Shkulet basorelievi i kalasë së
Rodonit, denoncojnë Tare e Shkreli

Shkulet basorelievi i kalasë së<br />Rodonit, denoncojnë Tare e Shkreli
DURRËS - Shkulet basorelievi disashekullore, e Kryeengjëllit Mikael nga kalaja e Rodonit. Aktin e rëndë e kanë denoncuar specialistët e trashëgimisë Kulturore, njëkohësisht anëtarë të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë, Auron Tare dhe Artan Shkreli. Ata kanë shprehur keqardhjen për dhunimin e kalasë, e cila në fakt u ka rezistuar shekujve me radhë.
 
 “Edhe pse për shekuj me radhë, kjo kala arriti ta mbronte vetminë e saj tragjike, edhe falë një basoreliefi të Kryeengjëllit Mikael, i cili me shpatë në dorë mbante larg saj hordhitë barbare, kjo kala nuk mundi të rezistojë gjatë ditëve të sotme”, vërejnë specialistët Tare e Shkreli. Sipas tyre, Kryeengjëlli Mikael e mbrojti kalanë e Skënderbeut nga otomanët, nga venecianët dhe nga banorët e zonës përreth, që të mos i shkulnin gurët për shtëpi.
 
“Kryeengjëlli Mikael për çudi arriti të shpëtonte edhe nga komunizmi, sistem i dhunshëm ndaj simboleve fetare. Dhe, sot në korrik të vitit 2013, statujën arritën ta shkulin nga muret e Kalasë së Skënderbeut. E shkulën mu në hundën e shqiptarëve, të cilët për të mbrojtur kulturën e tyre, kanë krijuar edhe institucione”, shprehen anëtarët e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Auron Tare dhe Artan Shkreli.
 
Ata shprehen se me sa duket, kryeengjëlli nuk e ka ditur se ky shtet i falimentuar, i cili kërkon të përfitojë edhe në minutën e fundit në kurriz të publikut, nuk pyet asfare për trashëgiminë e vet kulturore, duke i braktisur njëherë e mirë të gjitha sitet arkeologjike apo historike.
 
Sipas Tare e Shkreli, me firmën e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Kulturës po jepen koncesionet e fundit dhe po merren përfitimet e fundit në kurriz të trashëgimisë. “Askush nuk e ka mendjen tek Kryeengjëlli i Rodonit, i cili për turpin e shqiptarëve, u shkul ditën për diell”, përfundojnë Tare e Shkreli.

SHKRELI NË "A1 REPORT": KA RËNË KONCEPTI I LIGJIT, TEK NE ËSHTË: HA, MERR DHE IK...
Artan Shkreli, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve, ka qenë sot i ftuar edhe në studion e 'A1 Report", për të analizuar ngjarjen në Kepin e Rodonit. "Si mund të ruhet trashëgimia kulturore? Njerëzit kanë frikë ligjin, i cili nuk presupozon një njeri me automatik. Këtu ka rënë ligji si koncept. Ligji bie kur bie shteti dhe kur e drejton shtetin një kriminel. Mos ketë asnjë prononcim për vjedhje e vjedhje të trashëgimisë?!", ka nisur analizën e tij Shkreli.

Ai ka shtuar se" kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit është nga të paktat relike, që kemi nga koha e Skënderbeut. Kalatë e tjera janë riprekur nga osmanët. Ndërsa te Kepi i Rodonit, kalaja në 1466 u shkatërrua nga osmanët".
 
Shkreli ka kujtuar kohën kur ishte drejtor i Institutit të Monumenteve, vitin 2001, kur kalaja u restaurua me një pjesë të fondeve të Institutit të Monumenteve dhe të ambasadës gjermane. "U zbuluan disa relike, që u çuan në Muzeun e Krujës, ku janë sot dy stema mesjetare, që u zbuluan gjatë gërmimeve në Rodon me qëllim restaurimin e portave", shpjegon Shkreli.
 
Ai tregon që atëkohë u mendua që të hiqej ky bazoreliev nga muret dhe të çohej në muzeun e Krujës. Por meqë ishte material prej një guri reanear, gur i butë, e kishte nisur të humbte trajtat e fytyrës Arkangjelli, specialistë nuk morën përsipër ta thyenin se ishte i brishtë.

Dhe u vendos të bëhej një kopje. Ajo nuk u hoq dhe mbeti aty kur në vitin 2013 qe një dorë kriminale, që ka shkuar aty për ta shqitur. "Ajo stemë nuk ka asnjë vlerë komerciale. Vlera artistike zero, por ka vlerë të madhe simbolike dhe historike,  se kryeëngjëlli vihej në dyert e kështjellave në raste rreziku. Sipas Biblës ishin ëngjëj të armatosur të Zotit", mban qëndrimin e tij Shkreli.
 
Ai ka bërë edhe krahasimin me kalanë e Ulqinit,ku stemat e Balshanjve janë në tokë dhe çdo njeri mund t’i marrë. Por s’e bëjnë, sepse funksionon ligji. "dërsa në Shqipëri vidhen nga muzeumet. Ka mbetur që të vidhen edhe afresket e Rodonit, largqoftë!"
 
Shkreli ka bërë apel, që kjo gjendje duhet të marrë fund. "Këtu mund të hahet, pihet dhe iket pa paguar. Falenderoj “A1 Report” për sensibilizimin, shpejtësinë e reagimit në lidhje me monumentet", tha Shkreli.
 
Sipas tij, autorët apo autori i vjedhjes mund të gjendet. "Është vjedhur në një fshat të humbur, ku kuptohet se kush ka qenë. Po të bëhet një hetim gjendet. Në të kundërt ai do bëjë vjedhje të tjera", thotë Shkreli, i cili dyshon se objekti është dëmtuar gjatë vjedhjes.

"Për shqiptarët Rodoni ka rëndësi primordiale. Është kalaja e fundit që bie në pushtetin turk në vitin 1501 bashkë me kalanë e Durrësit. Nuk ka asnjë kala, që bie më vonë.  Pika e fundit ishte Ishull Lezha në vitin 1506, e cila shënon largimin përfundimtar të Venedikut, i cili mbronte nën emrin e Venedikut ato troje. Ky është një dëmtim i rëndë i trashëgimisë tonë artistike; mos merret si trashëgimi artistike. Është hequr një nga nyjet e kodit gjenetik të mesjetës shqiptare", përfundon reagimin e dhimbshëm specialisti i monumenteve shqiptare, Artan Shkreli.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim