TIRANE-Presidenti i Republikës Ilir Meta ka rëndur gjuhën kundër ndërkombëtarëve duke deklaruar se disa prej tyre janë palaço. Reagimi i ashpër i kreut të shtetit erdhi pasi disa prej ndërkombëtarëve, përfshirë ambasadën e SHBA në Shqipëri, kërkuan që cështja për ngërçin Kushtetues të dërgohet në Komisionin e Venecias për opinion final. Vendimin e shkarkimit të Besnik Muçit nga Gjykata Kushtetuese, Ilir Meta nuk e cilësoi si surprizë, pasi denoncoi se ka pasur presion nga shumica duke përmendur edhe emra konkretë.

"Jam me deklaratën e Blushit tim, zero surprizë nga vettingu u partisë, që u shpall edhe para pak ditësh nga zv/ kryeministri (Erjon Braçe) për zotin Muçi. Nuk jam i habitur, se ka pasur presione politike që ditën e parë që hyri në zyrë për t’u bërë pjesë e puçit për të bllokuar Marsida Xhaferllarin për të ushtruar detyrën e saj. Presionet i ka pasur nga shumica. Nuk besoj se keni harruar edhe deklaratën e Xhafajt, që i bëri presion dhe shantazh Vitore Tushës. Rama bllokoi Kushtetuesen me disa palaço ndërkombëtarë" tha ai.

Por a janë SHBA-të palaço? "SHBA janë si yll si shpirt se me ata i kemi bërë Kushtetutën. Presidenti është në kushtetutë dhe jo në rregulloren e ndonjë ambasade. Prandaj i kam ftuar të vijnë me ekspertët e tyre dhe t'u tregoj kushtetutën e Shqipërisë" u përgjigj Meta. I pyetur mbi deklaratën e ambasadës së SHBA-se ai tha "Amerika është këtu (vendos dorën në zemër), nuk është as në Rrugën e Elbasanit dhe as në Xibrakë dhe as në Rrugën e Kavajës. Amerika është këtu, Europa është këtu". 

VIDEO/Deklarata e plotë e Presidentit Ilir Meta

Ambasada e SHBA-së kërkoi sot që cështja për ngërçin në Kushtetuese të dërgohet në Komisionin e Venecias, por Meta e cilëson si hipokrizi dhe akuzon se po tentohet të mbrohet Ardian Dvorani. "Hipokritët që duan të çojë këto akte në Venecia, ata janë hipokritë, sepse duhet të çonin zgjedhjen e Arta Markut me 69 vota në kundërshtim me Venecian, tani duan të shpëtojnë Dvoranin, pasi ka pasur garanci edhe nga disa palaçove ndërkombëtarë për të përdhunuar të gjithë procesin e KED-së".

Përballë kësaj situate, Ilir Meta tha se tani koha është për referendum si zgjidhja e vetme, por pa shpjeguar se për cfarë bëhet fjalë konkretisht. "Ka vetëm një zgjidhje për Ramën dhe disa palaço ndërkombëtarë, referendumi. Edhe diplomatët të dalin me Ramën. Unë do të dal me të gjithë shqiptarët që duhet të rimarrin në dorë sovranitetin e vendit pasi nesër është dita kur populli shqiptar votoi me referendum Kushtetutën më të mirë pas kaosit në 1997 dhe që Edi Rama dhe disa palaco ndërkombëtar edhe në 2008 edhe më vonë e minuan dhe duan ta përdhoshin cdo ditë. Prandaj larg duart nga gjykata Kushtetuese. Zgjidhja është referendumi për të vendosur. Zgjidhja është referendumi dhe këtë ta vendosin shqiptarët" përfundoi Meta.
1574339603_meta.jpg

Presidenti nderon ushtarin e Gardes se Republikes

Presidenti Meta para prononcimit per mediat nderoi ushtarin e Gardës. Mësohet se Presidenti Meta ia tha se “Ti do jesh ushtari i dytë në mbrojtje të Republikës se ushtari i parë do jem unë”.