëmja e 28 majit deri më 28 Qershor.

Çelja e ekpozitës
Plot 29 vjet pas ekspozitës së parë në Galerinë Kombëtare të Arteve, mbrëmë Piktori i Popullit, Sali Shijaku, ka çelur ekspozitën personale me 73 punë të reja dhe të retrospekivës. Kjo konsiderohet si ekspozita e parë vetjake e artistit, pas viteve ’90 në GKA. Nga 73 punët e ekspozuara, 50 prej tyre janë pjesë e koleksionit të artistit dhe 23 vepra vijnë nga studioja e tij. Kjo ekspozitë u shoqërua nga katalogu i saj.

Dje gjatë konferencës për shtyp, duke e falënderuar piktorin e njohur, drejtori Artan Shabani tha se GKA dhe bordi artistik kanë pasur si qëllim t’i paraqesin publikut më të ri shqiptar dhe atij të huaj krijimtarinë e Sali Shijakut.

Sipas tij, të gjitha këto e kanë një kosto, ku përfshihet reastaurimi i veprave të arkivës.  “Sali Shijkau do të mbetet si ekspozita e vitit në Galerinë Kombëtare të Arteve”, tha Artan Shabani, duke u shprehur më tej se “Piktori është vlerësuar dhe ende vlerësohet nga publiku shqiptar si një ikonë e pikturës dhe e ngjyrës, dhe si një prej piktorëve të veçantë, që prezantoi në vite krijimtari të afërt me imazhin e jetës shqiptare, me kërkesat e zhvillimit të shoqërisë shqiptare, si para apo dhe pas viteve ‘90”.

Drejtori i GKA-së Artan Shabani e ka përcaktuar krijimtarinë e Sali Shijakut si “pjesë të kulturës themeltare të artit figurativ tradicional shqiptar”. Piktori Ksenofon Dilo ka folur me hollësi për vlerat artistike dhe estetike të veprave. Duke parë pjesëmarrjen e ditës së parë, por dhe klikimet e publikut për lajmin e kësaj ezpozite, pritet që ekspozita e Sali Shijkaut të jetë një nga ekspozitat më të vizituara nga publiku në GKA.

Duke jetuar në dekadat e fundit mes Italisë dhe Shqipërisë, Sali Shijaku më shumë se të bërit e ekspozitave shijon krijimin. Ka ende vepra në dorë, siç është vepra e “Mujit me Zanën”, ku piktori Shijaku e pëshkruan me humor filozofinë e Mujit që merr fuqi duke pirë sisë nga zanat e lëviz shkëmbin e madh nga vendi. “Zana nuk duhet t’ia jap dhe gjirin tjetër, -thotë ai -se Muji mund të lëvizi botën nga themelet.

Ekspozita nis në hyrje të sallës me pikturën e parë të viteve ‘50, autoportretin e artisti Sali Shijaku që e ka bërë kur ishte vetëm 18 vjeç. Që nga kjo vepër Sali Shijaku ka krijuar një rekord me 1500 vepra, që asnjë galeri nuk mund ti nxërë. Piktori Sali Shijaku shpjegoi se rikthimi me një ekspozitë vetjake në GKA ka qenë vazhdimisht në planet e tij, por u realizua vetëm tani. I parë dhe i riparë në retrospektivë, Sali Shijaku mbetet një nga piktorët të dashur të publikut shqiptar, dhe një nga më të mëdhenjtë e më interesantët në historinë e pikturës shqiptare. 
 
Profesor Shijaku, për djalin që simbolizon Vojo Kushin, ke pasur ndonjë model, sepse po “ta lexosh” jashtë kontekstit të heroit, kjo figurë djaloshare merr një interpretim tjetër, edhe pak erotik ndoshta. Ka ndonjë tipar tuajin aty?
-Vojo Kushin e kam njohur që në fëmijërinë time dhe e mbaj mend edhe tani atë ballin e tij me ato flokët e hedhura mënjanë. Kur bëhej lufta unë isha 9 vjeç dhe trembesha nga zhurmat e mitrolozëve, por nëna më thoshte që bëjnë zhurmë patat.

I kam parë kur ishin të rrethuar në një shtëpi me qerpiç bashkë me Xhorxhi Martinin, Sadik Stavelecin. Unë si kureshtar që isha shihja njerëz me kobure që iknin kërrusur dhe kam dëgjuar Vojon që trokiste në portën tonë. Ishin kohë të vështira dhe mbaj mend nënën time që qante.

Ajo i tha Vojos atë ditë të mos dilte në rrugë se rruga ishte bollokuar dhe se babain tim e kishin kthyer mbrapsht në shtëpi. Ka qenë histori e përjetuar, derisa dëgjova që Vojo Kushi bëri atë që bëri, hipi mbi tank për të hedhur granatëtn dhe e vranë. Madje modelin e tij në fillim e kam pasur skulpturë. Për këtë skulpturë unë e mora fotografinë e asaj dite nga arkivat, ku ai ishte fotografuar në morg i shtrirë me një plumb në ballë. Për të marrë modelin e kam ngritur fotografinë në këmbë dhe ai më dukej sikur ishte gjallë.
 
Duken pak të guximshme për kohën që jetuat këto nuanacat e artit impresionist, që i keni dhënë figurës së heroit?
- Përgjithësisht na duhej të realizonim një pikturë të angazhuar, ku duhej të vinim në pah punën dhe luftën e kombit. Megjithëse përpiqesha që herë pas here të isha edhe rebel në disa detaje. Për Vojo Kushin më bënë mbledhje se ishte këmbëzbathur.

“Duhet t’i veshësh këpucët më thanë, pse e ke bërë heroin pa këpucë?!”. Në mbledhje u diskutua gjatë dhe pati shumë debate, derisa ata të komitetit ua lanë që të merreshin me këtë detyrë kolegjiumit artistik. Unë bëra sikur do të rregulloja diçka, sa ishte situata e nxehtë nis atë të sistemoja ndonjë qerpik në sy, dhe nuk më bënte zemra që ta bëja me këpucë pikturën e Vojos në atë cast që ai kishte hipur mbi tank.

Erdhën e më kontrolluan dhe më thanë “Akoma nuk ia ke bërë këpucët?”. “Po si t’ia bëj unë këpucët, ne dimë që luftën e kanë bërë këmbëzbathurit, nuk e kanë bërë të pasurit që kishin këpucë”. Kështu u thashë me humor, që ta merrnin lehtë, por për mua këmba e zbathur kishte më shumë emocion njerëzor. Dhe nuk më ngacmuan më pastaj. 

Çfarë do t’i ndryshoje veprës nëse do ta pikturoje në këtë kohë?
-Thonë që edhe Homeri dremit nganjeherë, nuk i ka të gjitha këngët e sikronizuara, por nëse vërtetë do t’u ndryshoja diçka pikturave të mia të hesrhme, do t’ua ndryshoja këtë nggjyrën monokromatike, vetëm kaq mund të ndryshoja. Por unë mendoj se kam ndjekur lirinë time gjatë pikturimit,shumë pak gjëra jam detyruar të ndruyshojë edhe në kohën e realizmit socialist. Më kujtohet kur bëra partizanin që po qëllonte aeroplanin me pushkë.

Ashtu më erdhi figura e tij, e atillë që të vihej në dukje, një goditjhe me plumb që arrinte të rrezonte nga flururimi aeroplanin. Mirëpo ma gjykuan këtë pikturë dhe më thanë se “Ç’është kjo. Ne luftën e bëmë bashkë nuk e bëri një individ. Vetëm atëherë jam muduar të ndryshojë diçka. Jo afer partizanit por shumë larg tij, në një kodër që e ksiha në pikturë vura ca njerëz që ngjanin si miza të vogla dhe u thashë “I bëra, ja këta janë pezakët që po arrijnë së bashku me partizanët pas fitores”. U përpoqa ta bëja sa më të padushëm  ndryshimin, por s’kisha ç’bëja më shumë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës