Shqipëri, sëmundjet tumorale dhe dobësitë e sistemit shëndetësor në trajtimin e tyre

Shqipëri, sëmundjet tumorale dhe dobësitë e sistemit shëndetësor në trajtimin e tyre

Në Shqipëri rreth 6 mijë raste të reja identifikohen çdo vit me sëmundje tumorale. E ndërsa numri i pacientëve me këto sëmundje është në rritje, një raport i KLSH nxjerr në pah mjaft dobësi të sistemit shëndetësor në trajtimin tyre. Disa kanë të bëjnë me mungesa të stafit mjekësor, të barnave dhe pajisjeve mjekësore apo me centralizim të shërbimeve.

Këtyre dobësive ju shtua së fundi dhe një skemë abuzimi me pacientët e sëmurë me tumor, ku mendohet se janë përfshirë edhe disa mjekë të Spitalit Onkologjik në Tiranë. Zëri i Amerikës sjell një analizë të kësaj situate përmes gjetjeve të një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pacientëve të prekur, familjarëve të tyre dhe mjekëve.

Në ambjentet e Spitalit Onkologjik në Tiranë, lufta mes jetës dhe vdekjes është ndoshta me e fortë se kudo tjetër. Por mangësitë në ofrimin e shërbimeve e bëjnë atë më të ashpër dhe më të dhimbshme. Dhjetra qindra qytetarë nga i gjithë vendi marrin shërbime çdo ditë në këtë institucion shëndetësor, që nga kimioterapia, radiotarapia, konsultat apo kontrollet e ndryshme. Në Shqipëri çdo vit humbin jetën rreth 3 mijë qytetarë nga sëmundjet tumorale dhe vdekshmëria prej tyre zë vendin e tretë me 13.5%, pas atyre të aparatit të qarkullimit të gjakut, dhe sëmundjeve me shkaqe të papërcaktuara. Por ndonëse këto vdekje mbajnë një peshë të lartë dhe rastet e reja janë në rritje, një raport i KLSH, nxjerr në pah edhe mjaft dobësi të sistemit shëndetësor në trajtimin e tyre.

Edhe Prokuroria e Tiranës po heton së fundi mbi një skemë abuzimi me pacientë të spitalit onkologjik ku mendohet se janë përfshirë disa mjekë, specialistë dhe administratorë të një klinike private dhe depoje farmaceutike, mes tyre dhe ish. Zv. drejtoresha e QSUT Brikena Qirjazi.

Përmes formave të ndryshme pacientët orientoheshin drejt një klinike private, për të marrë shërbim mjekësor sipas prokurorisë. Disa qytetarë thanë për Zërin e Amerikës se janë dëshmitarë të një skeme të tillë, ndërsa pati nga ata që kërkuan të mbeten anonim.

“ Na thanë që duhej bërë shpejt ekzaminimi, të mos humbim kohë. Bëme skanerin, biopsinë, analizat këtu në Tiranë në klinikën “Megis”, e cila përmendet edhe nga prokuroria”- shprehet i afërmi i një pacienteje nga Korça.

“Në sistemin privat në fillim kemi shpenzuar shumë para, pa ardhur ende në spitalin Onkologjik. Na duhej të merrim diagnozën shpejt. Na çuan tek privati, tek një klinikë që kishte një mjek këtu i spitalit. I bëmë të gjitha dhe erdhëm në shtet. Bashkëshortin tim, që vuan nga tumori, e ndjek aktualisht një mjek dhe njeri shumë i mirë, i Spitalit Onkologjik”- thotë Sanie Xhixha nga Tirana.

Pacientë të ndryshëm thonë për Zërin e Amerikës se ndeshen me pritje të gjata për të marrë shërbim në Spitalin Onkologjik. KLSH e lidh këtë me numrin e pamjaftueshëm të mjekëve onkologë, 55 në gjithë vendin, 24 në Tiranë, si dhe me mungesa të pajisjeve mjekësore, dhe të infrastrukturës në spitalet rajonale për të ofruar shërbime të plota për sëmundjet tumorale.

Stafi prej 24 mjekësh në spitalin onkologjik përballon në ditë 108 vizita, konsulta, trajton 75-80 pacientë me kimioterapi dhe 22 pacientë me radioterapi. (këtu nuk janë përfshirë ndërhyrjet kirurgjikale, urgjenca dhe mjekët roje në çdo ditë). Këto të dhëna tregojnë, për një volum të lartë të punës së mjekëve, sipas KLSH.

Edhe numri i poltronëve “shtrat virtual” është në sasi të vogël -thuhet në raport- vetëm 19 të tillë, ndonëse gjatë ditës trajtohen me kimioterapi 75-80 pacientë, nga i gjithë vendi. “Spitalet rajonale nuk kanë kapacitete spitalore të plota, pajisje dhe shtretër dhe për pasojë ngarkesën më të madhe me kimioterapi e përballon Spitali Onkologjik në Tiranë”- nënvizon KLSH.

Nga ana tjetër edhe shërbimi i Radioterapisë është i centralizuar, veçohet në raport. Ai ofrohet për të gjithë pacientët vetëm në këtë spital. Zëri Amerikës bisedoi me disa pacientë nga zona të ndryshme të vendit, mbi këto vështirësi. Ata vinin nga Korça, Dibra, Tropoja, Gramshi, Përrenjasi apo Laçi, dhe trajtoheshin në Spitalin onkologjik me radioterapi, kimioterapi dhe kryenin kontrolle të shumta.

Raporti i KLSH vëren se gjatë periudhës tre vjecare të auditimit 2020-2022, 600 gra paciente nuk morën trajtim radioterapie me Brakiterapi pasi ajo nuk funksiononte. Po ashtu edhe pajisja mjekësore Ortovoltazhi e vënë në punë që prej vitit 2002, kishte defekt, për një kohë të caktuar gjatë auditimit duke lënë pa trajtim 200 pacientë, ndërsa pajisja e re nuk ishte vënë në punë. Edhe disa elementë të tjerë në njësinë e radioterapisë, thuhet në raportin e KLSH, si Tubusat e Aparatit të Shiringës elektrike, Pompa-Maskat termoplastike individuale, kanë munguar.

Përkundër pretendimeve të autoriteteve zyrtare se shëndetësia është falas, qytetarët detyrohen të paguajnë nga xhepi për barna dhe shërbime që ofrohen në sistemin publik. Pacientë dhe të afërm të tyre i konfirmuan Zërit të Amerikës edhe shqetësimet e vazhdueshme për mungesën e barnave në kurimin e sëmundjeve tumorale. Disa ofrohen nga Spitali Onkologjik, por disa të tjera ata janë të detyruar t’i blejnë vetë, shpeshherë me kosto të larta.

“ Gjysmën e mjekimit për bashkëshorten e blej, sepse Spitali Onkologjik nuk e ofron. Ne jemi pensionistë, unë jam operaur nga zemra. Të ardhurat tona janë të ulëta për të përballuar këto shpenzime”- thotë një qytetar nga Përrenjasi.

“80% të mjekimit një e afërmja ime e merr me pagesë. Mjekimin ja bëjnë këtu, por gjilpërën e ka blerë në Kosovë 3 mijë euro një gjilpërë”- thotë Përparim Lama nga qyteti i Laçit.

“ Bashkëshorti im është në vitin e tretë të sëmundjes tumorale. Mjemimin pothuajse e kemi marrë nga strukturat shtetërore, por

kemi marrë dhe me lekë, kur nuk ka patur në sistemin publik”- thotë Sanije Xhixha nga qyteti i Tiranës.

Ndërkaq raporti i KLSH, thotë se shpenzimet financiare për trajtimin e sëmundjeve tumorale, nuk janë rritur, por janë mbajtur pothuajse të pandryshueshme, ndërkohë që numri i pacientëve të diagnostikuar dhe të trajtuar me sëmundje tumorale është në rritje.

Gjatë përgjimeve të prokurorisë së Tiranës, evidentohen disa shqetësime të ngritura nga qytetarët në komunkimet mes mjekëve, të cilët i kërkojnë favore njëri-tjetrit, për trajtime të pacientëve jashtë planifikimit, apo edhe raste kur bëhet fjalë për rryshfete..

Autoritetet zyrtare kanë njoftuar auditim dhe hetim administrativ dhe kanë shprehur keqardhje për rastin në fjalë, por deri tani nuk kanë dhënë një zgjdhje për këto forma korrupsioni, dhe nuk kanë thënë se kush mban përgjegjësi për to.

Hetimet e prokurorisë hodhën dyshime dhe mbi tregtimin e barnave spitalorë për trajtimin e tumoreve në disa farmaci. Zëri i Amerikës bisedoi dhe me mjekun Sotiraq Senjo në Spitalin Onkologjik mbi mënyrën e mjekimit të pacientëve me kimioterapi dhe burimin e furnizimit të spitalit me këto kura.

“Mjekimi vjen nga farmacia qëndrore, nga kapa qëndrore. Çdo gjë tretet në kapë dhe vjen e tretur tek pacienti. Dhe nuk ka kontakt me ilaçet mjeku, ai thjesht plotëson një recetë. Ndërsa medikamentet pacienti i merr në farmaci. I merr me kod, shkon dhe i tërheq. Nuk ka lidhje asnjë mjek me këtë”- thotë Sotiraq Senjo, mjek kimioterapeud në Spitalin Onkologjik.

KLSH në raportin e tij mbi performacën e spitalit onkologjik, nënvizon se për periudhën 3 vjeçare të auditimit Ministria e Shëndetësisë dhe QSUT, nuk kanë realizuar procese auditimi dhe monitorimi pranë Spitalit Onkologjik dhe shërbimeve spitalore të cilat trajtojnë sëmundjet tumorale. Sipas KLSH kjo shton riskun për uljen e cilësisë së shërbimit të pacientëve me këto sëmundje.

Deri në përgatitjen e këtij materiali Drejtoria e Qendrës Spitalore Univeristare Nënë Tereza, nuk ju përgjigj interesit të Zërit të Amerikës në lidhje me problematikat e evidentuara në raportin e KLSH-së.

Kryetari i KLSH Arben Shehu i tha Zërit të Amerikës se në fushën e shëndetësisë janë kryer disa auditime, të cilat janë objekt kallëzimi në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa njoftoi së shpejti një kallëzim të ri.

“Jemi në proces të disa auditimeve të tjera procedura që janë pjesë e sistemit të shëndetësisë dhe lidhen direkt sidomos me procedurat e prokurime publike në qendrat spitalore. Jemi në përfundim të analizës së detajuar juridike për t’i drejtuar në Prokurorinë e Posaçme”- shprehet Z. Shehu.

Hetimet e Prokurorissë së Tiranës mbi një skemë të dyshuar abuzimi në lidhje me trajtimin e të sëmurëve me tumor, që u shoqëruan me masa sigurie arrest shtepie dhe detyrim paraqitje për personat nën akuzë, shumica mjekë, kanë nxitur një valë të gjerë debati edhe në rrjete sociale. Mjaft qytetarë dhe figura të njohura publike po denoncojë në rrjete sociale, raste personale të ballafaqimit me strukturat shëndetësore në trajtimin e sëmundjeve tumorale të cilat paraqesin një sfidë të vazhdueshme për sistemin shëndetësor në Shqipëri./ VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Qytetarja: 30/06/2024 10:30

    Te gjitha qeveritë e ministrite e shendetesise tash 33 vjet kane mbyll sytë e veshët per denoncimet qe jane bere,e njëjta skemë eshte ne te gjithe spitalet e shqiperise,te onkollogjiku doktoret infermjeret te gjithe pervec pastruese kishin dale haptas,sa mbaronte operacioni ne mënyre arrogante te kërkonte leket,ata vetem doktore nuk ishin ,ata ishin kthyer ne kafshe,edhe ne mjeksi duhet veting,me ju marr pasurine ,me ju mbyll klinikat private,qe i kan ba me gjakun e popullit,o ne shtet o ne privat doktoret,prandaj abuzojnë,po kush do ti bejne keto,qeveria ministrja qe jane hajdute per vete

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin