Tre elektricistë të bllokuar nga bora në fshatin Borje të Kukësit gjatë paradites së kësaj të shtune, janë shpëtuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetë. 

Rreth orës 11:00 të ditës së sotme, 3 elektricistë të Kukesit u nisën për në fshatin Borje, për të riparuar fidrin 8, i cili shtrihet nga HEC Orgjost dhe deri në fshatin në fjalë, 37 km larg Kukësit. 

Pasi kanë ecur për orë të tëra, në trashësinë e borës prej 1 m e gjysmë, elektricistët janë bllokuar nga i ftohti, duke mos lëvizur nga vendi.

Nën kushte të ashpra atmosferike ata kanë lëshuar sinjalin SOS, ndërsa po mbushnin rreth dy orë të bllokuar, ndërsa gjendja shëndetësore po rëndohej. 

U desh më në fund ndërhyrja e banorëve të fshatit Borje dhe shtabit të emergjencave, që bën të mundur nxjerrjen e tyre nga dëbora dhe shpëtimin e jetës.

Aktualisht janë rehabilituar falë shërbimit mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për jetën!


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com