DEBAT/ Shkrimi për Ismail Kadare, e bija: E ka publikuar pa miratimin e tij! I përgjigjet Ben Blushi: E pavërtetë! Ia dërgova dhe e pëlqeu tekstin

DEBAT/ Shkrimi për Ismail Kadare, e bija: E ka publikuar pa miratimin e tij! I përgjigjet Ben Blushi: E pavërtetë! Ia dërgova dhe e pëlqeu tekstin

Shkrimtari Ismail Kadare

TIRANË- Një bisedë e publikuar nga Ben Blushi mes tij dhe shkrimtarit Ismail Kadare, ka sjellë reagime dhe kundër reagime. Kjo sepse e bija e Kadaresë, Besiana Kadare, ka deklaruar se Blushi nuk ka marrë leje për ta publikuar atë bisedë që ajo thotë se nuk ishte gjë tjetër veçse një bashkëbisedim në një kafene. Ajo thotë se kjo bisedë e publikuar nga Blushi, është një tentativë për të shfrytëzuar emrin e tij.

“Duke qene se plot miq e të njohur më kanë pyetur këto ditë nëse Kadareja vërtet i ka dhëne një intervistë Ben Blushit, dua të sqaroj publikisht se Ben Blushi, në fakt, ka krijuar një intervistë, pa dijeninë e tim ati, bazuar në një bisedë të rëndomtë private që ka zhvilluar rastësisht në një kafenë me Kadarenë dhe shoqëruesen e tij, A. Bardhyli.

Kohë me pas, Ben Blushi e ka publikuar bisedën në formë "intervistë", pa marrë pëlqimin e bashkëbiseduesit, duke abuzuar kështu me besimin që iu akordua, dhe me "kurajën" e çuditshme se po i zbulon publikut shqiptar sekrete të paditura. Një gjest ky sa imoral aq dhe i paligjshëm.

Fatkeqësisht është bërë praktikë tashmë që gjithfarë njerëzish shpresojnë të bëjnë publicitet, duke u përpjekur të shfrytëzojnë në forma të ndryshme figurën e Kadaresë dhe kontaktin me të. Duke patur parasysh moshën e thyer të tim ati, çdo përpjekje e këtij lloji është vërtet mjerane”, shkruan Besiana Kadare.

Kjo ka sjellë edhe reagimin nga Ben Blushi, i cili ka treguar se jo vetëm që e ka vënë në dijeni shkrimtarin Kadare që do e publikonte bisedën, por thotë se ia ka dërguar tekstin paraprakisht dhe i ka thënë se “i ka pëlqyer shumë”.

“Vajza e Ismail Kadaresë ka bërë një reagim shumë të padenjë në adresën time, të cilit nuk do i përgjigjem siç e meriton, meqë është vajza e Ismail Kadaresë. Shkak i këtij reagimi, është një bisedë e imja me Ismailin, e cila është botuar në librin tim të fundit 41 Sekrete.

Me Ismail Kadarenë nuk isha takuar asnjëherë deri në tetor të vitit të kaluar. Shumë njerëz, në disa raste miq të përbashkët, më sillnin herë pas here gjykime të Ismailit mbi librat e mi, por kjo nuk ishte një nxitje për ta takuar. Unë kisha mendimin tim për letërsine e tij dhe kjo më mjaftonte.

Ndoshta nuk do ishim takuar ndonjëherë, nëse vitin e kaluar Alda Bardhyli, një mikeshë e afërt e familjes Kadare, nuk do më kishte dërguar një mesazh ku thoshte: Beni a do të pish një kafe me Kadarenë? I thashë se atë ditë ishte e pamundur sepse po nisesha për varrimin e një njeriu të dashur, në Korçë. Një muaj më vonë, Alda më ftoi sërish për një kafe me Ismailin dhe i thashë se atë ditë duhet të shkoja në Shëngjin, për të fotografuar një basketbolliste afgane.

Me këmbënguljen e Aldës dhe sigurisht për kënaqësinë time, u takuam të tre, tetorin e vitit të kaluar. Në atë kohë, unë merresha shumë me fotografi, duke rendur nga veriu në jug, nëpër plazhe të boshatisura e nëpër provinca, për të kapur fytyra njerëzish të cilët në fakt më mësuan të fotografoj. Kur u mundësua ky takim, mendova se ja vlente ta kisha edhe Ismailin në katalogun tim të portreteve të cilat sot janë më shumë se 50 mijë.

Megjithëse nuk njiheshim, biseda jonë ishte aq e thjeshtë dhe spontane saqë, mendova ta shkruaj dhe ta botoj në librin tim 41 Sekrete, ku përveç Ismailit janë dhe 40 personazhe të tjerë disa të njohur, disa të panjohur dhe disa shumë të njohur sic ishte dhe rasti i Kadaresë. Këtë plan, të cilin nuk e kisha, në fakt ma imponoi vetë Ismaili. Ai foli aq qetë, saqë mua më lindi dëshira për ta shkruar atë tekst në mënyrë artistike. Në këtë mënyrë, Ismail Kadare u bë pjesë e librit që u botua në nëntor.

Sidoqoftë, për të qenë i kujdesshëm deri në fund, para botimit të librit 41 Sekrete e kam marrë Ismail Kadarenë në telefon dhe i kam thënë se kam ndërmend të botoj bisedën që zhvilluam bashkë. Natyrisht i thashë, kam treguar gjërat e thjeshta për të cilat folëm, çfarë ha, sa fle,kur zgjohesh, a shef televizor, a lexon, a pi cigare, a i jep makinës, a ke ftohtë, si do doje ta kishte emrin, a je i vetmuar,a ke frikë të vdesësh etj. Ismaili u gëzua dhe më falendëroi.

Kur libri 41 Sekrete u botua, i dërgova një kopje edhe Ismail Kadaresë. Pasi lexoi pjesën e vet të titulluar, Ismail Kadare Pasdite, ai më mori në telefon dhë më falënderoi, duke më thënë se i kishte pëlqyer ai tekst. Që nga dita që jemi njohur, flas me Ismailin në telefon dhe siç më merr edhe e marr sa herë mendoj se ky komunikim shumë i thjeshtë, nuk përbën asnjë angazhim për asnjërin, por është një mirësjellje reciproke. Herën e fundit Ismaili më mori dhe më uroi Krishtlindjen, siç e urova unë përpara disa ditësh për ditlindjen.

Kjo është historia ime me Ismail Kadarenë, për të cilin dikur kam menduar se është një shkrimtar i shkëlqyer, tani mendoj se është një shkrimtar shumë i mirë. Së fundi, kur e njoha, e simpatizova shumë edhe si njeri. Meqë vajza e Ismail Kadaresë pretendon se unë nuk kam marrë pëlqimin e tij, duhet ti them se kjo është e pavërtetë çka vlen edhe për tekstin, i cili respekton në çdo gërmë gjishka që kemi biseduar unë, ai dhe Alda Bardhyli. Në këtë pikë, unë e mirëkuptoj vajzën, sepse natyrisht Ismaili nuk ka pse t’i tregojë asaj çfarë flet me mua, siç edhe nuk i tregoj vajzës sime çfarë flas me Ismailin.

Megjithatë nuk është kaq.

Ismail Kadare është jo rrallë, një temë bisede në rrethet që unë frekuentoj dhe prandaj kohët e fundit, nga njerëz që e takojnë, kisha dëgjuar se ai refuzon të bisedojë, se mbyllet dhe nuk flet për ditë të tëra me njeri, se bën sikur nuk njeh ata që takon, ose edhe nuk i njeh vërtet dhe se për shkak të perëndimit të moshës mund të mos jetë shumë i kthjellët.

Për hir të së vërtetës, kur e takova, nuk gjeta asnjë gjurmë përhumbjeje apo seniliteti gjatë gjithë kohës që qëndrova me të, por edhe më pas kur kemi komunikuar. Ismaili ishte plotësisht i qartë, lucid dhe i përqëndruar dhe nëse bënte sikur harronte apo nuk kuptonte gjë, kjo ishte një lojë e tij. Sipas meje një kapricio. Kjo është pikërisht ajo që kam shkruar dhe ky tekst ka vetëm këtë qëllim : të fotografojë një shkrimtar në pasditen e jetës së tij.

Nisur nga ky qëllim, nuk do kisha menduar kurrë se vajza e Ismail Kadaresë dhe rrethi i tij, do ishin përgjigjur kaq pa takt dhe në mënyrë agresive, fyese dhe ofenduese për mua siç natyrisht nuk kisha pritur të më falënderonin. Por tani që lexoj çfarë kanë shkruar, që nga vajza e tij e para, kuptoj se unë dhe ata kemi një dallim të madh : ata mendojnë se Ismaili është i përhumbur, nuk është i kthjellët, nuk është fare lucid dhe për këtë shkak mendojnë se duhet mbrojtur dhe izoluar në mënyrë që bota mos njohë Ismailin që është, por atë që ka qenë. Me shumë pakujdesi, duke menduar më shumë se si të më fyente mua dhe jo si të mbronte babain e saj, këtë gjë kishte pohuar vajza e Ismailit në ndërhyrjen e shëmtuar ndaj meje.

Ndërsa unë mendoj të kundërtën. Ismail Kadare po luan me ata dhe ndoshta edhe me veten. Kështuqë çdo përpjekje për ta mbrojtur nga unë është e kotë. Siç është pa kuptim mbrojtja e Kadaresë nga Ismaili, edhe kur kjo vjen nga njvajzë e paedukuar siç është rasti i të bijës”, shkruan Blushi.

Më poshtë po sjellim edhe shkrimin që Ben Blushi, ka bërë për Kadarenë për librin e tij '41 sekrete'. 

Alda Bardhyli, Ismail Kadare dhe unë u gjendëm një të diel pasdite në një kafene në bllok.

Ata morën nga një kafe dhe ndezën një cigare. Unë mora një ujë.

Del shpesh, Ismail, e pyeta.

Mundohem të dal sa më shpesh, tha Ismaili.

Lexon?

Nuk lexoj më asgjë.

Po televizor shef?

Shof ndonjë film, po nuk e mbaroj.

Pse e thua këtë, ti shef shumë filma, tha Alda Bardhyli.

Ashtu? Po çfarë filmi kam parë, ma thuaj pak, tha Ismaili.

Mos ma thuaj emrin e filmit, thashë unë, s’ka problem.

Ismaili takon pak njerëz, tha Alda.

Kam përshtypjen se të japin bezdi njerëzit, Ismail, thashë unë.

Ashtu mendon, pyeti Ismaili.

Po, mendoj që ke malaise, bezdi nga njerëzit, thashë unë.

E lodhin njerëzit, tha Alda.

Ti duhet ta dish më mirë, tha Ismaili.

Po ti mua m’i tregon të gjitha, tha Alda.

Më thuaj pak, a ishte dje ky pallati pas teje, pyeti Ismaili.

Ismail, jemi në Tiranë, tha Alda, këtu ndërtohet çdo ditë.

Pse, nuk jemi në Paris, pyeti Ismaili.

Pimë një cigare, tha Alda.

Unë nuk pi më cigare, i thashë.

Edhe unë do pi një, tha Ismaili.

Pi shumë cigare, e pyeta.

Shumë rrallë, tha Ismaili.

Dje, takova një të çmendur që pinte cigare të përdorura, thashë unë.

Ku e takove, pyeti Ismaili.

Në Prezë, aty ku duken avionët mbi Rinas.

Kemi qenë para gjashtë muajsh në Prezë, tha Alda.

Ismail, a i jep makinës, e pyeta.

Nuk i jap, tha Ismaili, i jepja kur isha i vogël.

Kur ishe i ri, tha Alda.

Po ti i jep makinës, pyeti Ismaili Alda Bardhylin.

Po pse, sa herë ke hipur në makinën time, nuk e mban mend, tha Alda.

Po, e vërtetë, tha Ismaili, je shofere e kujdesshme.

Ku keni shkuar me makinë, e pyeta.

Ku me kë çuar, pyeti Ismaili.

Gjithandej, tha Alda, kryesisht shkojmë në vende afër Durrësit.

Po në Tiranë, ku shkoni, e pyeta.

Dalim nëpër kafet e Bllokut dhe shohim njerëzit, tha Alda.

Shiko kush po kalon, tha Ismaili.

Kush, tha Alda.

Gruaja e vëllait tim, Shahinit.

Nuk është ajo, tha Alda.

Ajo është, tha Ismaili.

Ua, vërtet ajo qenka, tha Alda, si e njohe?

Ismaili i njeh gratë, thashë unë.

Po, tha Alda, Ismaili ka shumë qejf të shohë gratë.

Kur ke dashuruar për herë të fundit, e pyeta.

Kur kam qenë i vogël, tha Ismaili, dashuroja shpesh.

Kur ke qenë i ri, tha Alda, i di unë, m’i ke treguar.

Ashtu, pyeti Ismaili.

Ismaili e ka pasur shumë qejf fotografinë, tha Alda, ka shumë foto nudo të të dashurave të veta në Moskë.

Ke bërë vërtet foto nudo, pyeta unë.

Kjo i di, tha Ismaili.

Ja, i kam këtu, tha Alda.

Na i trego, tha Ismaili.

Nuk qenka nudo, thashë unë, por është fotografi shumë e bukur.

E di kush është kjo, Ismail, pyeti Alda.

Kjo është Zhana, tha Ismaili.

E mban mend, e shef, tha Alda.

Moska ishte e mërzitshme, tha Ismaili, por njerëzit na donin shumë.

Kush e fiton luftën, thashë unë.

Nuk e fiton Rusia, por as Ukraina nuk e fiton, tha Ismaili.

Po dikush do fitojë, thashë unë.

Po ti, pse bën kaq shumë pyetje, tha Ismaili.

Kam qejf të bisedoj për luftërat, thashë unë.

Po pse mendon kaq shumë, më pyeti Ismaili.

Pse, ti mund të jetosh pa menduar, e pyeta unë.

Fjala “jeton” është fjalë e madhe, tha Ismaili.

Pra, ti ke momente kur nuk mendon fare, e pyeta.

Kam, tha Ismaili.

Ta kam zili, thashë unë.

Vërtet, pyeti Ismaili.

Kjo është e vetmja gjë që kam zili tek ti, thashë unë.

Ndoshta, duhet të ikim në shtëpi, tha Alda Bardhyli.

Jo, rrimë dhe pak, tha Ismaili.

Duhet të hamë drekë, tha Alda.

Çfarë ha më shumë, Ismail, e pyeta.

Ismaili ha shumë lehtë, tha Alda.

Nuk jam hamës, tha Ismaili.

Po me gjumin, si e ke raportin Ismail, e pyeta unë.

Unë fle, tha Ismaili.

Kohët e fundit fle shumë, tha Alda.

Më pëlqejnë shumë njerëzit që flenë mirë, thashë unë.

Pse të pëlqejnë njerëzit që flenë, tha Ismaili.

Sepse vetë nuk fle dot pa u zgjuar dy-tri herë, thashë unë.

Po edhe unë nganjëherë zgjohem, tha Ismaili.

Ismail, ke ftohtë, e pyeta.

Kam gjithmonë ftohtë, tha Ismaili.

Sot është ngrohtë, thashë unë.

Nuk më duket, tha Ismaili.

Po këtë shallin e mban se ke ftohtë apo për modë, e pyeta.

Për të dyja, tha Ismaili.

Po në verë mban shall?

Nuk e di, tha Ismaili, si thua ti Alda, a mbaj shall unë në verë?

Hiqe atë shall, Ismail, tha Alda.

Nuk dua ta heq, tha Ismaili.

Po hiqe, se Beni do të të fotografojë, tha Alda.

Mos e hiq, Ismail, thashë unë.

E shef që nuk duhet ta heq, tha Ismaili.

Po hiqe, që të dukesh më bukur, tha Alda.

Moj nuk e heq, po të them, tha Ismaili.

Ismail, ke frikë nga vdekja, e pyeta.

Nuk kam frikë, tha Ismaili, unë dua të rroj deri 90 vjeç, pastaj mund të vdes.

Ke pak frikë nga vdekja, ke, tha Alda, ma ke thënë mua.

Po atëherë më thuaj, çfarë kam bërë unë kur isha 50 vjeç, meqë ti di çdo gjë, tha Ismaili.

Unë e di çfarë ke bërë, tha Alda.

Ma thuaj, tha Ismaili.

Nuk mund ta them këtu, tha Alda.

Kemi pesë vjet që jemi miq me Aldën, tha Ismaili.

Ju keni një raport të pabalancuar, thashë unë.

Pse mendon kështu, tha Ismaili.

Sepse Alda bën pyetje dhe ti përgjigjesh, ndërsa kur ti bën pyetje, ajo nuk përgjigjet.

Ndoshta kështu kam dashur unë të jetë, tha Ismaili.

E shef si më mbron, është shumë i mirë, tha Alda.

Dukesh në humor, Ismail, thashë unë.

Është shumë më mirë se gjithë moshatarët e vet shkrimtarë, tha Alda.

Ashtu, pyeti Ismaili.

Sigurisht, tha Alda Bardhyli, e ke parë Kunderën si ka përfunduar?

Pse gjallë është Kundera, pyeti Ismaili.

Gjallë është, po ka mbaruar me atë grua që ka.

Pse, ti mendon se gratë kanë ndikim në jetëgjatësinë e burrave, pyeta unë.

Mendoj se po, tha Ismaili.

Kanë shumë ndikim, tha Alda.

Po ti je e martuar, pyeti Ismaili

Ta kam thënë që nuk jam më e martuar, tha Alda.

Po pse nuk je më e martuar, tha Ismaili.

Edhe dje më pyete dhe ta sqarova, tha Alda, edhe Elena ta ka sqaruar disa herë.

Ismail a ke telefon, e pyeta.

Kam, tha Ismaili.

Nuk e përdor si ne, për të lexuar lajme, thashë unë.

Ismaili ka një telefon të vjetër, tregoja Ismail, tha Alda.

Ja, ky është, tha Ismaili.

Këtë telefon, vetëm dy veta e kanë në botë, thashë unë.

Kush e ka tjetër, pyeti Ismaili.

Vetëm ti dhe ai që e ka shpikur, thashë unë.

Ismaili ka shumë qejf kur e marrin njerëz në telefon, tha Alda.

Ku e di ti, tha Ismaili, ti nuk më merr fare në telefon.

Po a folëm sot, pyeti Alda.

Je shoqe e mirë, tha Ismaili, po s’më the pse nuk je e martuar.

Mbaj mend që njëherë ke ardhur në shtëpinë tonë, i thashë.

Ashtu, po pse erdha atje, tha Ismaili.

Ishe për vizitë, thashë unë, isha i vogël dhe e vetmja gjë që mbaj mend ishte se flisje për boksin.

Më ka pëlqyer boksi, tha Ismaili.

Çfarë të pëlqen tek ai sport, pyeta unë.

Më pëlqen vetmia e boksierëve, tha Ismaili, mënyra si sillen kur humbin.

Ndoshta e ke nga Xhek Londoni, thashë unë, ai ka shkruar shumë për boksierët që humbin.

Nuk e kam nga ai, sepse nuk e kam lexuar, tha Ismaili, por boksierët e mundur janë të vetmuar.

Ke frikë nga vetmia, e pyeta.

Vetmia është si vdekja, tha Ismaili.

Është më keq, thashë unë.

Pse është më keq, tha Ismaili.

Sepse kur je i vetmuar, e kupton që je i vetmuar, kurse kur vdes, nuk e di që je i vetmuar, sepse ke vdekur.

Ndoshta, tha Ismaili, po ti, je i vetmuar?

Sa më shumë mendoj, aq më shumë jam vetëm, thashë unë.

Kurse Ismaili nuk është i vetmuar, tha Alda.

Ismail, ti nuk shkruan më, e pyeta.

Nuk shkruaj më, tha Ismaili.

Ke frikë se pas 100 vjetësh nuk do lexohet më gjuha shqipe?

Ç’do të thuash, tha Ismaili, gjuha shqipe është shkruar që në shekullin e 15-të.

Por në të ardhmen mund të zhduket dhe ti nuk do lexohesh më, thashë unë.

Nuk e kam menduar këtë, tha Ismaili.

Fëmijët konsumojnë gjithçka anglisht, thashë unë, dhe pas shumë vitesh, gjuha shqipe mund të kthehet në gjuhë shtëpiake.

Ç’do të thuash me gjuhë shtëpiake, pyeti Ismaili.

Gjuhë shtëpiake është një gjuhë që përdoret vetëm në shtëpi, por jo në punë dhe jo në komunikimin shoqëror e kulturor.

Nuk dua të mendoj për këto gjëra, tha Ismaili, po ti pse mendon kaq shumë?

Beni është shkrimtar, tha Alda.

Ke emër të bukur, tha Ismaili, nga vjen mbiemri Blushi?

Blush është emri i fshatit tonë të origjinës në Kolonjë, thashë unë.

Kurse unë kam një emër shumë të shëmtuar, tha Ismaili.

Nuk të pëlqen emri Ismail, e pyeta.

Fare, tha Ismaili, duket si një emër i lagësht.

Prandaj ke gjithmonë ftohtë, thashë unë, e ka fajin emri.

Ndoshta, tha Ismaili, po ty si të duket emri im?

Më duket si emri i një tregtari arab, thashë unë.

Po ty të njohin si Kadare, tha Alda, dhe unë të them zoti Kadare.

Më adhurojnë si Kadare, por jam Ismail, tha Ismaili.

Çfarë emri do doje të kishe, e pyeta.

Nuk e di, një emër tjetër, tha Ismaili.

Ramazan, thashë unë.

Nuk më pëlqen, tha Ismaili.

Rexhep, thashë unë, në osmanisht do të thotë qershor, është emër i thatë dhe nuk ke asnjëherë ftohtë.

As ky nuk më pëlqen, tha Ismaili.

Ismaili do donte të quhej Rudjan, tha Alda Bardhyli.

Po pse Rudjan, pyeta unë.

Kjo e tha, tha Ismaili.

Ma ke thënë vetë, tha Alda.

Çfarë është ky Rudjani, thashë unë.

Është një personazh i Ismailit në librin “Hija”, tha Alda, është emri që Ismaili i ka vënë vetes në letërsi.

Nuk e kam lexuar këtë libër, thashë.

Unë jam njeri i mërzitshëm në bisedë, tha Ismaili.

Ismail, njerëzit rrinë me ty për ato që shkruan, jo për ato që flet, thashë unë.

E vërtetë, tha Ismaili.

Ismaili është madhështor, tha Alda.

Më kishin thënë që ti bën grevë fjale herë pas here, thashë unë.

Ç’do të thuash, pyeti Ismaili.

Që refuzon të flasësh me ditë të tëra.

Ka ndodhur, tha Ismaili, por nuk e bëj me qëllim.

Tani duhet të ikim të hamë drekë, tha Alda.

Çfarë do hamë, tha Ismaili.

Do ketë bërë patjetër diçka Elena, tha Alda.

Tani do jetë ftohur, thashë unë.

Njëlloj është, e ftohtë, e ngrohtë, tha Ismaili.

Fute telefonin në xhep dhe ikim, tha Alda.

Çudi, thashë unë, Ismaili ka shumë xhepa, po telefonin e futi në xhepin nga e nxori.

Ismaili nuk harron asgjë, tha Alda, si mendon ti?

Edhe unë mendoj se ai nuk harron asgjë, i thashë.

Po atëherë, pse bën sikur harron, pyeti Alda.

Ismaili luan, thashë unë, bën sikur harron, për të vënë njerëzit në lojë.

Po pse e bën këtë, tha Alda.

Duke qenë shumë i madh, do të sillet si i vogël, thashë unë, është një tekë e tij.

Vërtet beson se Ismaili nuk harron asgjë, tha Alda.

Harroj, harroj, tha Ismaili, më thuaj dhe një herë, a je e martuar?

E shef, thashë unë.

E shof, tha Alda.

B.K./xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ari Hysi: 17/03/2023 16:37

    Lexoj Kadare këtu dhe shoh atë shkrimtar të madh të tipit Borhes, Poradeci etj. etj që ka dëshirë dhe arrin të hyjë e të vërë të pranishmit brenda të vetës botë, të rikrijuar sërithi e sërithi nga labirinte të hareshëm e spontanë jo vetëm për të mbetur përherë i paharrueshëm me bashkëbiseduesit, të mos largohet kurrë vëmendja nga kthesat e udhës bisedë por edhe sepse është kënaqësi të luash. Më vjen vërtet keq që lexova këtyre radhëve shprehjen e Blushit: " ... dikur kam menduar se është një shkrimtar i shkëlqyer, tani mendoj se është një shkrimtar shumë i mirë." jo sepse s'ka të drejtë të ndërrojë opinion, apo të marrë drejtime të tjera dhe të ndërrojë preferencat, por sepse tek kënvështrimi gjenial për të botuar këtë shkrim dhe humorin e mrekullueshëm të një shkrimtari të pazëvendësueshëm nuk mund të hyjë mos-etika. Le ta thoshte diku tjetër të pashoqëruar nga pakënaqësia e rastit konkret, pa rëndësi fare në është i mirëqenë apo jo. Kalorsiakët atëherë duken, përndryshe janë thjesht të sjellshëm në aparencë.

    Përgjigju
  • luli: 02/02/2023 12:27

    per ate cka eshte ismail kadare beni nuk duhet ta botonte...se pleqeria eshte pjese e jetes

    Përgjigju
  • Bushi: 02/02/2023 10:13

    shame on you blush ...ka te drejte vajza e Ismailit... goditja jote eshte poshte brezit dhe e mbushur me mlllef te trasheguar qe nga koha e viteve kur ismaili (jo se eshte burre perfekt se ka dhe ait kusuret e veta) ishte the king under the king and your dad was just part of the entourage.. you were and are just a ddady's boy...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë