Padyshim, ky lloj organizimi i socialistëve i formësuar me grafika, tabela, foto, gjetjen e elementëve më të dështuar të qeverisë, sarkazmën e ironinë për qeverisjen, do të tërheqë vëmendjen e analistëve.
Ajo që fillimisht bie në sy, është organizimi: Mungesa e flamujve, tabelave, fishekzjarreve brenda sallës. Mënyra e thjeshtë, e qartë, për të treguar se nuk ka shumë nevojë për pompozitet, për autobuzë që duhet të mbushin sallën, por për delegatë që duhet të dëgjojnë një program të ri që shpaloset.
Nga pikëpamja vizive, ka kritikë që thonë se nuk ka entuziazëm. Shtrohet pyetja: qytetari do të shohë “eksitimin” e pashkak të turmave që bërtasin, apo programin që shpaloset që gjithkush të shohë sesi do të veprojë ndryshe nesër në pushtet (nëse fiton zgjedhjet) një forcë politike.
E mandej minutazhi për çdo folës e moderator. Skena kryesore e Pallatit të Kongreseve, nuk ishte “domen” i dy a tre personazheve, gjithë kohën prezent në çdo lloj diskutimi në tryezat e PS, por ishte një panel i gjerë zyrtarësh socialistë ose jo, të cilët shpalosnin platformat, në një minutazh prej 5 deri në 8 minuta.
Në aspektin praktik, bie në sy ideja e shembujve pozitivë që PS pretendon se do të sjellë nesër në pushtet. Modelet e kryebashkiakëve, mënyrat sesi janë qeverisur qytete si Durrësi, Korça, Elbasani, Vlora e Pogradeci ishin një lloj risie e konventës.
A duhet që qytetarët të “bombardohen” vetëm me të këqiat e një qeverisjeje tetë vjeçare, apo duhet të kenë pozitivitetin e shpresën se çfarë do të ndryshojë në jetën e qytetet e tyre nesër? Nga pikëpamja mediatike, të krijohet përshtypja se elementi pozitivist i futur në konventë, jep njëlloj shprese se gjuha e urrejtjes, përçarjes, përçmimit, lançimit të kundërshtarit, nuk do të jetë moto e fushatës së nesërme.
Në aspektin programor, diçka ndryshe u pa gjatë punimeve të konventës për mënyrën sesi PS pretendon të qeverisë nesër. Ka disa premtime që për analistët ekonomikë, ia vlen të analizohen: ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, si një “premtim” i thënë nga të dy palët, por kur PS tregon me gisht nga Berisha si “strumbullarin e korrupsionit”, kryeministri në detyrë përpiqet të premtojë se do të intesifikojë luftën kundër korrupsionit.
Ka të bëjë me modelin e taksës së sheshtë e taksës progresive; ka të bëjë me punësimin e papunësinë; ka të bëjë me shëndetësinë falas që premton PS, e botën virtuale që premton kryeministri.
Dallimet programore të dy palëve, u bënë shumë më të qarta pas kësaj konvente dhe do të shihen në panele debatesh edhe në javët në vazhdim. Më vonë shqiptarët do të vendosin se cilin model do të duan t’i qeverisë.
Ndoshta të gjithë, politikanë, analistë, qytetarë bien dakord në një pikë: nuk është e vërtetë se nuk funksionojnë politika, të majta e të djathta në këtë vend. Nuk funksionon sistemi dhe mënyra sesi janë ngritur institucionet: një vend ku administrata publike vazhdon të jetë e politizuar, e ku politizimi, tani e më shumë, po hyn gjerësisht në gjimnaze e universitete; një vend ku përpara se të shkosh te mjeku, duhet të mendosh sesa lekë ke në xhep; një vend ku përpara se të vësh rripin e sigurimit në makinë, duhet të mendosh se çfarë do të duhet t’i thuash policit që të ndalon; një vend ku përpara se të marrësh një patentë, do të duhet të mendosh sesi të gjesh një mik për të përshpëjtuar procedurën; me këtë sistem të ngritur jemi një vend që përpara se të kemi një hall për ta çuar në dyert e gjykatave, duhet të mendojmë sesa lekë kemi në bankë tia ofrojmë gjykatësit.
E meqënëse e nisa me Henrin, ndoshta duhet të ndalem te përcaktimi i tij i fundit: a është koha, vendi dhe mënyra e duhur për të gjitha këto? Për këtë arsye ky show i nisur duhet të vazhdojë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)