‘Fëmijët shqiptarë vrapuan pas kolonave të ushtarëve serbë, duke kënduar: S’jemi serbë, as bullgarë, jemi trima shqiptarë…’/ Libri i ri i studiuesit Bashkim Trenova

‘Fëmijët shqiptarë vrapuan pas kolonave të ushtarëve serbë, duke kënduar: S’jemi serbë, as bullgarë, jemi trima shqiptarë…’/ Libri i ri i studiuesit Bashkim Trenova

Pjesa e shtatëmbëdhjetë

Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)

Vijon nga numri i kaluar

Jovan Cvijiç – gjeograf, president i Akademisë Mbretërore Serbe, profesor dhe rektor i Universitetit të Beogradit:

Në largësi prej mëmëdheut (afro 200 km.) ishin oazet arbanase në perëndim të Leskovcit, pastaj në Masuricë, në veri të Vranjës dhe në Peshter, afër Senicës. Këto vendbanime shqiptare janë të shënuara në të gjitha hartat e vjetra, dhe në fakt ato ekzistonin deri në vitin 1878. Meqë Serbia në këtë kohë mori rajonin e Moravës Jugore, arbanasit u shpërngulën, kryesisht në Luginën e Llapit, në Kosovë dhe Metohi dhe kështu e përforcuan popullatën e atjeshme shqiptare. Në rrethinën e Leskovcit dhe Vranjës tash nuk ka më oaze arbanase, në kohën e luftërave serbo-turke, 1876-1878, tokat dhe vendbanimet shqiptare shtriheshin deri në Kopanik, Prokuplje, Leskovc, Surdulicë, Vranjë, Mali Rujan, por edhe deri në Nish, në rrethin e Prokupljes dhe Dobricës.

Në Prokuplje, kah Nishi, ishin këto vendbanime: Novo Sella, Devca e Poshtme dhe e Epërme, Klisurica, Xhigola dhe Kordnica. Në rrethin e Dobricës ishin këto vendbanime arnaute: Lukomir, Vllahova, Lugina e Veternicës, Toplica, Medvegja, Pusta Reka dhe Jabllanica. Pastaj në Masuricë, fshatrat: Zhitoragja, Masurica, Suvojnica, Allakinca, Dekutinca, Surdulica e të tjera.(2)

 

Sipas disa të dhënave arkivale serbe (AS), thuhet mes tjerash se: “Gjatë luftërave serbo-turke të viteve 1877-1878, ushtria serbe, duke vënë në jetë urdhrin e shtabit të përgjithshëm dhe të qeverisë serbe, shpërnguli me forcë nga Toplica, Leskovci, (Nishi), Vranja më tepër se 30.000 shqiptarë”.(1)

Shtëpitë shqiptare kolonizoheshin me popullatë serbe, por edhe malazeze. Kthimin e popullatës shqiptare e kishin premtuar Safet Pasha dhe një deputet anglez. Për kthim u angazhua gjoja edhe deputeti rus në Stamboll, vetëm e vetëm që qeveria serbe mos të marrë kritika nga fuqitë e Europës. Shqiptarët e shpërngulur nga Serbia më së shumti u vendosën në Kazanë e Prishtinës, Gjilanit, Vushtrisë dhe Preshevës, por arritën edhe deri në Prilep e Prizren”.(3)

1 – Ivo Andriç. Projekt për pushtimin dhe ndarjen e Shqipërisë midis Jugosllavisë dhe Italisë, i paraqitur qeverisë jugosllave në janar 1939. Le Monde 28 avril 2005 -I vo Andriç, romancier engagé. Ky projekt u bë i njohur në vitin 1977 nga revista kroate Casopis za suvremenu povijest (Revista për historinë bashkëkohore), Zagreb, 9 (1997) 2. Fq. 78-89.

2 – Jovan Cvijiç, Balkansko poluostrvo, knj.2, Beograd, 2000. Fq. 189.  

                                                                              ****   

Jovan Haxhi Vasiljeviç – historian, etnograf dhe publicist:

1 – Jovan Cvijiç, Osnovi za geografiju i geologiju Makedonije i Stare Srbije I-III. (Bazat e gjeografisë dhe të gjeologjisë  të Maqedonisë dhe Serbisë së Vjetër I-III). Beograd,1906-1911.        

2 – Jovan Haxhi Vasiljeviç, Arnautski pokreti u XIX veku. (Lëvizjet e shqiptarëve në shekullin e XIX). Beograd, 1905. Fq. 6.   

3 -Jovan Haxhi Vasiljeviç, ARBANASKA LIGA: Arnautska Kongra I Srpski narod u turskom Carstvu (1878-1882).Kongresi Arnaut dhe populli serb në Perandorinë Turke. Beograd, 1909. Fq. 2.

 —

“Para luftës në fjalë; 1877-1878, vetëm në rrethin e Prokupljes qenë 2054 shtëpi shqiptare e 2031 shtëpi serbe, ndërsa në rrethin e Kurshumlisë qenë 1539 shtëpi shqiptare dhe 638 shtëpi serbe. Ndërsa,Veternica atëbotë llogaritej në Arnautllëk. (1)

                                                                       ****

Kosta Novakoviç – një nga më të shquarit në politikën e majtë serbe të shekullit të 20-të, redaktor i gazetave Radnicke novine, Radnik dhe Borba:

Para Shën Dhimitrit, më 25.10.1912, i gjithë divizioni i Shumadisë ishte grumbulluar në Prizren. Qëndruam dy ditë…që të çlodheshim. Njerëzit shkelnin zbathur nëpër llapavicë dhe ashtu të lagur shtriheshin në kazermën e vjetër turke, gjysmë të rrënuar, shtrëngoheshin njeri pas tjetrit për t’u ngrohur. Që tani kanë filluar sëmundjet te këmbët dhe stomaku; kompani të tëra të regjimentit shkonin çdo mëngjes për ndihmë mjekësore.

-Po tani ku do shkojmë? – pyesnin të gjithë kur mbërritëm në Prizren. Të nesërmen pas mbërritjes flitej për daljen në det, ndërsa të pasnesërmen erdhi urdhri.

Po krijohen detashmente, të cilët do të çajnë njeri pas tjetrit drejt detit. Komandanti i armatës mori urdhrin që të nisë menjëherë detashmentin e parë. Njerëzit nuk kishin këpucë, rroba të trasha, çorape, nuk kishte madje as bukë. Duhet nisur – thoshte urdhri – dhe kjo është kryesorja. Të gjitha të tjerat janë çështje të dorës së dytë.

Të dërmuar nga dizenteria, e cila nuk kurseu asnjë ushtar nga të 2.500-tët, të zbehtë si fantazma, u nisëm të pushtojmë Shqipërinë dhe t’u “japim ujë kuajve në det”! Nuk mund t’ia falja Komandës Supreme dhe qeverisë sonë këtë aventurë të tyre, që na kushtoi kaq jetë njerëzish; nuk mund t’ua fal mjekëve, që masën e të sëmurëve me reumatizëm, tuberkuloz e të pafuqishëm, i dërguan të lenë kockat në Shqipëri.

1- Jovan Haxhi Vasiljeviç. “Arnauti naše krvi-Arnautaši. (“Arnautët e gjakut tonë-Arnautashët”) Beograd, 1939.

Komandantëve të batalionit nuk u shkohej “në det” dhe me short e zgjidhën se cili batalion do të shkonte i pari. Ndoshta nën shembullin e eprorëve, që hodhën zarin, nënoficerët dhe komandantët e kompanive nxorën para nga marshimi drejt detit. U merrnin nga 2-3, madje edhe 5-6 dinarë ushtarëve për të mos i futur në listat e atyre që do të shkonin në det.

Në fshatin Brut kaluam natën. Një fshat i vogël, i bukur, i cili ishte djegur dhe rrënuar. Në dy shtëpi gjysmë të rrënuara kishte njerëz, të tjerat ishin të shkreta. Të nesërmen përsëri ndjekim poshtë lumin Drin, përgjatë rrugës së Urës së Vezirit…Pranë urës takuam patrullën tonë, 9 varre të ushtarëve tanë dhe 9 koka të  prera arnautësh mbi varret e tyre. Patrulla mbi urë na tregon për hakmarrjen. Kishin porositur fshatarët e fshatrave fqinje që t’u sillnin ushqim, dhe kur këta erdhën, i vranë dhe u prenë kokat. Kokat pastaj i vendosën në fund të këmbëve të ushtarëve të vrarë, ashtu siç duhet: robërit në këmbët e pronarëve të tyre!

Kaluam Drinin. Një arnaut i shkretë u ndodh me gjithë kopenë e deleve pranë rrugës, dhe kur u përpoq të ruante delet që të mos ia merrte ushtria, e vranë, ndërsa delet i morën me vete. Edhe burrat, edhe gratë ishin të bindur se nuk ishte e mundur që ne të shkonim si pushtues për t’i nënshtruar, por se po shkojmë të luftojmë me ushtrinë turke, të cilën edhe ata e urrejnë. Prandaj popullsia shqiptare i ndihmoi në fillim ushtarët serbë të uritur dhe të rraskapitur.

Gjëja pozitive që krijoi ushtria serbe për popullin shqiptar është qëndresa unanime dhe armiqësia kundrejt Serbisë. Ajo që mund t’i bashkojë tani të gjithë shqiptarët, sidomos pas kryengritjes së fundit të arnautëve dhe sulmit kundër Serbisë, është armiqësia kundër kësaj të fundit. Fakti është i dhimbshëm, por që ai ekziston nuk janë fajtorë shqiptarët. Frika se mos humbitnin pavarësinë është një faktor i rëndësishëm dhe kjo gjë, me siguri, së shpejti do të çojë në mënyrën e vetme të drejtë për tu mbrojtur nga armiqtë e jashtëm, në një bashkim më të fortë, në një formë shtetërore.

Pas ardhjes në Shqipëri, për ushtrinë serbe nuk ekzistonte më pyetja nëse do të ishte Shqipëria serbe apo jo. Ajo e zgjidhi shpejt atë…Ushtria mendonte se ajo është e jona dhe duhet të mbetet e tillë…Në atë kohë duhej të interesoheshe vetëm për një problem: si do të furnizohen trupat; të merren masat e duhura për shtypjen e përgjakshme të çdo pakënaqësie sado të vogël; të mos kursehet asnjë njeri që përpiqet, qoftë edhe për rezistencë të veçuar ndaj autoriteteve serbe, dhe të digjet i gjithë fshati në rast se dëgjohet edhe një e shtënë e vetme.

Dhe regjimi ushtarak mbretëroi me të gjitha anët e tij të këqija. Zbatuesit e tij ishin nënoficerë dhe oficerë me psikologji kazerme, njerëz me horizont tepër të ngushtë dhe me pak koncepte morale të shkatërruara; pa skrupuj ndaj njerëzve të kombësisë së huaj, pa kriter se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet. Gjëja e parë dhe më e domosdoshme për administratën e komandës ushtarake në Shqipëri konsiderohej trekëmbëshi dhe frikësimi me vdekjen.

Komandantët ushtarakë nuk u përpoqën të shpiknin ndonjë metodë për zgjidhjen e çështjeve, kur e kishin njërën: vrasjen. Për këtë nuk i përgjigjeshin njeriu, pasi ishte luftë. Në qoftë se dikush “gabon”,vrite që të mos gabojë më, në mënyrë që të ndreqet jo ai, por tjetri. Le të sundojë frika, le të dridhet gjithçka para tyre, ky ishte parimi kryesor i shumicës së komandantëve.

Kur është fjala për komandantin e garnizonit të Krujës duhet të përmendim se aty pati shumë dënime me vdekje të kryera me pushkatim por sidomos me varje. Nuk ka turp më të madh për shqiptarin sesa ta godasësh me shpullë fytyrës ose ta rrahësh publikisht, si dhe nuk ka vdekje më të ulët sesa varja. Varjet e shpeshta në Krujë ndikuan shumë keq tek popullsia e Krujës e rreth saj, madje edhe në Mat.

Dhe kur komandanti i Krujës dërgoi një herë një togë ushtarësh me një oficer për t’u vënë flakën shtëpive të disa arnautëve, të cilët me armë në dorë lanë shtëpitë dhe shkuan në Mat para arritjes sonë, arnautët sulmuan togën dhe e shpartalluan krejtësisht. Toga u kthye në Krujë vetëm pas 2-3 ditësh pasi kishte pësuar mjaft humbje.

Pati raste kur njerëzit ktheheshin në vatrat e tyre dhe dorëzonin armët, pasi u jepej fjala se nuk do t’u ndodhte gjë, por e pësuan shumë keq. U varën ose u pushkatuan. Për të tjerët kjo gjë shërbeu si shembull dhe ata nuk dorëzoheshin më…Kjo ndikoi sidomos në fisin e Matit, i cili për njëfarë kohe vendosi për paqe…Mati qëndroi i armatosur gjatë gjithë kohës së qëndrimit tonë në Shqipëri, i gatshëm për të zmbrapsur sulmin e ushtrisë serbe ndaj tij. Ai nuk pati besim te ushtria serbe, në Shqipëri nuk mbeti asgjë që të fliste për qëndrimin e serbëve, përveç varreve, shumë varreve të shpërndara nëpër të gjitha vendet e shkelura prej tyre.

Shqipëria mbeti edhe më tej ajo që kishte qenë, një vend që vuan nga sëmundjet e veta të brendshme dhe nga “miqtë” e saj të jashtëm.

Po përmend vetëm Peqinin pranë lumit Shkumbin, ku komitët tanë sunduan për një farë kohe. Për shkak të një përleshjeje të vogël para Peqinit, para se ta merrnin atë, dhe për shkak të 6 komitëve ushtarë të vrarë, u vranë disa qindra shqiptarë. Megjithëse këta ushtarë u vranë në përleshje, secili nga këta “kalorës” e konsideronte për detyrë që t’u merrte hakun shokëve të vrarë, dhe kjo duke vrarë dhe therur shumë arnautë.

1 – Kosta Novakoviç. Četiri meseca u srednjoj Albaniji. (Katër muaj në Shqipërinë e Mesme). Borba. Libri 7. 1914.

Në fillim të prillit 1913 isha në Durrës (Shqipëri), kur ushtarët serbë hipën në anije dhe u nisën për në Serbi. Fëmijët shqiptarë vrapuan pas kolonave të ushtarëve serbë, duke kënduar këngën e famshme kombëtare: “S’jemi serbë, as bullgarë, jemi trima shqiptarë”. Fëmijët në vend të fjalës “grekë” kishin vënë fjalën “serbë”. Fshatarët serbë, që përbënin ushtrinë serbe, u kthyen në shtëpi të buzëqeshur sepse më në fund mbaroi ekspedita kundër Shqipërisë, një ekspeditë që ata nuk e kuptonin.

Fyerjet e fëmijëve shqiptarë nuk i shqetësonin aspak, sepse e dinin se i meritonin; këto këngë sigurisht që nuk u hakmorën për barbarinë e tmerrshme që kishin ushtruar ndaj popullit shqiptar gjatë gjashtë muajve të pushtimit. Por pas fshatarëve serbë, të rraskapitur nga lufta dhe sëmundjet, qëndronte Serbia zyrtare, e cila shtrëngonte dhëmbët e indinjuar, sepse ishte detyruar nga ultimatumi i fuqive të mëdha që të braktiste Shqipërinë.

Operacionet e luftës kishin mbaruar prej kohësh. Pushtimi i Shqipërisë nga ushtria serbe kishte qenë një përpjekje imperialiste serbe për të pushtuar portet e Shkodrës, Durrësit dhe Shëngjinit. Por, edhe pse imperialistët pan-serbë do të largoheshin nga Shqipëria, pushtimi i Shkodrës dhe Shqipërisë së Veriut mbetet një nga pikat kryesore të programit imperialist. Manuali serb “Çfarë duhet të di unë si ushtar?” për edukimin e ushtarëve, miratuar dhe rekomanduar nga Ministria e Luftës me dekretin e IP nr. 1161, datë 23 gusht 1922, përfshin këtë fjali: “Të gjitha krahinat tona. Shkodra dhe një pjesë e Shqipërisë Veriore, nuk janë bashkuar ende me Mbretërinë tonë…”! Serbia fshatare nuk ekziston më.

Ajo gradualisht e humbi rëndësinë e saj gjatë disa dhjetëvjeçarëve dhe u zhduk plotësisht në vitin 1912. Në vend të saj doli një Serbi imperialiste, me imperialistët pan-serbë, dinastinë pan-serbe dhe militarizmin pan-serb. Ky imperializëm i ri i vrazhdë, brutal dhe mizor ëndërron të rivendosë perandorinë e mbretit Stefan Dushan dhe përpiqet të përshkojë në 10 vjet rrugën e ndjekur nga fuqitë imperialiste, që kanë ekzistuar në shekuj. Fshatari serb ishte vegël e verbër e imperializmit pan-serb, mish për top, kafshë pa bisht, siç e quanin atë oficerët serbë.

Ai u detyrua nga kamxhikët e oficerëve të hidhej me kokë në zjarr dhe të digjte e të shkatërronte vendet që u pushtuan. Gjatë pushtimit qeveria imperialiste serbe nuk kurseu asnjë përpjekje kundër shqiptarëve. Ajo masakroi, vrau dhe plaçkiti popullsinë e varfër shqiptare. Dhe ajo persekutonte vetëm të varfrit. Viktimat e para të imperializmit serb ishin Maqedonia dhe Kosova. Dhe ndonëse u detyruan nga imperialistë të tjerë, më të fuqishëm, të lëshonin brigjet e Shqipërisë, imperialistët pan-serbë rezervuan për vete territorin më pjellor – Kosovën. Rajoni i banuar nga shqiptarët quhet Kosovë: fusha e Kosovës, Metohija dhe pjesa jugore e Sanxhakut të vjetër deri në Novi Pazar.

Më shumë se 500.000 shqiptarë u bënë skllevër të pushtuesve të rinj. Përveç këtyre, ka 150,000–200,000 shqiptarë në Maqedoni, që do të thotë se ka 650,000–700,000 shqiptarë në Jugosllavi. Kosova e robëruar është një rast shembullor i shtypjes ekstreme të një kombi gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Masat e egra, terroriste dhe inkuizitore të përdorura në Kosovë nuk janë vërejtur as në Ukrainën lindore apo në Bjellorusi nën Poloninë, as në Besarabi apo në Dobruxhë nën Rumaninë…Në këtë drejtim, vetëm Maqedonia mund të krahasohet me Kosovën. Kur e pushtuan Kosovën, imperialistët serbë shpallën se po rimarrin të drejtat historike, që kishin në vitin 1389 (para Betejës së Kosovës).

Në bazë të “të drejtave historike” të ngjashme, Italia ose Franca, Greqia ose Turqia mund të ngrihen tani për të pretenduar gjysmën e Europës, pasi kanë zotëruar pjesë të saj në të kaluarën. Kështu Franca mund të pretendojë një pjesë të Rusisë, siç bëri Napoleoni dikur në Moskë në 1812. Por “të drejtat historike” të Serbisë mbi Kosovën janë edhe më të habitshme. Kur ushtria turke në Mesjetë arriti në kufijtë e Austrisë, patriarku serb Arsenije Crnojevic dhe pronarët serbë shkuan të luftojnë për Austrinë dhe të mbrojnë lumenjtë Danub dhe Sava. Patriarku dhe pronarët e tokave morën me vete 170.000 familje nga Kosova, kryesisht beqarë dhe shërbëtorë të rinj dhe i vendosën në Banat dhe Backa, që ua dha Austria.

Tani, qindra vjet më vonë, imperialistët pan-serbë pretendojnë se kanë “të drejta historike” si në Backë dhe Banat, ku ishin vendosur serbët e Kosovës, ashtu edhe në Kosovë nga ku ishin larguar. Dhe kjo është ajo që ata e quajnë drejtësi historike! Mbi bazën e këtyre “të drejtave historike” imperialistët pan-serbë duan të marrin “Panserbo Kosovën” pa serbë. Kosova është një territor krejtësisht shqiptar; ka vetëm 10 deri në 15% serbë. Imperialistët serbë përdorën taktikat dhe metodat e luftëtarëve mesjetarë ose të pushtuesve kolonialë: asgjësimin e popullsisë me pretekstin e operacioneve ushtarake, çarmatimin e popullsisë dhe shtypjen e qëndresës së armatosur.

Kështu, në vitet 1912-1913, u dëbuan 120.000 shqiptarë, burra, gra, pleq e fëmijë; qindra fshatra, kryesisht në Kosovë dhe më pak në Maqedoni, u bombarduan dhe shumica e tyre u shkatërruan plotësisht. Duhet theksuar se përfaqësuesi i politikës imperialiste të Rusisë cariste, Hartwig, Ministri rus në Beograd, e bekoi politikën e asgjësimit të praktikuar nga Beogradi. Cari ortodoks rus u kërkoi vëllezërve të tij ortodoksë, mbretit Pjetër dhe djalit të tij Aleksandrit, të vrisnin një popull të tërë dhe të përhapnin besimin ortodoks në Ballkan. Të paktën 50.000 shqiptarë u detyruan të bëhen refugjatë dhe të ikin në Turqi dhe Shqipëri për të shpëtuar jetën e tyre.

Ky asgjësim e pakësoi praninë e kombit shqiptar në Kosovë, por në asnjë mënyrë nuk e ndryshoi karakterin e saj shqiptar. Qëllimi i këtyre masakrave ndaj shqiptarëve në Kosovë ishte zëvendësimi i tyre me serbë, kolonizimi dhe ruajtja e saj. Mirëpo, deri në fund të vitit 1912, kur pati rezistencë nga shqiptarët, kolonizimi vazhdoi mjaft ngadalë. Vetëm disa serbë u vendosën në fillim në rajonin e Kosovës. Këtu po japim disa statistika zyrtare të qeverisë serbe, të cilat tregojnë karakterin shqiptar të Kosovës. Në rrethin e Prizrenit, në vitin 1921, kishte 17% serbë; përqindja ishte i njëjtë edhe në qarqet e Prishtinës, Mitrovicës, Gjilanit, Pejës dhe të Gjakovës. Në disa zona të tjera kishte edhe më pak serbë.

Në vitin 1921 e gjithë Kosova kishte më së shumti 17% serbë. Qëndresa kombëtare shqiptare u zhvillua në dy linja: në vijën juridike, nëpërmjet organizatës myslimane Xhemijet, dhe në vijën revolucionare, nëpërmjet luftës së armatosur të organizuar nga luftëtarët guerilë kombëtarë shqiptarë të quajtur kaçakë. Për Xhemijetin do të flasim më vonë. Qeveria serbe u përpoq t’i etiketonte kaçakët shqiptarë si banditë dhe i u dha të drejtë agjentëve të qeverisë dhe çdo fashisti serb për t’i vrarë. Realisht, kaçakët nuk janë fare hajdutë, por atdhetarë shqiptarë rebelë. Ata braktisën gjithçka, shtëpitë dhe pasuritë e tyre, duke marrë rrugën për në male; formuan çeta [njësi guerile, term nga i cili vjen termi serbo/bullgar/maqedonas “çetnik”, fillimisht neutral, sot i barabartë me “terroristë” – SAS] me luftëtarë të lirisë dhe luftojnë kundër padrejtësive dhe akteve barbare të ushtrisë dhe policisë serbe.

Luftëtarët e lirisë janë kështu të bindur se mund ta dëbojnë regjimin serb nga Kosova. Këta luftëtarë kombëtarë bënë një luftë këmbëngulëse, një luftë që duhet të vlerësohet, kundër forcave shumë më të mëdha të xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe. Emrat e Bajram Currit, Azem Bejtës dhe qindra luftëtarëve të tjerë trima, që ranë dëshmorë në këtë luftë, mbeten të gdhendur në zemrat e shqiptarëve të Kosovës. Vetëm në rrethin e Llapit ishin 2000. Në vitin 1920, në kohën e kryengritjes së Llapit, ushtria serbe, nën komandën e kolonelit Radovan Radoviç, bombardoi fshatin e madh Prapashticë dhe nuk la asnjë shtëpi në këmbë.

Ashtu si në rrethin e Llapit, lëvizjet kombëtare shqiptare u ngritën në shumë vise të tjera të Kosovës dhe dislokimet e mëdha të forcave serbe arritën t’i shtypin ato në vitin 1919 dhe 1924. Këtu përmendim kryengritjet e Plavës, Gucisë dhe Rugovës të vitit 1919, atë të Prishtinës në vitin 1921, të Drenicës në vitin 1923, të Mitrovicës në 1924 dhe atë të Drenicës më 1924. Në shtypjen e këtyre rebelimeve, ushtria serbe vrau 2600 shqiptarë. Kështu, qëndresa kombëtare u kufizua në veprimet e njësive guerile të luftëtarëve të lirisë. Sipas një raporti zyrtar të qeverisë serbe, 1200 atdhetarë u organizuan në njësi guerile në vitin 1924.

Në vitin 1927, policia serbe bëri një bilanc: 310 kryengritës shqiptarë u vranë [Unë mendoj se kjo shifër nuk është e saktë, është shumë e ulët – SAS], 175 u kapën dhe 626 u dorëzuan. Në vitin 1927 luftëtarët e lirisë pushuan së vepruari, por shpirti i tyre jeton në çdo fshat dhe nuk do të vdesë derisa Kosova të jetë e lirë. Regjimi serb e di mirë këtë. Si rrjedhojë, ai vendosi të shkombëtarizojë plotësisht Kosovën, duke shtypur egërsisht qëndresën e shqiptarëve dhe, në veçanti, duke ua marrë tokat dhe duke i kolonizuar me serbë.

1 – Kosta Novakoviç. La colonisation et la serbisation du Kosova. (Kolonizimi dhe serbizimii Kosovës). Liria Kombëtare (Libération nationale), Gjenevë, 13 korrik 1931./Memorie

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Spiropali: Të udhëhiqemi nga dashuria, respekti dhe mirëkuptimi

Krishtlindjet/ Spiropali: Të udhëhiqemi nga dashuria, respekti dhe mirëkuptimi