Për banorët e lagjes "Stacioni i Trenit" në Milot, përmbytjet nuk ndodhin vetëm gjatë dimrit.
Në kulmin e verës, oborret dhe tokat bujqësore janë mbuluar nga uji, pasi ka dalë nga shtrati kanali vaditës i fushës së Kurbinit.
Problemi përsëritet prej tre vitesh dhe prek rreth 10 familje.
“Uji na përmbyt, lumi i Matit që e lëshojnë për vaditje dhe e hapin pa kriter. 20 centimetra ujë në oborr është jashtë logjike. Ne presim të na mbysë dora e Zotit, jo e njeriut”, thotë një banor.
Banorët shprehen se kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrje nga institucionet por deri tani nuk është gjetur një zgjidhje. Ata ngrenë shqetësimin edhe për ndotjen.
“Shkarkues nuk ka se e bllokojnë këta gjatë verës shkarkuesin.”
“Ku nuk kemi shkuar, në prefekturë e drejtori, por nuk ka zgjidhje”, thonë banorët.
Prefektura e Lezhës tha se i kërkuar Drejtorisë së Burimeve Ujore të monitorojë sasinë e shkarkimeve nga HEC-et në kaskadën e Matit, ndërsa Drejtoria e Ujitjes ka një ekskavator për të ndërhyrë kur ka prurje. Këto janë masa provizore derisa të hartohet një projekt për zgjidhjen përfundimtare.
Pas përmbytjeve të dimrit, në Fier kanë nisur ndërhyrja për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Vjosa me gjatësi rreth 3.4 kilometra.
“Po punohet në Kafaraj për mbrojtjen e tokave bujqësore dhe ujit të pijshëm”, thotë Elida Boçova.
Por ka dhe problematika të tjera, veçanërisht në lumin Seman, ku nevojitet një studim i plotë hidroteknik dhe ndërhyrje në argjinatura e kanale vaditëse.
Komente








