‘Shkrirja’ PD-LSI me Metën kryetar, sipas modelit maqedonas të VMRO-DPMNE?!

‘Shkrirja’ PD-LSI me Metën kryetar, sipas modelit maqedonas të VMRO-DPMNE?!

Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ilir Meta

Situata në PD dhe konflikti mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për lidershipin e partisë po precipiton më me shpejtësi se sa ishte parashikuar.

Prezantimi i datave të dy Kuvendeve Kombëtare të PD, njëri i thirrur nga Berisha në bazë të 4200 firmave të anëtarëve që ai pretendon më 11 dhjetor dhe tjetri më 18 dhjetor, i thirrur nga Basha sipas vendimit të kryesisë disa ditë më parë, praktikisht po krijon të gjitha kushtet për ndarjen e PD në dy parti.

E themi këtë pasi secili nga Kuvendet, nëse bëhen që të dy, do të marrë vendimet e veta, që nuk do të pranohen nga asnjëra palë dhe për këtë arsye “bashkëjetesa” e Berishës dhe Bashës, si dhe mbështetësit që i rrethojnë, bëhet e pamundur nën të njejtën “çati” politike.

Pjesa se kush merr “copën” më të madhe nga trupi i lodhur i PD për shkak të humbjeve të njëpasnjëshme që nga 2013 kur doli në opozitë dhe Berisha dha dorëheqjen duke ia dorëzuar me vullnet të plotë në formë “dhurate” drejtimin Lulzim Bashës nuk përbën ndonjë risi, përballë faktit të madh se PD ndahet.

Gjithashtu dhe se kush merr vulën e partisë dhe siglën e PD është më shumë një teknicialitet, përballë faktit se demokratët tashmë janë ‘injektuar’ dukshëm me virusin e mosbesimit dhe të armiqësisë ndaj njëri tjetrit, nuk lë vend për asnjë diskutim primar.

Praktikisht PD zyrtare, sigla me një fjalë e kësaj partie të themeluar 31 vite më parë, e ka humbur shkëlqimin e vete rëndshëm dhe e ka të pamundur për të mbledhur forcat e për të pretenduar ardhjen në pushtet, përballë një PS-je në kulmin e fuqisë, ndonëse ka hyrë në mandatin e tretë qeverisës. Pasi PS është një parti e konsoliduar dhe e gatshme për të hyrë në zgjedhje në mëngjes, drekë, darkë, nën dritën e diellit apo të hënës, dhe të fitojë, madje thellë përballë të djathtës të fragmentizuar deri dhe tek partia më e madhe opozitare.

PD do të shënojë pikën më të ulët të kuotave të saj politike, si për ironi të fatit pikërisht më 11 dhjetor, në përvjetorin e 31-të të themelimit të kësaj partie, në atë Dhjetor të vrullshëm 1990 kur njerëzit ngryseshin e gdhiheshin në Qytetin Studenti në mbrojtje të bijve të tyre që kishin sjellë pluralizmin dhe themeluar partinë e parë opozitare në vend, pas 45 viteve komunizmën.

Nuk ka asnjë interes për politikën shqiptare fakti se kush do të drejtojë copat e partisë që mbetet dhe pjesës që ikën, as sa mbështetës respektivë kanë, pasi PD përfundimisht ka rënë. Edhe nëse fiton Sali Berisha më 11 dhjetor, shkrin Këshillin Kombëtar dhe kryesinë e PD bashkë dhe me sekretariatin dhe nënkryetarët, edhe nëse shkarkon Bashën dhe hap garën për kryetarin e  ri të PD, duke e marrë vetë këtë post, i njëjti vlerësim mbetet.

 

Madje nuk ndikon aspak as fakti nëse Kuvendi i 18 dhjetorit i thirrur nga Basha mund të mblidhet dhe të përjashtojë Berishën sikurse ka paralajmëruar një ditë lideri demokrat në një intervistë televizive, dhe Basha të mbajë vulën e PD, sërish nuk ftoh as ngroh një lajm i tillë.

Megjithëse gjasat janë që më 18 dhjetor të mos krijohet kuorumi i nevojshëm për t’u mbledhur për shkak të numrave, pasi nëse marrin pjesë 4200 delegatë të Kuvendit më 11 dhjetor, atëherë pjesa e mbetur nuk e bën gjysmën, plus një, për të marrë vendime.

Gjithsesi në të gjitha rastet, Basha nuk do ta lëshojë vulën e partisë, do të sorollatet gjykatave për të shqyrtuar procedurat e Kuvendit të 11 dhjetorit të Berishës, të cilin do të vazhdojë ta quajë një miting e një Kuvend ilegjitim, bashkë dhe me vendimet që do të prodhojë, duke mos njohur ato.

Themi se nuk kanë asnjë ndikim, pasi PD praktikisht është në “koma” dhe sado “injeksione” t’i bësh, madje dhe ta ngacmosh me ‘gjilpërë’ nuk reagon. Eshtë thuajse e vdekur politikisht, dhe nuk i bën derman asgjë, të paktën sipas kësaj skeme që kanë lëshuar në tavolinë palët kundërshtare në PD, ku asnjëra prej tyre nuk arrin të gjejë forcën për t’u tërhequr.

Nuk tërhiqen për kompromis sepse Berisha është në hall të madh, pasi përpos person “non grata” i shpallur familjarisht nga SHBA, është dhe në prag të përballjes po familjarisht me drejtësinë e re. Nëse SHBA të shpall “non grata” për korrupsion të lartë, minim të demokracisë dhe presion mbi drejtësinë, SPAK, minimumi që mund të bëjë SPAK është ta marrë nën hetim familjarisht.

Thjeshtë dhe vetëm për të vërtetuar akuzat e aleatëve tanë më të mëdhenj, njëherësh dhe “baballarët” e Reformës në Drejtësi, SHBA dhe BE. Pra është vërtetë në hall dhe kërkon të jetë “violinë” e parë interlokutimi në emër të opozitës shqiptare, pavarësisht se ambasadorja amerikane në Tiranë ka thënë se nuk bashkëpunon me një kryetar partie të shpallur “non grata”. Por Berisha shpreson dhe lëviz për të luajtur me “faktin e kryer”.

Ndërsa Lulzim Basha, kryetari aktual i PD luan dhe ai për të qënë kryeministër pas 8 viteve në krye të PD, por që sipas tij është penguar nga “hija” e Berishës, dhe s’ka marrë vendim asnjëherë me kokën e vet. Të paktën këtë ka thënë gjithnjë sa herë ka bërë lëvizje gabim, nëpër zyrat e ambasadave, se Berisha nuk e pyet.

Dikush mund të thotë se si ka mundësi të ketë qëndruar 8 vite thjeshtë një “kukull” në PD, por kjo është punë e Bashës dhe mund të japë përgjigjie vetëm ai. Thjeshtë ne mund të admirojmë durimin e tij dhe aftësinë për të bërë sikur s’kupton apo sikur drejton dhe aftësinë për t’u shtirur.

Ndaj Basha kërkon që të jetë “vetë zot e vetë shkop” në PD, dhe këtu ndajmë të gjithë mendimin se pikërisht këtu fillon dhe opozita e vërtetë e Lulzim Bashës dhe drejtimi real i PD nga ana e tij, pa Berishën, “babain” e tij politik nëpër këmbë. Dhe ai ka të drejtë ta ketë një shans të tillë.

Por PD ndahet përfundimisht, dhe këtu të gjithë vetëm mund të hamendësonim se kush do të marrë vulën e saj dhe siglën, për të hyrë në zgjedhje nën flamurin e kësaj partie, dhe kush do të shkëputet dhe të themelojë një parti të re të djathtë.

PD e ka bërë dhe më parë këtë gjë, por këtë radhë ndryshon, sepse në rolin e “rebeluesit” është Sali Berisha dhe nuk është as Neritan Ceka, as Petrit Kalakulla, as Dashamir Shehi e as Genc Pollo, të cilët janë përballur pikërisht me Sali Berishën dhe kanë ikur me një “copë” PD me vete e kanë themeluar partitë e tyre.

Në fund janë rikthyer sërish kur kanë ndjerë “erën” e pushtetit, madje Ceka e Imami bashkë me bashkëthemuesit e PAD, janë rikthyer në PD më 2005 pikërisht pas 23 vitesh. Por këtë herë “sëpata” e ndarjes do të jetë diku afër mesit, pa përcaktuar se cila anë do të jetë më e madhe, ajo e Berishës apo e Bashës. Me shumë shanse pjesën e “luanit” në PD do ta marrë lideri historik, i cili nuk përton të dalë në bazë e takojë demokratët, përkundër Bashës i cili nuk lëviz nga “perimetri” i qendrës së Tiranës. Por gjasat janë që Basha ta kompensojë me vulën e partisë që me sa duket, s’ka ndërmend ta lëshojë.

Parë në këtë situatë, PD është me të vërtetë në një gjendje të rëndë, dhe duhen vite e vite që të ringrihet, zyrtarja dhe copa e shkëputur, pasi për bashkim nuk mund të flitet sa të jetë gjallë Sali Berisha, pra sa të marrë ai frymë. Ka inat të madh me Bashën ai, ndaj nuk tërhiqet.

Palët që tani kanë hedhur sytë për të krijuar aleancat e nevojshme për të mbijetuar në “xhunglën” politike shqiptare, pasi garat elektorale janë në prag. Jo ato për zgjedhjet e pjesshme vendore, pasi Meta s’ka ndërmend t’i dekretojë njëherë për njëherë, derisa të marrë vendim sëpaku Kushtetuesja, e cila ka në dorë fatin e tij në krye të Presidencës.

Lulzim Basha po negocion në mënyrë sekrete me partitë e djathta aleate të 25 prillit, për të krijuar një koalicion të gjërë dhe për ta pasur të gatshëm për të përfituar sa të mundet. Ndonëse ka shumë rrjedhje, pasi Nard Ndoka i Demokristianëve e ka shpallur “non grata” kreun e PD, sepse sipas tij është mashtrues dhe pa fuqi për të sjellë opozitën në pushtet.

Edhe Fatmir Mediu i PR ka hallet e tij, është me është me çështje të hapur në gjykatën speciale për shpërthimin e Gërdecit ku u vranë 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Në këtë skandal është implikuar dhe qeveria sipas tij, ndërsa akuzohet dhe djali i ish kryeministrit, si pronar i punishtes së demontimit të municioneve. Pra i involvuar dhe Sali Berisha, duke e bërë në këtë mënyrë të paqartë se cilën anë do të mbajnë republikanët. Pjesa tjetër e aleatëve do të shohin nga anon fitorja, apo cila është “copa” më e madhe e trungut të ndarë të PD.

Ndërsa për LSI-në Basha e ka bërë të qartë se nuk do të ketë koalicion me të dhe kjo bëhet akoma më e dukshme për shkak të përplasjeve mes tyre në Kuvend dhe media. Aq më tepër që kreu i PD e ka cilësuar Ilir Metën si pjesë e “Trekëndëshit të Bermudës”.

Por dhe Berisha ka menduar me kohë për aleancat, dhe fokusi është drejtuar tek LSI që drejtohet realisht nga Ilir Meta. Dilemat i ka shuar vetë presidenti Meta, teksa deklaroi në një intervistë televizive se nuk e harron kurrë “popullin e 2 marsit”. Në këtë gjendje që është LSI, në prag të shuarjes, humbi plot 16 deputetë në zgjedhjet e fundit, duke marrë vetëm 4 mandate, mbijetesa politike e vetme është e pamundur. Aq më tepër për një parti klienteliste siç është LSI.

Nuk është sekret ta themi se Berisha dhe Meta kanë qënë në aleancë gjithnjë mes tyre. Edhe kur kanë shkëmbyer akuza të forta ndaj njëri tjetrit, në momentet e adhnimit mes tyre, në një cep të “zemrës” së tyre ka mbetur pak “dashuri” mes njëri tjetrit. E cila herë është zvogëluar e herë është zmadhuar sipas konjukturave dhe interesave politike.

Në këtë situatë dramatike për PD por dhe LSI, “dashuria” mes tyre ka ardhur duke u rritur, pasi Meta deklaron se “Doktori është si vera, sa më shumë vjetërsohet aq më demokrat bëhet”. Ndërsa Berisha nuk ka lënë foltore pa e përmendur se Basha në vend që të bënte koalicion me LSI, u bashkua me Ramën për të nxjerrë nga politika pikërisht LSI-në.

Berisha me sa duket e ka ndarë mendjen, si me drejtimin e PD zyrtare me singël dhe vulë, si me drejtimin e “copës” së shkëputur nga “trungu” i PD do të bashkohet me Metën dhe LSI-në e drejtuar prej tij. Pra do të bashkohet populli i “2 marsit” sikurse deklaron Meta, i cili ishte në të vërtetë një përzierje mes shumicës së mbështetësve të PD dhe Berishës dhe nga LSI.

Mbijetesa politike e Berishës dhe Metës, si dhe grupimeve politike që përfaqësojnë, do të jetë më e sigurt nëse bashkojnë forcat, në një grupim politik më vete. Madje korridoreve të LSI dhe të “foltores” së Berishës flitet thuajse hapur për këtë aleancë apo bashkim partish, për të përballuar me aksionin e saj politik supermacinë e Edi Ramës dhe të PS.

 

Dhe në një bashkim të tillë nuk kanë probleme ideologjie, pasi PD për 30 vite është sjellë si parti e majtë ndërsa LSI është parti konjukturale, që ndryshon “ngjyrën” sipas ambientit. Nuk është problem as precedenti. Dhe këtu me sa duket i ka ardhur në ndihmë precedenti maqedonas, ku ish partia e Nikola Gruevskit VMRO-DPMNE, si Meta ashtu dhe Berisha e kanë mik ish kryeministrin në ekzil, është një bashkim i dy grupimeve të mëdha politike duke formuar atë që quhet e djathta në Maqedoninë e Veriut, përballë LSDM që është një parti socialdemokrate e majtë.

Pra po punohet fort për një bashkim të PD apo të asaj që do të dalë nga ndarja e PD, me LSI-në, për të formuar “amalgamën” e grupimit partiak, si në Maqaedoninë e Veriut. Dhe nuk ka asgjë të keqe në këtë rast. Madje as zgjedhja e liderit të këtij bashkimi politik.

Nuk ka qenë e rastësishme deklarata e Metës para zgjedhjeve se nëse PS fiton zgjedhjet atëherë do të bëhej lideri i opozitës. Me sa duket si Meta ashtu dhe Berisha e kishin parashikuar fitoren e Ramës, por nuk kishin parashikuar situatën në të cilën do të precipitonte PD pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i kësaj partie, si rezultat i shpalljes “non grata” nga SHBA. Kjo situatë, megjithatë u ka volitur shumë si Metës ashtu dhe Berishës.

Sali Berisha nuk pretendon se mund të bëhet më kryeministër i vendit. Tjetër çfarë thotë foltore më foltore për të karikuar mbështetësit e vet. E di se ka vdekur ajo kohë jo vetëm për shkak të moshës por dhe barrës së akuzave që ka mbi shpinë, dhe të certifikuara nga SHBA që e shpalli person të padëshirueshëm, por dhe sepse ka dhënë gjithçka ka pasur në 30 vite dhe s’ka çfarë jep më.

Ndaj mundësia e vetme për të qenë në krye të këtij bashkimi të PD me LSI është Ilir Meta, i cili realizon dhe “profecinë” e tij parazgjedhore se do të jetë në krye të opozitës kundër Ramës. Berisha do jetë në prapaskenë dhe e kanë treguar bashkë me Metën se i respektojnë pazaret mes tyre.

Pikërisht përmes këtij bashkimi apo “shkrirjeje”, Berisha dhe Meta kërkojnë që të anojnë “peshoren” e opozitës nga ana e tyre dhe të jenë ata parti e parë opozitare që pretendon të vijë në pushtet. Kjo është skema, ky është qëllimi. Sa do realizohet, të presim. Koha nuk është e largët për ta parë. Dikush mund të thotë dhe se duhet e mund të arrihet dhe kompromis Berisha-Basha! Mbetet për t’u parë kjo dëshirë që anon nga utopia!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Nipi i Ismail Qemalit, Nedin Vlora pas takimit me Ramën dhe Kurtin: Ndjej të njëjtat emocione si gjyshi im më 1912! Të shohim para për të ardhmen! Rroftë Shqipëria

Nipi i Ismail Qemalit, Nedin Vlora pas takimit me Ramën dhe Kurtin: Ndjej të njëjtat emocione si gjyshi im më 1912! Të shohim para për të ardhmen! Rroftë Shqipëria