Shkodra i dha fund Karnavaleve me një nga momentet më simbolike të festës tradicionale: djegien e dordolecit. Ritual që shënon përfundimin e javës festive, ai përfaqëson lënien pas të së vjetrës dhe hapjen e një cikli të ri me dritë dhe energji pozitive. 

Për një javë me radhë, rrugët e qytetit u kthyen në skenë parade, ngjyrash dhe muzike, ku fëmijët, të rinjtë dhe qytetarët u bënë pjesë e atmosferës karnavaleske. Kostumet kreative, performancat dhe humori karakteristik shkodran i dhanë qytetit një gjallëri të veçantë.

Ceremonia përmbyllëse, e ndjekur nga dhjetëra qytetarë, solli një tjetër dëshmi se Shkodra di të ruajë traditat, duke i mbyllur festat me dinjitet, simbolikë dhe frymë bashkimi.

“Ky vit i festimeve të karnavaleve ka qenë një nga vitet më të bukura që kemi përjetuar në qytetin e Shkodrës. E kemi nisur që nga dita e hënë dhe e mbyllim këtë të dielë, një javë festime",- tha një qytetar.

“Këtë vit më janë dukur më të bukura se çdo vit tjetër",- u shpreh një e re.

“Shumë shumë bukur. Një atmosferë e mrekullueshme",- tha një tjetër.