SHKODËR-Trupi i pajetë i një 61-vjeçari i identifikuar si Gjergj Bari u gjet këtë diel në fshatin Dragoç të Njësisë Administrative të Postribës, në kanalin vaditës të Shtodrit i cili përshkon këtë zonë.
 
Kanë qënë banorët ata që konstatuan trupin në këto ujra dhe menjëherë kanë njoftuar policinë dhe shërbimin e urgjencës.
 
Në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu të cilat së bashku me mjekët ligjorë bënë nxjerrjen e trupit të pajetë, që u identifikua të 61-vjeçarit Gjergj Bari, lindur në Theth dhe banues në Bathore të Tiranës.
 
Ai u dërgua në morgun e spitalit rajonal të Shkodrës, ku nga veprimet paraprake të kryera në trupin e viktimës nuk u konstatuan shenja dhune.
 
Shkaku paraprak i vdekjes dyshohet se është mbytja në ujë në kanalin vaditës.
 
Mendohet që ai mund të ketë humbur kontrollin, ka goditur kokën në pjesën e betonit dhe ka gjetur vdekjen, pasi niveli i ujrave është i ulët në këtë kanal për të shkaktuar mbytje.
 
Ende mbeten të paqarta shkaqet e lëvizjes së këtij shtetasi në këtë zonë, pasi ai rezulton banues në kryeqytet dhe i lindur në zonën turistike të Thethit.
 
Humbja e tij nuk raportohet të jetë bërë nga familjarët në polici, prandaj kanë nisur hetimet e zgjeruara, ku në pyetje do të merren familjarët por edhe banorë të zonës.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com