Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se Bashkimi Europian është pro dënimit të 4 ish-liderëve të UÇK-së, pasi sipas tij, ata kanë financuar ndërtimin e Gjykatës Speciale, ku kanë hedhur 400 milionë euro.

Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se nëse ish-krerët e UÇK-së dalin të pafajshëm, do të duket sikur ‘Specialia’ ka funksionuar kot.

Ai shtoi gjithashtu se në Hagë ka një lloj xhelozie për liderët ballkanikë që janë pro-amerikanë, për shkak të përplasjeve të fundit mes SHBA-së dhe BE-së.

“Nëse do të çohej në pafajësinë e 4 ish-liderëve të UÇK-së, sipas BE-së i bie që kjo Gjykatë dhe kjo Prokurori ka funksionuar kot. Ka një lloj xhelozie, ka një lloj tentative për ndoshta si një lloj reaksioni që diplomatët amerikanë i kanë bërë liderëve të UÇK-së. Duke parë situatën gjeopolitike të përplasjeve të europianëve me amerikanët, unë mendoj se ka një lloj xhelozie dhe nuk mirëpriten liderët ballkanikë që janë pro-amerikanë. Dhe dihet që liderët e arrestuar shqiptarë, lider të UÇK-së, janë pro-amerikan dhe kryesisht pro-Trump. Dhe unë shikoj pak gjasa që të shkohet drejt pafajësisë. Mendoj që ata që kanë investuar miliona euro (400 milionë euro) për ndërtimin dhe funksionimin e kësaj prokurorie dhe gjykate, do të kurorëzojnë edhe punën dhe investimin e kësaj prokurorie dhe gjykate, fatkeqësisht me dënimin nga gjykata të liderëve të UÇK-së”, tha mes të tjerash Spahiu.

Spahiu vijoi më tej duke thënë se faktori politik shqiptar, por edhe populli në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë, duhet të bashkohet për të ngritur zërin në mbështjetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Unë do kisha dashur që ndërhyrjet apo thirrjet e liderëve shqiptarë të kishin qenë më të strukturuar, më të argumentuar dhe më të bashkuar, qoftë në lobim, qoftë në kundërshtim, qoftë në apel, qoftë edhe në protestë", tha mes të tjerash Spahiu.

Kujtojmë se ditën e sotme në Prishtinë u mbajt edhe një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ku kërkohej një gjykim i drejtë për ta.

Prokuroria Speciale në Hagë kërkoi 180 vite burg për 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra nga 45 vite burg për secilin prej tyre.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:14
Propozimi i Spahiut: Shqipëria, Kosova dhe Diaspora duhet të bashkohen dhe organizohen në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

 

Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se politika e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të bashkohen dhe të organizohen për të ngritur zërin për lirimin e ish-liderëve të UÇK-së.

Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se deri më sot, faktori politik shqiptar nuk ka treguar unitet në mbrojtjen e luftës së UÇK-së.

Spahiu tha gjithashtu se kishte bindjen se kishte politikanë në Shqipëri e Kosovë që nuk e donin lirimin nga burgu të ish-krerëve të UÇK-së.

Ai vijoi më tej duke thënë se politika shqiptare ka demonstruar te faktori ndërkombëtar se nuk e kanë merituar mbështetjen për pavarësinë e Kosovës.

“Unë do kisha dashur që ndërhyrjet apo thirrjet e liderëve shqiptarë të kishin qenë më të strukturuar, më të argumentuar dhe më të bashkuar, qoftë në lobim, qoftë në kundërshtim, qoftë në apel, qoftë edhe në protestë.

Është e papranueshme, një shtet që është projekt ndërkombëtar, projekt amerikan, produkt i një luftë 1000 vjeçare shqiptare, për të krijuar shtetin e dytë shqiptar, të arrijmë ne pas kaq pak vitesh liri e pavarësi, të mos jemi bashkë me njëri-tjetrin, të vjellim vrer ndaj njëri-tjetrit dhe të kemi këtë urrejtje ndaj njëri-tjetrit, të demonstruar edhe te faktori ndërkombëtar, unë mendoj se jo vetëm që nuk kemi qenë produktiv, por kemi qenë shumë të dobët.

Pra ndërkombëtarët, faktori ndërkombëtar praktikisht na ka parë shumë të dobët, shumë të ndarë, si një mbështetje që nuk e kemi merituar, si një projekt që nuk e kemi justifikuar me mirënjohjen apo me aftësitë shtetformuese tonat. Unë nuk kam parë lider shqiptar që të krijojë një komitet bashkimi dhe të ketë një reaksion të fortë. Unë mendoj se ka politikanë që e dëshirojnë dënimin e liderëve të UÇK-së, ashtu si ka edhe politikanë që nuk dinë t’i mbrojnë”, tha mes të tjerash Spahiu.