Shqipëria vend me risk të madh
natyror, humbjet 68.7 mln $ në vit

Shqipëria vend me risk të madh<br />natyror, humbjet 68.7 mln $ në vit
Gjatë dekadave të shkuara, Shqipëria është goditur mesatarisht nga një fatkeqësi natyrore në vit. Në 30 vjet, midis 1980 dhe 2010, janë regjistruar 23 fatkeqësi të tilla.

Prej tyre, nëntë fatkeqësi kanë qenë përmbytje, katër tërmete dhe tre goditje nga temperatura ekstreme – thuhet në një studim të bërë nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në bashkëpunim me Qendrën për Çështje Europiane dhe të Sigurisë. Gjatë kësaj periudhe, referon studimi, për shkak të këtyre fatkeqësive 163 njerëz humbën jetën.

Shqipëria konsiderohet si një vend me probabilitet relativisht të lartë të goditjes nga fatkeqësitë natyrore. Ajo renditet ndër vendet me risk të lartë ekonomik ndaj një shumëllojshmërie rreziqesh. Rreth 86% e territorit të saj, ku gjenerohet mbi 88.5% e PBB, është e ekspozuar nga dy a më shumë fatkeqësi natyrore.

Humbjet ekonomike të shkaktuara nga këto fatkeqësi janë llogaritur mesatarisht në 68.7 milionë USD në vit, ose rreth 2.5% e PBB. Në studim referohet se, në shkallë botërore, Shqipëria zë vendin e 41-të për rrezikun ndaj rrëshqitjeve të dheut e të 43-tin për tërmetet.

Rreziqet nga fatkeqësitë natyrore për Shqipërinë janë: gjeologjike (tërmete, rrëshqitje dheu, shkëmbinjsh); hidrometeorologjike (përmbytje, shira të rrëmbyer, thatësira, stuhi bore, ortekë apo bllokim nga bora, stuhi ere); bio-fizike (zjarre në pyje, epidemi) ndërsa ato të shkaktuara nga njeriu konsistojnë në: shpërthim digash, përmbytje e fatkeqësi teknologjike.

Shtatë qytetet më të mëdha të Shqipërisë futen në zonën me probabilitet 75% prej këtij rreziku. Rreth 10% e territorit shqiptar konsiderohet “e paqëndrueshme”, objekt i rrëshqitjes së dherave. Sistemi lumor në Shqipëri paraqet riskun më të madh për përmbytjet. Ato ndodhin zakonisht gjatë periudhës nëntor-mars, në të cilën në Shqipëri bie rreth 80-85% e sasisë vjetore të shirave.

Përmbytja e Ultësirës Perëndimore (sipas skenarit më të keq në 100 vjet) mund të prekë seriozisht 20 rrethe, 110 komuna, 341 fshatra, 85500 banesa (në rreth 7.9 milionë m²) rreth 565 mijë njerëz. Në janar 2010, në rajonet Shkodër e Lezhë, u përmbytën rreth 14,000 hektarë dhe 1200 godina, ndërsa 12,000 njerëz u desh të evakuoheshin nga banesat.

Në shkurt 2015 u përmbytën rreth 3,000 hektarë dhe mbi 600 banesa në pjesën perëndimore e jugperëndimore të vendit. Nga këto përmbytje u prekën rreth 42,000 persona, ndërsa rreth 600 familje u desh të evakuoheshin.

Po kështu, Shqipëria është një nga vendet mesdhetare që preket më shumë nga zjarret,pasi pyjet zënë rreth 29% të sipërfaqes. Në vitin 2007 psh, sipërfaqja totale e djegur (për shkaqe natyrore apo nga njeriu) arriti 127 mijë hektarë.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën