Janë përkujtuar në Shkodër, katër dëshmorët e rënë në masakrën e fundit komuniste në 2 prill të 1991-shit. Komunistët në ditët e fundit të tyre i zbrazën armët në Shkodër duke lënë të vrarë Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun, Besnik Cekën, të gjithë studentë në moshën 21-22 vjeçare.

Në ceremoninë përkujtimore, ishte i pranishëm lideri demokrat Lulzim Basha, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, familjarë të të ndjerëve, përfaqësues të shoqatës "2 Prilli" e të tjerë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:35
Basha: Më 13 prill gati për sakrifica si në 2 prill 1991...(ku u vranë 4 studentë)

Duke i quajtur autorë të masakrës së 2 prillit 1991, të cilët vijojnë të jenë në pushtet, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha nga Shkodra se sot, 28 vjet më pas, protestohet për rrëzimin e komunizmit, e qeverisë së lidhur me krimin siç tha ai. Bëri deklaratë të fortë kur u shpreh se me të njëjtin çmim sakrifice si më 2 prill 1991 ku mbetën të vrarë katër studentë, do të protestohet edhe sot kundër qeverisë aktuale. I bëri thirrje shkodranëve dhe shqiptarëve që të ngrihen në protestë kundër qeverisë, pa pyetur për çmimin e sakrificës, njëjtë si në 2 prill 1991 ku mbetën .të vrarë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, të gjithë studentë në moshën 21-22 vjeçare

Për liderin demokrat, nuk është bërë sa duhet për të vënë drejtësinë e merituar për 4 dëshmorët e rënë në masakrën e fundit të komunizmit.

"Mostra që shkaktoi dëshmorët e 2 prillit, nuk ka vdekur. Shkodra është e thirrur nga historia, Shqipëria është e thirrur nga historia për tu ngritur me sytë nga e ardhmja. Ne do të jemi në lartësinë e misionit, e thirrjes së pavdekshme "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa", që do të triumfojë mbi mostrat e 2 prillit që tentojnë të mbajnë me zor një pushtet hajdut. Ne jemi në kbë, do ta fitojmë pa pyetur për çmimin e sakrificës si me 2 prill 1991 si me 2 prill 2019" Shqipëria mbarë se ne do të fitojmë", tha kryeopozitari.

Gjatë fjalës së tij, Basha i dha një tjetër shpjegim pse demokratët zgjodhën të djegin mandatet, duke dalë nga parlamenti.

"Ne ikëm nga ajo strofull e krimit, pasi po mos të iknim do të ishte njësoj sikur të ishim këtu me 2 prill 1991, por jo në anën e liberatorëve, Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës, por në anën e Komitetit të krimit, Komitetit të Partisë së Shkodrës", tha Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, tha se PD nuk ja doli të nxjerrë siç duhet përgjegjësitë e 2 prillit 1991.

"Sot Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë po ja merr ajrin një mostër politike dhe kriminale që është rritur nga mungesa e vëmendjes, nga pandëshkueshmëria, indiferenca. Kjo mostër është qeverisja me krimin, që mbijeton edhe për shkak se nuk i nxorëm sic duhet përgjegjësitë e 2 prillit 1991. 2 prilli ka sot fytyrën e krerëve të qeverisë të parlamentit, ka sot shtrëngesën dhe varfërinë mbi gjithë shqiptarë, vulën e emigracionit. Ka sot Kuvendin e turpit, të krimit, e denjë trashëgimtarë të 2 prillit.

Nuk ka vegla të verbra as gaz lotsjellës, as aparat shtypës që mund të kthejë qetësinë e kufomës politike. Protesta madhështore e shkodranëve dhe shqiptarëve ka një përfundim, të njëjtin përfundim që pati protesta e 2 prillit, rrëzimin e komunizmit, triumfin e demokracisë.

Një turp, një marre një ofendim që komunizmi i bëri Shkodrës. Askund ku kam shkelur s'jam vënë në mendime kur kujtoj shkeljen dhe përdhosjen që komunizmi i bëri Shkodrës, në qytetin që ka dëshmitë më të pandërprera të qytetërimit tonë" tha Basha.

Ora 11:30
Nëna e dëshmorit të 2 prillit: Tmerrin e Shkodrës as Lufta e Dytë Botërore nuk e ka përjetuar (VIDEO)

Nëna e dëshmorit Besnik Ceka thotë se drejtësia për të rënët në demonstratën e fundit antikomuniste në Shkodër ende nuk është vënë. Ajo bën përgjegjëse për këtë veprim, Gramoz Ruçin, që në atë kohë si ministër i Brendshëm.

"Shkodra atë ditë ka përjetuar një tmerr, as Lufta e Dytë Botërore nuk e ka përjetuar atë që ka bërë Gramoz Ruçi në Shkodër. kryeministri përmend vetëm 21 janarin. 2 prillin në Shkodër nuk e përmend. nuk janë zogj pëllumbash janë zog nënash. Kryeministri nuk e do Shkodrën, ishte qyteti i parë që i dha shkëndijën demokracisë. Ruci ka qenë ministër i Brendshëm. me urdhër të tij janë nxjerrë autoblindat snajperët, tanket. Ne kërkojmë drejtësi, dhe i bëj thirrje parlamentit mos të rri më në krye të parlamentit. Unë isha në punë, e kam vajzën mjeke, ishte nis me ardh me më marrë. E mora vesh që djali është vrarë me snajper", - u shpreh nëna e dëshmorit Besnik Ceka.

Një urdhër i asaj kohe i jepte leje forcave të policisë dhe të Sigurimit që në trazirat në Shkodër fill pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, të përdoreshin armë përgjatë protestave nga ana e policisë.

Ora 11:24
Përlotet mbesa e dëshmorit Bujar Bishanakut teksa flet për masakrën e 2 prillit (VIDEO)

Mbesa e dëshmorit të rënë në masakrën e fundit të komunizmit në Shkodër më 2 prill 1991, Bujar Nishanakut, sot në ceremoninë përkujtimore, i ka bërë një apel të rinjve për të marrë në dorë të ardhmen e vendit. Ajo nuk ka ndalur dot lotët teksa mbajti një fjalë në ceremoninë tek memoriali në kujtim të 4 dëshmorëve.

"Ishte me barkun bosh si shumica e shqiptarë, në emër të demokracisë ai ra dëshmor, shpirti i tij mori flatra ai fluturon drejt dritës e shpresës për një Shqipëri më të mirë. Sot e kemi ne gjithë bashkë pushtetin, sot është pushteti i juaji qytetarë, për ta bërë jetën të mrekullueshme. në emër të demokracisë ta përdorim këtë liri", u shpreh ajo.

Ora 11:19
28 vjet nga masakra e fundit e komunizmit....tre ditë më parë u vra kryetari i shoqatës '2 Prilli'

Të pranishmit në ceremoninë përkujtimore të masakrës së 2 prillit 1991 në Shkodër, vendosën lule në memorialin për nder të 4 dëshmorëve, ndërsa kësaj ceremonie i mungoi kryetari i shoqatës "2 Prilli".

Brahim Bilali, një figurë e njohur në Shkodër, ish-kampion hipizmi, u nda nga jeta më 30 mars të këtij viti, tre ditë para kësaj ceremonie në të cilën do të nderonte dëshmorët, AI u vra në një atentat teksa doli nga banesa në lagjen Kiras ku mbeti i vdekur bashkë me vëllain e tij Astrit Bilali.

 

 
Ora 10:55
Shkodra përkujton 4 dëshmorët e masakrës së 2 Prillit (FOTO)