TIRANË- Më shumë se 135 persona, një pjesë e të cilëve janë fëmijë, nuk i kanë kaluar këto ditë të ftohta janari në rrugët e kryeqytetit por janë strehuar në qendrat sociale të ndërtuara nga Bashkia e Tiranës.
Kreu i Bashkisë Erion Veliaj ka qenë sot në qendrën sociale në Laprakë ku dhe ka shërbyer mëngjesin për rreth 40 persona të stresuar.
Numri i një i qytetit ka falenderuar të gjithë personat dhe bizneset që kanë kontribuar jo vetëm me strehim por edhe me ushqime dhe veshmbathje. Sipas tij Tirana është qyteti më sepse ka më shumë solidaritet dhe jo se ka më shumë para.
“Ka qenë një punë e admirueshme nga të gjithë qytetarët. Unë besoj se Tirana nuk është qyteti më i mirë se ka më shumë para apo ka më shumë infrastrukturë, por sepse ka më shumë solidaritet. Ndaj dua të falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar me veshmbathje, qytetarë të thjeshtë që kanë trokitur te dera e fqinjit për t’u siguruar që fqinji i moshuar është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka pasur probleme gjatë natës. Dua t’i falenderoj me gjithë zemër, ky është padyshim qyteti më solidar”, tha Veliaj.
[gallery]20449[/gallery]
Ai kërkoi edhe një herë bashkëpunimin e qytetarëve, sidomos atyre që kanë familjarë në gjendje rruge, që në këto ditë të ftohta të tregohen më njerëzor dhe t'i ndihmojnë për të shmangur çdo fatkeqësi, pasi temperaturat do të vijojnë të bien.
“Sot temperaturat do të ulen më shumë, nga -7 që ishin natën e kaluar, do të shkojnë në -14. Do të thotë që më e vështira është ajo që vjen, jo ajo që kaloi, ndaj i ftoj të gjithë qytetarët të kenë kujdes për fqinjët, sidomos për ata që janë të moshuar, të kenë kujdes për fëmijët të mos i lënë jashtë sidomos gjatë orëve të mbrëmjes kur temperaturat do të jenë më të ulëta, të memorizojnë 0800 0888 numrin e bashkisë, dhe 112 numri i të gjithë emergjencave”, theksoi kryebashkiaku.
Bashkia sipas tij ka rritur numrin e qendrave pritëse nga 4 në 7, ndërsa është e përgatitur për të përballuar një fluks edhe më të madh. Për këtë arsye janë vënë në dispozicion edhe njësitë administrative dhe një palestër.
“Sot kemi arritur në kapacitet prej 135 personash. Kemi hapur edhe njësitë administrative, një palestër shkolle në njësinë nr. 8. Gjithë stafi administrativ dhe qendrat sociale janë në gatishmëri të plotë për të përballuar situatën", u shpreh drejtoresha e Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale në Bashkinë e Tiranës, Anisa Ruseti.
Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

FOTO











