Tragjedi në Bulqizë, nëna me 2 fëmijët asfiksohen nga tymi i sobës me dru (vajza do martohej në shtator!) Shpëton 16-vjeçarja /VIDEO

BULQIZË - Një grua dhe dy fëmijët e saj ndërruan jetë si pasojë e asfiksisë nga tymi i përhapur nga soba me dru, ndërsa vajza tjetër e familjes fatmirësisht ka shpëtuar, dhe gjendja e saj shëndetësore është stabilizuar.

Rajmonda Tola, 45 vjeç, u gjet e pajetë në banesën e saj në fshatin Ostrimë të Madhe në Bulqizë, së bashku me djalin, Fatjonin 14 vjeç dhe vajzën, Rudinën 22 vjeç. Ndërkohë vajza tjetër e shtëpisë, 16-vjeçarja Merita Tola, u gjet me shenja jete dhe menjëherë u transportua drejt spitalit të Bulqizës. Pas marrjes së ndihmës së parë ajo u transportua në spitalin e Traumës në Tiranë, ku gjendja e saj shëndetësore paraqitet e stabilizuar. Rudina ishte e fejuar, dhe më 5 shtator, do të kurorëzonte dashurinë në martesë.

Policia tha paraprakisht se familjarët mund të jenë asfiksuar nga rrjedhja e gazit nga bombola, por burime nga Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial  (ISHTI), pas verifikimeve me një grup ekspertësh ka konstatuar një bombol gatimi me gaz në ballkonin e shtëpisë, e cila ishte me siguresë të mbyllur, ndërsa në banesë nuk është ndjerë erë gazi, çka heq dyshimet e tyre se familja mund të jetë asfiksuar nga gazi. Por në banesë, familja Tola ngrohej me sobë me dru, dhe dyshimet janë që familja të jenë asfiksuar nga tymi i përhapur në dhomë.

Shtëpia ku ndodhi ngjarja, familjarët hapin dyert e mortit 

Grupi hetimor ka nisur hetimet, trupat e viktimave janë dërguar në morg ku pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet që çuan në vdekjen e një nëne dhe 2 fëmijëve të saj. Ka qenë kunata e së ndjerës ajo që paraditen e kësaj të premteje ka shkuar në banesë, por kur Rajmonda nuk i ka hapur derën ka njoftuar komshinjtë, të cilët pasi kanë hapur me forcë derën e jashtme kanë gjetur trupat e pajetë në një dhomë dhe vetëm një nga vajzat me shenja jetë. Kryefamiljari, Ylber Tola, ndodhet në Greqi, ku bën punë sezonale dhe me marrjen e lajmit tragjik është nisur për në atdhe. Familjarët kanë hapur dyert e mortit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:22
ISHTI: Familja Tola mund të jetë asfiksuar nga tymi i sobës me dru, bombola e gazit ishte e mbyllur me siguresë

Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial  (ISHTI), me një grup ekspertësh ka shkuar në banesën e familjes Tola në Ostren të Bulqizës, për të bërë verifikimet mbi shkaqet e ndarjes nga jeta të nënës me dy fëmijët brenda banesës. Grupi i ekspertëve ka konstatuar një bombol gatimi me gaz në ballkonin e shtëpisë, e cila ishte me siguresë të mbyllur, ndërsa në banesë nuk është ndjerë erë gazi, çka heq dyshimet e tyre se familja mund të jetë asfiksuar nga gazi. Por në banesë, familja Tola ngrohej me sobë me dru, dhe dyshimet janë që familja të jenë asfiksuar nga tymi i përhapur në dhomë.

Burime nga ISHTI thanë se në një dhomë të vogël grupi i ekspertëve ka evidentuar një sobë drush çka ka bërë që të dyshojnë që vdekja e anëtarëve të familjes Tola të ketë ardhur si pasoje e sasisë së madhe të druve dhe mbushjes së dhomës me sasi të madhe tymi. Gjithashtu ekspertët e ISHTI thonë që në momentin që kanë shkuar në banesë, por edhe nga komunikimet me fqinjët nuk kanë ndjerë erë gazi. Fakti që bombola e gazit ka qenë me siguresë të mbyllur i bën ata të presin rezultatet e ekspertizës për të dhënë përgjigjen e saktë sa i takon arsyes që i mori jetën nënës dhe dy fëmijëve të familjes Tola në Bulqizë.

Ora 18:01
Detaji tragjik i 22-vjeçares që vdiq me nënën dhe vëllain në Ostrimë të Bulqizës

Rudina Tola, e cila ndërroi jetë në banesë me nënën dhe vëllain, ishte e fejuar, dhe më 5 shtator, do të kurorëzonte dashurinë në martesë. Ky është detaji tragjik që raporton gazetarja Xhensila Kodra për vajzën e familjes Tola që u shuan me nënën, Rajmondën, dhe vëllain Fatjonin, 14 vjeç. Ndërkohë, tragjedisë i shpëtoi vajza tjetër e familjes, Merita Tola, 16-vjeçare, e cila ndodhet për trajtim mjekësor në spitalin e Traumës në Tiranë. 

Ora 17:50
Meta viziton në Spitalin e Traumës 16-vjeçaren e mbijetuar nga Bulqiza: Do jem pranë tyre në këtë dhimbje të pangushëllueshme (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta mbërriti në spitalin e Traumës në Tiranë, për t'u interesuar për gjendjen shëndetësore të vajzës 16-vjeçare, e cila i mbijetoi tragjedisë në Ostren të Madh të Bulqizës ku humbën jetën nëna, motra dhe vëllai i saj.

"Për fat të mirë gjendja e Meritës, vajzës nga Bulqiza është e mirë dhe e qëndrueshme dhe mjekët po bëjnë një punë shumë të mirë për ta mbajtur jashtë çdo rreziku. Sikurse dimë ka ndodhur një dramë shumë e madhe në familjen e saj. Shpreh ngushëllimet më të ndjera për gjithë familjen Tola, për komunitetin e Ostrenit dhe Bulqizës, dhe siguroj që do të jem gjithmonë pranë tyre për të kaluar këtë dhimbje të jashtëzakonshme dhe të pangushëllueshme", tha Meta.

16-vjeçarja  Merita Tola ndodhet jashtë rreziku për jetën, ndërsa ishte e vetmja e mbijetuar nga familja Tola, pas vdekjes së nënës dhe dy fëmijëve të tjerë. Sipas burimeve vajza e mitur ndodhet në gjendje shoku pas tragjeditë, por jashtë rreziku për jetën. 

Ora 17:48
E afërmja e tre personave që u shuan në Bulqizë: Më dhemb shpirti, 3 kufoma në një shtëpi! Lindën dhe vdiqën në fshat (VIDEO)

E afërmja e vetme që ndodhet pranë Merita Tolës në spitalin e Traumës në Tiranës, është nusja e dajës së Rajmondës, e cila ndërroi jetë së bashku me dy fëmijët e tjerë të saj në banesën e tyre në Ostrimë të Bulqizës. Lumturie Bajrami thotë në një prononcim për gazetaren Xhensila Kodra, se lajmin tragjik e ka marrë edhe bashkëshorti i Rajmondës, që ndodhet emigrant në Greqi, dhe ka marrë rrugën për në atdhe, për t'i dhënë lamtumirën e fundit familjarëve të tij. Zonja Bajrami thotë se nuk e di se çfarë ka ndodhur në banesë që i mori jetën nënës dhe dy fëmijëve, por kërkon ndihmën e shtetit në një familje që kanë për të varrosur tre persona!

"E mora vesh përmes televizorit, dhe sa pashë emrin e mbesës në televizor, mora në telefon kunatin e mbesës, dhe tha po është e vërtetë. Si ka ndodhur i thash? Nuk dimë asgjë, 3 janë të vdekur, dhe një në spitlain e Bulqizës. Unë u nisa direkt në spital. Komunikova me infermieren, për momentin është mirë më thanë. Jemi të traumatzuar, i thonë 3 kufoma. Rajmonda ishte shtëpiake.  Bashkëshorti në Greqi në emigrim me tre mujorsha, vajtje-ardhje. E kanë marrë në telefon edhe atë, është nisur nga Greqia. Kufomat i kanë çuar në Peshkopi të bëjnë ekspertizën. Aty përdornin zjarr për ngrohje se janë në mes të fshatit, por të vërtetën nuk e di se çfarë mund të ketë ndodhur. I mora në telefon, aty kishte vetëm të qara. Më dhëmb shpirti. Me bagëti merren, nuk kanë gjendje të mirë, të kishin gjendje të mirë nuk shkon burri në Greqi emigrant me i lënë fëmijët. Ndihma nga shteti është mëse normale se është gjendje shumë e rëndë, tre kufoma në një shtëpi. Janë në gjendje kritike, në mes të fshatit, jetojnë me sakrifica të mëdha. Ata kanë lindur dhe po vdesin në fshat. Aty kanë jetuar", tha Lumturie Bajrami.

Ora 17:36
Si është gjendja shëndetësore e 16-vjeçares të mbijetuar nga tragjedia në Bulqizë, flet mjekja e Spitalit të Traumës (VIDEO)

Merita Tola është 16-vjeçarja që i mbijetoi tragjedisë në Ostrimë të Madhe të Bulqizës. Ajo ndodhet në spitalin e Traumës dhe sipas mjekëve në Urgjencën e Spitalit të Traumës, gjendja e saj shëndetësore është e stabilizuar.

"Aktualisht gjendja e pacientes paraqitet e stabilizuar, janë bërë ekzaminimet, eko, skaner, janë bërë ekzaminimet edhe me neurokirugun dhe gjendja është e stabilizuar. Pacientja është në observimin e urgjencës. Për momentin do të qëndrojë këtu dhe për disa orë do të qëndrojë këtu. Nga ekzaminimet rezulton që parametrat janë në normë", tha mjekja e urgjencës në spitalin e Traumës, Viola Kaja, në një prononcim në Report Tv përballë gazetares Xhensila Kodra.

Ora 17:00
 Tragjedia në familjen Tola në Bulqizë, Meta: I tronditur, jemi pranë familjarëve

1580467985_meta.jpg

Presidenti Meta shprehet i tronditur në lidhje me tragjedinë e ndodhur në Ostren të Madh në Bulqizë, ku humbi jetën nëna me dy fëmijët e saj. Me një postim në rrjetet sociale, Meta shpreh ngushëllimet për familjen Tola, e cila po kalon këtë moment të vështirë, ndërsa uron shërim të shpejtë për vajzën 16-vjeçare, e cila ndodhet e shtuar në spitalin e Traumës në Tiranë.

'Thellësisht i tronditur nga tragjedia në Ostren të Bulqizës. Duke ndarë dhimbjen e madhe me familjen Tola, të afërmit dhe mbarë komunitetin e Bulqizës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe uroj shërim sa më të shpejtë të vajzës së mitur që po merr ndihmën mjekësore. Do të jemi gjithmonë pranë familjes Tola!', shkruan Meta.

Ora 14:09
Tragjedia në Bulqizë, Basha: E ndoqa lajmin me dhimbje, shërim të shpejtë vajzës tjetër

1581685924_lulzimbasha11.jpg
Kreu i Partisë Demokratike ka reaguar në lidhje me tragjedinë e ndodhur në Bulqizë, ku një nënë me dy fëmijë gjetën vdekjen. Basha shpreh ngushëllimet për familjen Tolaj si dhe i ka uruar shërim sa më të shpejtë pjesëtarit tjetër të familjes, që sipas kreut të opozitës është vajza tjetër e familjes.

"Me tronditje dhe dhimbje ndoqa lajmin për tragjedinë në Ostren të Bulqizës ku humbën jetën një nënë dhe dy fëmijët e saj. Shpreh ngushëllimet e mia të thella për familjen Tolaj dhe uroj shërim të shpejtë vajzës tjetër të familjes që po merr ndihmën mjekësore" shkruan Basha.

Ora 12:38
Kryebashkiaku Alla: Vajza që mbijetoi është 16 vjeç, po transportohet për në spitalin e Bulqizës

Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla bëri të ditur në një lidhje telefonike për Report Tv, se e vetmja e mbijetuar është vajza 16-vjeçare e shtëpisë, e cila është duke u transportuar në spitalin e Bulqizës. Ai tha se nëse gjendja e saj shëndetësore konstatohet e rëndë, do të jetë i vështirë transportimi i saj me helikopter për shkak ptë kushteve të pafavorshme të motit. Kryebashkiaku Alla tha se fëmijët që u gjetën të pajetë në banesë, janë djali 14 vjeç dhe vajza 19-vjeçare. Ndërkohë, Alla shtoi s epolicia është duke hetuar për shkaqet e ngjarjes, por tha se nga komunikimet me fqinjët, dyshohet të jetë shpërthim i bombolës së gazit ose asfiksi nga rrjedhja e gazit. 

"Bëhet fjalë për një ngjarje tragjike familjare, ka humbur jetën e ëma rreth 42-45 vjeç, djali 14 vjec, dhe vajza rreth 19 vjeç, ndërsa ajo që ka mbijetuar është 16 dhe është në ambulancë dhe është duke u transportuar në spitalin e Bulqizës. Kushtet e motit janë të pafavorshme për transportimin e saj me helikopter. Është ende e paqartë nëse bombola ka shpërthyer apo kemi të bëjmë me rrjedhje gazi, por po merren organet e policisë. Është 1 orë me makinë, larg Bulqiza.

Nga komshinjtë na rezulton të jetë ose shpërthim ose rrjedhje e gazit dhe asfiksi nga gazi, policia po heton. Ne u njohëm me ngjarjen përpara një ore, nuk e di se kur ka ndodhur. Po shqetësohemi më shumë tani për të mbijetuarën. E mbijetuara për një periudhë shumë të shkurtër do të jetë në spitalin e Bulqizës, kushtet e motit janë të pafaorshme për ngritjen e helikopter", tha Lefter Alla, kryetar i Bashkisë së Bulqizës.

Ora 12:29
Detajet/ Nëna me dy fëmijët humbin jetën nga asfiksia nga bombola e gazit, një tjetër familjarë në gjendje të rëndë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga tragjedia e ndodhur në Ostren të Madh të Bulqizës. Policia ka shpjeguar se tre viktimat janë R.Tola dhe dy fëmijët e saj (vajza dhe djali).

Sipas policisë ata janë gjetur pa shenja jetë dhe dyshohet se janë asfiksuar si pasojë e rrjedhjes së gazit nga një bombol. Po kështu  në gjendje të rëndë shëndetësore është dhe një pjesëtar tjetër i familjes ku po transportohet për në spital.

/d.ba./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Klubet paralajmërojnë protesta! A jeni dakord me vendimin e Ligës së Futbollit për të përshkallëzuar bojkotin?

Komento

Komente

  • EPR: 14/02/2020 13:12

    Tragjedi. U ndrite shiprti

    Përgjigju
  • Arbëri: 14/02/2020 12:45

    O Zot, Ngushllime!

    Përgjigju
    • Naim: 14/02/2020 14:41

      Ngushllime, u prefshin ne paqe. O njerez vlersojeni jeten dhe beni kujdes per cdo veprim qe kryeni.



×

Lajmi i fundit

John

Covid në Itali/ Regjistrohen 1851 të infektuar dhe 19 viktima në vetëm një ditë