Dy persona janë arrestuar nga policia e Shkodrës duke çuar kështu në zbardhjen e vrasjes së 20-vjeçarit Pavlin Preka, i cili u gjet i vdekur në oborrin e banesës së tij në fshatin Guci e Re më 27 shkurt 2025.
Personat e arrestuar janë Klaudio Lisaj dhe Vasel Koçeku, të cilët akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ka qenë xhaxhai i viktimës, i cili zbuloi i pari vrasjen e nipit, pasi i binte telefonit dhe nuk i përgjigjej. Prek Preka shkoi në banesën e tij për të parë dhe e ka gjetur Pavlinin të vrarë në oborr. Xhaxhai në atë kohë u shpreh se Pavlin Preka nuk ka pasur asnjë problem me njeri dhe se ishin familje e thjeshtë.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”.
Si rezultat i punës policore dhe hetimore të shërbimeve të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, zbardhet vrasja e shtetasit P. P., e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re.
Kapen dhe vihen në pranga dy shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP-së Shkodër.
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit P. P., e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re, u finalizua operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”.
Në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
K. L., 20 vjeç, banues në fshatin Mgull;
V. K., 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri,
për veprat penale:
“Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Komente








